
Nga Elvana Tivari
Ato që u thanë më 25 tetor janë vetëm fjalë në TV. Nuk janë ligj. Kushtetuta e thotë qartë: liritë tona kufizohen vetëm me ligj (neni 17). Asnjë ligj nuk vlen pa u botuar në Fletoren Zyrtare (neni 117). Deri tani s’është botuar asgjë. Pra të drejtat tona janë po ato që ishin dje. Pse paketa e Ramës nuk qëndron. “Gjobë për protestë pa leje”. Për të protestuar s’të duhet leje, mjafton njoftimi i policisë. Këtë e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese, që në 2021. (neni 47) “Gjobë deri në 500 mijë lekë”.
Sot maksimumi është 10 mijë lekë. Kjo do të thotë 50 herë më shumë. Kjo nuk quhet rend publik, quhet frikësim. “Zona të ndaluara rreth institucioneve”. Protesta bëhet që ta dëgjojë ai të cilit i drejtohet. Strasburgu i ka dënuar ndalimet e përgjithshme të tilla. “Regjistër për dhunuesit”. Të futësh në listë dikë që është vetëm nën hetim do të thotë ta dënosh para gjyqit. Je i pafajshëm derisa të vendosë gjykata. (neni 30). “Policia fshin postimet”. Çfarë është e paligjshme e vendos gjykata, jo policia. Kritika ndaj pushtetit nuk është krim. (neni 22) “Prindërit paguajnë gjobën”
Askush nuk dënohet për atë që ka bërë dikush tjetër, as prindi për fëmijën. “Ndëshkim për mësuesit” Edhe nxënësit kanë të drejtën e protestës paqësore. (neni 47). “Me akt normativ” Qeveria mund të nxjerrë akt normativ vetëm në rast urgjence dhe vetëm për masa të përkohshme. Këto masa janë menduar të jenë të përhershme. (neni 101). Kjo paketë nuk godet dhunën, godet protestën.


