
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku mesa duket tashmë po mbrohet vetëm nga avokatët e saj. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mbrojtje ligjore, por miqtë e saj politikë apo mediatik kanë bërë një hap pas, duke e lënë të vetme në betejën e saj me drejtësinë.
Ka mjaftuar vetëm një frazë e kryeministrit Rama gjatë një interviste, ku tha se “Balluku ka një çështje me drejtësinë, në atë çështje unë nuk kam thënë asgjë”, për të nisur një fushatë sulmesh nga njerëz dhe media që njihen si proqeveritare. Po ashtu, Rama postoi edhe një fotografi me një mace nën duart e tij, por mesazhi i fshehur nuk dihet për kë ishte.

Ditë më parë, emisioni “Top Story” në televizionin kombëtar Top Channel u hap me një monolog të gjatë të moderatores Grida Duma, pikërisht për çëshjen e sekuestrimit të vilës që dyshohet se është pronë faktike e Belinda Ballukut, ndërsa panelistët kërkuan arrestimin e menjëhershëm të ish-ministres së Infrastrukturës.

Çështja “Balluku” nuk kaloi me kaq, të hënën e 14 shtatorit edicionet e lajmeve në Top Channel u hapën me disa kronika rresht, të shoqëruara me titujt “Heshtje për vilën e Ballukut”, duke kërkuar hetime më të thelluara. Më tej, një tjetër titull pasqyronte luksin e shfrenuar të ish-numrit dy të qeverisë, “Vetëm pishina 25 mijë euro”, duke e arsyetuar me shifrat marramendëse të arredimit të ambienteve të vilës në Palasë.

Nisur nga të gjitha këto argumente që rënduan pozitën e ish-numrit 2 të qeverisë, kronika pasardhëse ngriti një pyetje, jo fort të lehtë: “Pse SPAK vonon për Ballukun?”, duke ndryshuar narrativën e raportimit të dosjes më të bujshme të vitit.
Përballë gjithë kësaj situate, Rama nuk ka bërë asnjë reagim, sikundër më parë ka hedhur akuza të forta për media të tjera që e vinin Ballukun përballë aferave korruptive. Ky detaj nuk ka kaluar pa u vënë re nga opozita, ku në konferencën e përditshme Sali Berisha u shpreh që kishte mësuar se ka një tension real mes Ramës dhe Ballukut.
“Tani këto ditë mësoj që ka një tension real midis Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Dhe ky tension real është rezultat i arrestimit të Ergys Agasit, ku thuhet se dora e zezë e Lubisë është prapa atij arrestimi. Në këtë kuadër, ka mundësi që Edi Rama të shohë qartë tani se kabineti ekzistues nuk është më Rama-Balluku, por Balluku-Rama. Balluku-Rama. Dhe unë po i ndjek me shumë interes dhe jo pa kënaqësi këto zhvillime në klanin e tyre mafioz”, deklaroi Berisha në ditën e parë të kthimit nga SHBA-ja.

Nisur nga këto, të gjithë mbeten me sytë nga Kuvendi, ku pritet të mbërrijë kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, me qëllim arrestimin e saj. Balluku akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera”, të kryer në bashkëpunim, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, të kryera më shumë se një herë.


