
Rama nuk e leshon Ballukun. Sot u mbajt mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, ku u diskutua raporti mbi kërkesën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për arrestimin e ish-zv.kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku. Në këtë mbledhje u parashtruan qëndrimet e socialistëve dhe u analizuan pretendimet e SPAK-ut. Nga kjo mbledhje u bë e qartë edhe njëherë se kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të lërë Ballukun. Deputeti Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, prezantoi raportin e PS-së, duke theksuar se nuk plotësohen kushtet për një masë më të ashpër sigurie. “Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale… Për arratisjen, ka një procedurë. Balluku, edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gusht, edhe pasi iu njoftua akuza nga SPAK, ajo ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit. Përsëri është kthyer në Shqipëri në respekt të masës së sigurimit dhe në respekt të funksionit dhe procedimit penal,” tha Manja. Ai shtoi se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal me arrest, sipas nenit 237 dhe 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në mbledhje, mbrojti publikisht Ballukun dhe kritikoi SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai tha: “Flitet vetëm për dyshimin e arsyeshëm… mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar, u vendos nga prokurori dhe gjyqtari pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar. Një masë absurde! Pezulloi funksionin, jo thjesht personin.” Kreu i qeverisë foli edhe ndikimin e mediave dhe rrjeteve sociale: “U ngritën dallgët e urrejtjes mbi Ballukun e u mblodhën retë e rrjeteve sociale duke e kthyer njeriun në kriminel me 300 vila, 2 jashtë, 10 mijë euro, solucione magjike për larje makina… Belinda u kthye në shtrigën që duhej të digjej në turrën e druve.”
Megjithatë, Rama theksoi se nuk do të ndërhyjë në procesin e drejtësisë. “Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme apo të shkel vijën e kuqe… mbrojtja e saj i takon ekskluzivisht avokatit, prokurorit, gjykatësit, jam apo jo unë dakord me ta.” Ai vlerësoi punën e Ballukut në transformimet infrastrukturore dhe energjetike gjatë kohës kur ishte pjesë e qeverisë, duke renditur ndër të tjera rrugën Orikum-Dukat, tunelin e Llagarasë, aksin Korçë-Ersekë, Qukës-Qafë Plloçë, Mailq-Llozhani, Rrugën e Arbrit, Thumanë-Kashar, Unazën e Madhe dhe Rrugën e Kombit. “Të shkojnë nga rruga e vjetër për Dibër… të provojnë dhe një herë Ersekën nga rruga e mëparshme… të kuptojnë vlerën e punës kolosale,” tha ai.
Rama konfirmoi gjithashtu mbështetjen politike për Ballukun, ajo do të vijojë të jetë deputete dhe drejtuese politike e PS në Qarku Fier. Ai shtoi, “Skam në plan ta shpall as hero dhe as viktimë Belindën… por uroj që në hetimin e çështjes që ajo ka në SPAK, mos ta çojë te korrupsioni.”


