Nga Lutfi Dervishi

Vriten njerëz dhe shumica pyesin jo për dorasin, por për viktimën: “me siguri ka bërë ndonjë gjë, nuk të vret njeri kot…”

Ndërron jetë në heshtje, jo vetëm nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve ose për shkak të medikamenteve që s’dihet nëse shërojnë apo dëmtojnë më shumë. Shtëpitë shkatërrohen pa paralajmërim, pa dëmshpërblim, më shpejt se në rripin e Gazës, por me më shumë kamera dhe zero ndjeshmëri.

Në dosjet e famshme të Sky ECC, vrasjet me pagesë nuk quhen krim. Quhen punë. Madje bëhen edhe dhurata: “Këtë e ke dhuratë nga unë”. Vrasja është zanat, profesion, shërbim me tarifë. Këtu dhuna nuk është përjashtim. Është strukturë. Është gjuhë zyrtare. Është mënyra si negociohet, si zgjidhen konfliktet, si ndahen tenderët, si ruhet “autoriteti”.

Këtu, edhe vrasja e kuajve nuk habit më askënd. Sepse kur njeriu është bërë objektiv me pagesë, kali është thjesht kolateral. Dhe ironia është se: edhe Kanuni mbron kafshët. Qenin, kalin, gomarin… Ndërsa mënyra se si zbatohet ligji i sotëm, nuk arrin të mbrojë as njeriun, as kafshën.

Në një shtet normal, dhuna është monopol i kontrolluar, i justifikuar vetëm për rendin dhe drejtësinë. Në një shtet demokratik, pushteti është rregullator, garant dhe ndërmjetësues. Por në këtë vend, shteti nuk është as garant, as ndërmjetës, as kontrollues. Është ose spektator, ose bashkëpunëtor, ose autor.

Shoqëria e ka zëvendësuar maturinë me moskokëçarje, ndershmërinë me ironi, kurajën me cinizëm, dhe vetëpërmbajtjen me etiketën “qullac”. Kush nuk përdor forcë, është i dobët. Kush kërkon drejtësi, është naiv. Kush flet për ligj, përqeshet. Kush ngre zërin, akuzohet si “i mbaruar”.

Faik Konica e ka përshkruar këtë gjendje më mirë se kushdo: Një vend ku katili nderohet, mbrohet, dhe i hapet rruga. Një vend ku gjyqi është farsë, policia është dekor, dhe shoqëria mbron jo viktimën, por kriminelin, “se edhe ai njeri është”. Kur qëllon që policia vret një person në kërkim, urimi masiv për këtë të fundit është “qofsh i parajsës”, për policin “t’u thaftë dora”.

Po për cilin vend po flasim? Për një vend ku drejtësia është gjithnjë në reformim dhe radhën për t’u pushkatuar e ka kali.

Artikull i Mëparshëm

Pse nuk ndërtuam dot turizëm

Artikulli Tjetër

Asgjë e re nga SPAK-u

LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7