
Prej katër muajsh, që nga vendimi i datës 13 tetor 2024 i Ministrisë së Brendshme për bllokimin e monopatinave elektrike, qindra qytetarë vijojnë të presin një zgjidhje ligjore për mjetet e sekuestruara. Vendimi parashikonte konfiskimin e monopatinave në kuadër të rregullimit të qarkullimit të tyre, ndërsa autoritetet premtuan hartimin e rregullave të qarta për përdorimin e tyre në qytet.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, shumë prej monopatinave mbeten të bllokuara nga Policia e Shtetit, ndërsa qytetarët shprehen se nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare mbi procedurat dhe afatet e kthimit.
Këtë të mërkurë, një grup qytetarësh dolën në protestë para Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të mjeteve dhe sqarime të plota mbi bazën ligjore të aksionit. Me pankarta në duar, ata i bënë thirrje ministres së Brendshme, Albana Koçiut, që të mbajë premtimin për rregullimin e situatës.

“Na u tha se monopatinat do të mbaheshin vetëm 30 ditë dhe do të nxirreshin rregulla për përdorimin e tyre. Sot kanë kaluar katër muaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar,” u shpreh një nga protestuesit gjatë tubimit. Protesta u mbështet edhe nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili deklaroi se çështja kërkon ndërhyrje ligjore dhe trajtim sipas praktikave evropiane.

Qytetarët theksojnë se monopatinat janë kthyer në një mjet të rëndësishëm për transportin e përditshëm dhe se mungesa e tyre ka sjellë kosto shtesë në kohë dhe para, ndërsa presin ende një zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse.


