
Nga Aranita Brahaj*
Çdo vit Agjencia e Prokurimeve Publike bën një analizë vjetore ku nxjerr edhe rekomandime. Kjo ka ndodhur që kur tenderët bëheshin me zarf e jo me sistem. Të flasësh për rekomandime që shkojnë deri tek kriteret dhe tenderët me një konkurrent është si t’i japësh atij që ka nevojë për intubim dhe oksigjen një kokërr aspirinë.
• Në Shqipëri tenderët fitohen nga Kompani të Zotëruara nga Individë në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Asnjë rekomandim nuk ka qeveria jonë për Integritetin e Kontraktorit Publik, Nisma Ligjore hiç e hiç.
• Në këtë Shqipërinë ku Tenderat Korruptivë nuk janë vetëm defekt për rekomandime, sa herë ka Sebep (fatkeqësi) shteti nxjerr kontratat sekrete për interesa thelbësorë të shtetit dhe mos guxojë ndonjë gazetar të bëjë pyetje si Ilva Tare Now se ja kthejne studion në kopsht zoologjik me ulërimë.
• Në Shqipëri Kontratat e mëdha bëhen edhe pa tender, me Ligje Speciale, ku nuk shpëtuam nga Kontratat që shiten si sukses as këtë Korrik.
• Këtu tek Qeveria e zotit Rama 20 tendera shpallen/mbahen në një ditë (jave maximumi), 20 kompani marrin pjesë tek të 20-të. Secili fiton një e secili skualifikohet tek të 19-tët. Në fund asnjëri nuk bën ankesë, të gjithë kanë marrë një copë aty ku Oferta është fiks sa Fondi Limit. Garë që sjell Ofertën më të Leverdisshme nuk ka. (Shiko tendera Autoriteti Rrugor dhe Fondi Shqiptar për Zhvillim )
Ja pra që tenderat me një operator në garë janë problem por vetëm në nivel të tenderave lokalë, se korrupsioni është ndryshe te Investimet e Mëdha Publike. Ndonjë rekomandim për tenderat ku skualifikohen të gjithë ofertuesit e leverdisshëm dhe mbeten ata “BIG”- ë a ka kryeministri???
• Në Shqipëri Tenderat e Rindërtimit pas tërmetit po bëhen me Ligj dhe Procedurë Klienteliste të kufizuar, minikonkurse me negocime jashtë sistemit elektronik, procedure ndërkombëtare me proces dhe afate qesharake. Me ligj korruptiv jashtë Sistemit Elektronik në kapërcim të Legjislacionit të Prokurimeve. Fajin (them unë) e ka Qeveria që miratoi dhe mban në fuqi një Akt Normativ me disa nene klienteliste, jo punonjësi i Prokurimit Publik që kur bën tender “të vogël” merr shembull nga Shefat e Mëdhenj.
• Në Shqipëri Juristi i Prokurimeve mbetet i tillë edhe kur gabon me kriteret specifike, anullon procedurën disa herë, merr vërejtje nga KLSH-ja, i dalin dokumentet false etj etj. Kjo pasi vlerësimin e tij në punë ia bën shefi politik. Një sistem Vlerësimi (skanimi) për Punonjësin e Prokurimit!!! Mbetet rekomandim i OJF –ve për Qeverinë që mban fjalim.
• Në Shqipëri nëse ka një kriter korruptiv asnjë palë jashtë garës nuk i drejtohet institucionit për Ankimim.
• Në Shqipëri Media çdo javë nxjerr 3 deri 5 artikuj brilantë investigativë per korrupsion prokurime. Po po, “Kazani” ynë mediatik! SPAK-u merret ndonjëherë me ndonjërin, arreston edhe ndonjë punonjës gjelbërimi në Pogradec, korrupsion i rëndë të mbyllësh derën e shkollës me çelës në ditën kur bëheshin zgjedhje me një parti.

• Tenderimet e koncesioneve deri ne 2021, kishin një krimb nga brenda që quhet “Biznese Guackë” (ku pronari rri si kërmilli në guackë e nuk identifikohet kush është), nga ato që fitojnë kontrata publike pa u kontrolluar integriteti i kontraktonit, nga ato që pronar biznesi mund të jetë kushdo; edhe familja e një të madhi por për të cilat populli nuk ka të drejtë as të dijë. Ndonjë gazetar guximtar i BIRN-it përballet edhe me padi për ndonjë shkrim ku “flitet shqip”.
• Në Shqipëri u shënua ajo protesta unike e ndërtuesve-deputetë para gjykatës. Moment domethënës të historisë e tenderime/kontraktime publike. Moment i rëndësishëm edhe për reformën në drejtësi!
Ka shumë rreshta për të shkruar për Tenderime Korruptive, Klienteliste, Mafioze por meqë është korrik-gusht ta lëmë Mandatin e Tretë të Vegjetojë në Propagandë dhe po i themi vetëm: Korruspioni nuk do Fjalim dhe Rekomandime, një kryeministër me Integritet është Zgjidhja.
*Marrë nga profili i Aranita Brahajt në “Facebook”. Brahaj është drejtoreshë e “Open Data Albania”, platformës së publikimit të tenderave e koncesioneve me shkelje në Shqipëri. Autore e skicës Elizabeth Williams (Në të tregohet Bernard Madoff, i cili ka marrë më humë se 64 miliardë dollar asete nga investitorët nëpërmjet skemës Ponzi)