
Nga Sonila Meço
Çfarë po do të prodhojë ky heroizëm i vonuar i deputetes socialiste që nuk mjaftohet me largimin nga grupi parlamentar i Rilindjes? Çfarë do të provojë sfida për të verifikuar mandatin në zgjedhje të parakohshme edhe në qoftë ballafaqim i beftë me ndërgjegjen? Jemi në të drejtën legjitime të dyshojmë nëse kemi të bëjmë me një zgjim ndërgjegjeje përgjatë protestave masive, apo me një manovër politike për të “zgjidhur” krizën siç i intereson pushtetit. Nëse vërtet beson se zgjedhjet janë të deformuara, atëherë kërkesa për zgjedhje të parakohshme pa ndryshuar asnjë rregull të lojës është absurditet logjik me pasoja katastrofale.
Kush kërkon të përsërisë një proces që e konsideron të kompromentuar pa ndryshuar më parë katërcipërisht kushtet e procesit? Kush mendon kaq naivisht (në rastin më bujar, sërish) se pushtetet e kapura i tremben zgjedhjeve të reja pa ndryshuar asgjë nga inxhinieria e frikshme e manipulimit elektoral? Përkundrazi. I duan ato. Sepse zgjedhjet e parakohshme, pa hetim të krimit zgjedhor, pa çmontim të patronazhimit, pa ndalim të financimeve kriminale, pa barazi gare dhe pa rikthim të besimit publik, janë mundësia absolute për të prodhuar të njëjtin rezultat, ndoshta edhe më të madh për narkoshtetin. Kjo është arsyeja pse historia e dorashkës së hedhur nga deputetja e rilindjes për zgjedhje të parakohshme mu në kreshtë të dallgës së pakënaqësisë masive ndaj narkoshtetit ngjan oksigjen për pushtetin e diskretituar.
Shqipëria sot po shpërthen ndaj shtetit të kapur. Shqipëria nuk është thjesht autokraci elektorale, por narkoshtet. Autokracitë rrëzohen kur njerëzit pushojnë së besuari te lideri, por narkoshteti lëkundet vetëm kur prishet aleanca mes pushtetit, parasë kriminale dhe pandëshkueshmërisë. Një autokraci elektorale manipulon votën për të ruajtur pushtetin, kap institucionet dhe dobëson kontrollin demokratik. Por një sistem me tipare narkoshteti e kthen ekonominë e paligjshme dhe rrjetet kriminale në burim pushteti politik. Papritur një deputete, largimin nga grupi parlamentar i PS po do ta shndërrojë në iskër për zgjedhje të parakohshme, duke dashur te konfirmojë mandatin e saj në narkoshtet?! Vërtetë?
Kërkesa për zgjedhje të reja me të njëjtën makineri shfryn rebelimin, duke i dhënë narkoshtetit një certifikatë të re legjitimiteti. Nuk është guxim të kërkosh një raund të dytë nga arbitri që thua se të vodhi ndeshjen. Për 10 muaj deputetja ka qenë pjesë e shumicës. Do kish qenë shërbim publik dorëheqja kur u denoncua krimi zgjedhor, kur u denoncua patronazhimi, përdorimi i shtetit, lidhjet e pushtetit me grupe kriminale. Koha e zgjedhur favorizon kanalizimin dhe kontrollin e revoltës më shumë se rebelimin ndaj pushtetit kur nuk do të identifikohesh më me të. Protesta sapo na e vërtetoi se pushteti nuk tronditet nga votimet që administron, por nga ai çast zgjimi kur njerëzit refuzojnë t’i japin edhe një herë legjitimitet lojës së tij. Qeveri kujdestare Po, zgjedhje me këtë makineri Jo.


