
Muajt e fundit në vend kanë ndodhur dy ngjarje krejt rastësore por shumë të ngjashme megjithë diferencat e tyre; darka e qeveritarëve shqiptarë te Nusreti transmetuar në kohë reale (Lexo Këtu) dhe sfilatat e kryegjyqtares së Elbasanit në zyrat e gjyqësorit, Enkeleda Kapedani publikuar nga Hashtag.al (Lexo më shumë KËTU).
Një ngjashmëri që gjendet më tepër në tri pika. Te mënyra si u shpërfaqën përballë publikut (nëpërmjet rrjeteve sociale, të bëra publike më pas nga mediet), po ashtu te fakti që të dyja ngjarjet përbënin interes publik dhe elementi i tretë në shtjellim të të parit, që ato janë efekt i një fenomeni të ri: “qenit të ri roje”, teknologjisë te porta, e cila përtej të këqijave që mund të sjellë shpeshherë në tejkalimin e privatësisë, i dha mundësinë shoqërisë të shohë se çfarë ndodh me institucionet e tri pushteteve dhe me paratë publike të shoqërisë, të deleguara me besim e drejtuar nga individë me emër dhe mbiemër.
Një kombinacion fatal për pushtetin.
Krejt papritur ne kemi ndeshur me të vërtetat që vijnë nga mjete jo gjithnjë të duartrokitshme, me të mirat që sjell teknologjia kur mjetet e tjera dështojnë siç janë kontrollorët e disiplinës dhe etikës në gjyqësor dhe ekzekutiv.
Këto janë dy raste kur platformat online dhe mediet në kuptimin klasik janë shndërruar në “qenin e ri roje”, që e çon opinionin publik drejt njohjes së çështjeve që i përkasin me të drejtë. S’ka shkelje privatësie e as seksizëm përveçse interes publik në rastin e gjyqtares dhe qeveritarëve: publiku ka të drejtë të dijë çfarë ndodh në zyrat e sistemit gjyqësor dhe me paratë publike në përfaqësime delegacionesh.
Gjyqtarja Enkeleida Kapedani në një sërë videosh të vetëprodhura nuk shfaqej me dekolte, as e zhveshur përveçse me një sjellje në mungesë të plotë etike në zyrat e gjykatës, ashtu si përfaqësuesit e delegacionit që përfaqësonte interesin e publikut hanin pjatat e shtrenjta mes Dubait në një organizim publiko-privat me në krye edhe një biznesmen.

Te të dyja shohim një pushtet që dekonspiron vetveten, mjafton që ose të futet në aplikacione pa u përmbajtur dot, ose të gjendet në arenën publike- publike, mes “të tjerëve”, jashtë zyrave që janë “privatëzuar” me kohë. Më i prekshëm bëhet dekonspirimi kur ndjek “live” procesin se si një funksionar i drejtësisë uzurpon privatisht publiken.
Në këtë kuptim gjyqtarja Kapedani është simboli më i përkryer i këtij uzurpimi, ku shumica nuk ka nevojë të përfytyrojë se çfarë do të thotë që privatja ta mbysë publiken dhe të thellohet se ku është e keqja e kësaj; por e shikon drejtpërdrejt në pak sekonda që zëvendësojnë qindra studime e tekste analitike se si privatja e një funksionari të drejtësisë e mbyt me të dyja duart dimensionin publik që ai duhet të mbajë gjithnjë në ato zyra, për t’u dhënë zgjidhje punëve publike, aq më shumë në kohën e krizave të mëdha.
Shumica shikon se si ky privat uzurpues në fakt ka dalë praktikisht jashtë funksioni.