
Nga Endri Tafani
Qëndrimi i Arabisë Saudite është i ndryshëm nga qëndrimi i Iranit për çështjen palestineze. Qëndrimi i Arabisë Saudite është zgjidhja me dy shtete, me një Izrael dhe një Palestinë në kufijtë e para 1967 si një zgjidhje që jep paqe dhe prosperitet në rajon jo vetëm për arabët që jetojnë në Palestinë por edhe për arabët e vendeve fqinje. Qëndrimi i Iranit është zhdukja totale e shtetit të Izraelit.
Për të kuptuar kush bën sens nga dy qëndrimet mjafton të bëhet pyetja e thjeshtë. A mund të zhduket nga ekzistenca një shtet me armë berthamore?
Është e qartë që përgjigja është jo. Veprimi i fundit i atij shteti në kufijtë e zhdukjes do të jetë shtypja e butonit bërthamor. Shtypja e butonit bërthamor nga Izraeli nënkupton që gjithë Lindja e Mesme të kthehet në një holokaust nuklear, mijëra herë më i frikshëm se Hiroshima dhe që pasojat do ndihen më tej në Europë, Azi, Afrikë, siç u ndjenë për rastin e Çernobilit, por me radioaktivitet dhe shi radioaktiv mijëra herë më të madh në intensitet dhe sasi.
Pra ajo që pretendon Irani “si zgjidhje” me zhdukjen e shtetit të Izraelit është totalisht pa sens dhe kriminale.
Po pse shumë njerëz në botë përfshirë dhe Shqipërinë bien pre e këtij qëndrimi?
Propaganda!
Që nga 2001 e deri para sulmit të Terrorit 2023 nga ana e Hamasit në Gaza dhe Hezbollaheve në Liban që kontrollohen të dy nga Irani janë lëshuar me dhjetëra mijë raketa në drejtim të Izraelit kryesisht për qëllime terrori në drejtim të civilëve në Izrael, sulme që kur janë intensifikuar kanë sjellë dhe reagimin izraelit.
Në televizione dhe internet jepen kryesisht vetëm reagimet e Izraelit dhe kalohen në heshtje krimet dhe provokimet e Hamasit dhe Hezbollaheve ndaj Izraelit.
Qëllimi i kësaj mënyre të bërjes së lajmit është radikalizmi i opinionit publik, që njerëzit të mos gjykojnë me gjak të ftohtë por me urrejtje.
Televizioni më i famshëm për këtë metodë propagande për ngjallje urrejtje është Al Jazeera. Një televizion i financuar nga Katari që është aleati më i ngushtë i Iranit në rajon dhe që me propagandën e tij radikalizon gjithë rajonin dhe botën me gjerë. Nuk është e rastësishme që Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë përzënë dhe ndaluar transmetimet e Al Jazeera në vendet e tyre, si dhe ndërprenë marrëdhëniet me Katarin për disa vite.
Sepse një propagandë e tillë që radikalizon njerëzit është shkatërruese për shoqërinë dhe vendin ku zhvillohet.
Edhe sot që flasim pamjet që vijnë prej Al Jazeera nga Gaza synojnë të njëjtën gjë. Pamje pafund dhune vrasje civilesh por asnjë raportim psh sa anëtare të Hamasit janë eleminuar për të kuptuar raportin luftëtarë-civilë të vrarë që në luftrat urbane shkon në 80% a me tepër të civileve. Në televizione nuk sqarohet me ushtarakë profesionistë të fushës që të gjithë do të thonë të njëjtën gjë, që luftimet urbane janë të tmerrshme sepse vriten shumë civilë dhe sado tmerrshme kjo është ajo që ndodh gjithmonë për atë lloj mënyre luftimi brenda në qytet.
Por për televizionet dhe gazetarët nuk ka rëndësi sqarimi por kërkimi i emocionit të fortë dhe mbushesh me pamje vdekje në ekran nga mëngjesi në darkë.
Në televizione nuk thuhet asnjë fjalë për tentativat dhe propozimet e Arabisë Saudite për ta zgjidhur çështjen palestineze. Asnjë fjalë apo kalohen në plan të dytë. Me e rëndësishme është efekti emocional i vrasjes.
Në televizione nuk thuhet asnjë fjalë për tentativat dhe propozimet e Biden për dy shtete për ta zgjidhur çështjen palestineze. Tentativa që çuan dhe në embargo armësh ndaj Izraelit kur filloi mësymjen në Gaza. Asnjë fjalë apo kalohen në plan të dytë. Më e rëndësishme është efekti emocional i sharjes së Biden si një i paaftë që nuk merr vesh.
Makineria e propagandës televizive bazuar në dhunën amplifikohet nga rrjetet sociale ku tashmë 80% e informacionit në Europë dhe Perëndim dominohet nga Rusia apo agjentë dhe aleate të lidhur me të.
Radikalizmi në Perëndim është i dukshëm dhe ironikisht akoma më i fortë se në vete vendet arabe.
Para një jave, një marshim perëndimor i të rinjve për Gazën, ku u nisën nga gjithë bota dhe vajtën në Egjypt në kufirin me Izraelin, u rrah nga vetë popullsia vendase arabe. Burra gra të rinj e fëmijë arabë i morën me gura perëndimorët që mendonin se dinin më shumë se vetë arabët dhe po krijonin trazira në Egjipt. Dhe të rinjtë perëndimore nuk po e kuptonin se pse po i sulmonin egjiptianët arabe kur ata kishin ardhur aty “për të ndihmuar Gazen”.
Të rinjtë europianë nuk e kuptonin që kishin rënë pre e një radikalizmi, i cili në fund të fundit do shkatërrojë vendet arabe në radhë të parë. Vende arabe që nuk e duan lojën e Iranit Persian aty. Sepse e dinë mirë që ajo lojë është vdekje për ta.
Për fat të keq pre e këtij radikalizimi ka rënë dhe Shqipëria. Kjo ka ardhur jo se TV shqiptare kanë ndonjë axhende të veçantë, por sepse janë të mbushur me gazetarë të paaftë që rendin pas sensacionit pas klikimeve. Kësaj i duhet shtuar dhe roli shkatërrues i propagandës në internet dhe dëmi është bërë. Është e vështirë të bëhet një bisedë konstruktive qoftë dhe në shoqeri dhe çdo person që tenton të gjykojë më koke te ftohtë etiketohet si i pashpirt, agjent, i shitur etj. Ka plot që gëzohen se Irani do beje armë atomike dhe harrohet që jo vetëm Shqipëria nuk i ka mirë marrëdhëniet, por dhe rendja pas armëve atomike nga Irani do sjellë dhe ndërhyrjen e SHBA aty që do shtrijë konfliktin me gjere.
Radikalizimi mund të vihet re dhe në vetë radhët e besimtarëve myslimanë shqiptarë që fundi i fundit nuk i lidh asgjë me Iranin.
E vetmja zgjidhje për konfliktin është ajo që mbështetet nga Arabia Saudite për dy shtete, zgjidhje që sjell paqe, zhvillim ekonomik dhe stabilitet në rajon. Në thelb është një zgjidhje dashurie për jetën. Ajo që propozon Irani nuk është gjë tjetër veçse një gjuhë urrejtje që sjell vetëm shkatërrim dhe dhunë në rajon dhe më gjerë. Irani vetë pretendon që armiqtë e tij janë “Satanai”, por realisht Irani vetë është “Satanai” per arabet e rajonit në rradhe të parë dhe më gjerë në botë me ata popuj që bien pre e radikalizmit të tij, përfshirë dhe Izraelin vetë, ku është Satanai Iran që mban në pushtet radikalët izraelite.


