
Kundërshtar i pandalshëm i Edi Ramës në pothuajse çdo çështje publike, Sali Berisha shfaqet këtë herë në një pozicion tjetër, në të njëjtën linjë me kryeministrin për investimin në ishullin e Sazanit. A lidhet kjo vërtet me investimin në Sazan apo me investitorin
I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha u shpreh hapur se nuk ka arsye të kundërshtojë investimin e paralajmëruar në Sazan, për të cilin Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump ka vizituar Shqipërinë dhe zonën e Vlores ku ka zhvilluar edhe një darkë me kryeministrin Edi Rama, ndërsa një ditë më pas është pritur edhe në Kryeministri.
Sipas Berishes, Sazani është tokë publike dhe historikisht ka qenë objekt përpjekjesh për zhvillim, madje edhe gjatë qeverisjes së tij.
Ai beri edhe një krahasim me Zvërnecin. “Zvërneci është investim kryekëput privat. Unë dhe ju, asnjëri nga ne s’ka parë një dokument që është tokë publike e dhënë. Atëherë si mund të jem unë kundër kur ka ujdi të plotë mes privatëve?! Janë të mirëpritur!” – u shpreh Berisha, duke bërë dallimin mes rasteve të ndryshme të investimeve në zonën e Vlorës.
Duke u ndalur te Sazani, ish-kryeministri theksoi se ishulli nuk ka pronar privat dhe se zhvillimi i tij ka qenë gjithmonë i ndërlikuar për shkak të kushteve natyrore dhe historike. Ai rikujtoi edhe përpjekjet e tij personale për ta vënë ishullin në shfrytëzim gjatë mandatit të tij.
“Vijmë te Sazani, është tokë publike, nuk ka pronar. Sazani ka një histori. Unë bisedova me Berlusconi-n. Në atë kohë zhvillimi i Sazanit ishte i komplikuar, edhe sot nuk është i thjeshtë, dy pëllëmbë plazh ka apo s’ka. Silvio u interesua shumë, bëri projektin, mirëpo erdhi kriza financiare e 2008-ës, atij i ranë aksionet dhe projekti mbeti.”
Në këtë kontekst, Berisha argumentoi se do të ishte hipokrizi politike të shfaqej sot kundër një projekti që dikur e kishte mbështetur vetë.
“Si mund ta kundërshtoj unë në një kohë kur unë vetë isha përpjekur që të jepej për zhvillim?! Personalisht nuk do ngrihesha në protestë teksa unë e kam dhënë atë një herë, tani nuk mund të hiqem si ai që nuk jam!” – theksoi ai.


