Tarl Raney ishte një i sapodiplomuar në fillim të viteve 2000 kur ai pa një reklamë në gazetë për një punë që dukej si një punë ëndërrash. “Dëshiron të fitosh para duke luajtur videolojëra?” thuhej në njoftim. “Po, sigurisht.”- mendoi ai. Raney punoi vazhdimisht në industrinë e video-lojërave për dy dekadat e ardhshme, duke u rritur në detyrë nga testues i sigurimit të cilësisë në prodhues kryesor. Puna e tij e ëndrrave, me sa dukej, ishte shndërruar në një karrierë ëndrrash.

Por vjeshtën e kaluar, ai u pushua nga puna së bashku me rreth 800 të tjerë nga kompania e njohur Epic Games, që prodhon “Fortnite”. Tre muaj më vonë ai u punësua në një studio të vogël të pavarur, vetëm për t’u pushuar përsëri nga puna në qershor. “Ishte një goditje e madhe të ndodhte për herë të dytë.”- tha 47-vjeçari, i cili jeton në zonën e Dallasit dhe është kthyer sërish në kërkim të një pune. “E dua këtë industri, por kam frikë se do të ndodhë përsëri.”

Si kinematografia, sportet dhe muzika, videolojërat prej kohësh kanë qenë një biznes konkurrues për të hyrë në të, sepse shumë njerëz duan të kthejnë pasionin e tyre të fëmijërisë në një karrierë. Por për ata që kanë pasur fatin të gjejnë vendin e tyre, ajo ka qenë e qëndrueshme, pasi rritja e qëndrueshme e industrisë ka siguruar punë nga një projekt në tjetrin.

Gjatë vitit të fundit, kjo qëndrueshmëri ka avulluar. Studiot po mbyllen, lojërat po anulohen dhe pothuajse çdo javë ka lajme për më shumë pushime nga puna. Mijëra si Raney po përpiqen të kuptojnë nëse mund të qëndrojnë me pasionin e tyre për videolojërat apo duhet të gjejnë një linjë të re pune. Kompanitë e industrisë së videolojërave kanë pushuar nga puna pak më shumë se 11 mijë e 500 punonjës deri më tani këtë vit, sipas një raporti të përpiluar nga Farhan Noor, një artist teknik në Kaliforni. Kjo shifër krahasohet me 10 mijë e 500 pushime në të gjithë vitin 2023 dhe 8 mijë e 500 në vitin 2022.

Reklamat për vazhdimin e lojës Call of Duty në Times Square në Nju Jork.

Ashtu si në sektorët e tjerë të teknologjisë, disa vende pune në videolojëra po shkurtohen sepse kompanitë e tepruan me punësimin gjatë pandemisë. Por industria e videolojërave përballet me sfida unike. Më shumë lojtarë po qëndrojnë me një lojë për periudha të gjata falë përditësimeve të shpeshta online, në vend që ta përfundojnë një dhe të kalojnë te tjetra. Kostot e prodhimit dhe marketingut po rriten për shkak të teknologjive të reja dhe konkurrencës së re për vëmendjen e audiencave. Të gjithë këta faktorë kanë nxitur konsolidimin e industrisë, duke çuar në më shumë pushime nga puna. “Nuk mbaj mend kaq shumë pushime nga puna në 24 vitet që kam mbuluar industrinë.“- tha analisti i Wedbush Securities, Michael Pachter.

Lamtumirë stabilitet

Disa nga kompanitë më të suksesshme në industrinë e videolojërave, si Take-Two Interactive Software (prodhues i Grand Theft Auto), Electronic Arts (prodhues i Madden NFL) dhe Ubisoft Entertainment (prodhues i Assassin’s Creed), kanë pushuar punonjës gjatë vitit të fundit. Shumë studio janë mbyllur tërësisht, përfshirë ato në pronësi të Microsoft-it dhe Sony-t, të cilat prodhojnë Xbox dhe PlayStation. Rënia e punësimit gjithashtu ka prekur kompani të lidhura me industrinë e videolojërave që janë popullore mes lojtarëve, si shërbimi i mesazheve Discord dhe platforma e transmetimit Amazon Twitch.

Në përgjithësi, pritet që shpenzimet globale të konsumatorëve për lojëra të rriten me 3.6% këtë vit, pas një rritjeje prej 1.8% në vitin 2023 dhe një tkurrjeje prej 6.3% në vitin 2022, sipas firmës analitike Aldora Intelligence. Industria pati një rritje të paprecedentë prej 23.4% në vitin 2020. “Fokusi i industrisë së lojërave është zhvendosur nga theksi mbi rritjen tek fitimi dhe efikasiteti.”- tha Joost van Dreunen, drejtor ekzekutiv i firmës analitike Aldora dhe profesor në Stern School of Business të Universitetit të Nju Jorkut.

Daniel Beahn

Daniel Beahn u pushua nga puna në Bethesda Softworks, që është në pronësi të Microsoftit, në janar të vitit 2023, pasi pasi ishte zhvendosur në Baltimore nga Austin, Teksas, një dekadë më parë për këtë punë që e lejoi atë të punonte në disa nga seritë e tij të preferuara si Fallout dhe Elder Scrolls. Gjatë kohës së tij atje, Beahn, 54 vjeç, u ngjit në hierarki nga menaxher operativ i biznesit në prodhues kryesor. Një moment kulmor, tha ai, ishte kur pa emrin e tij të vlerësohej në disa prej lojërave të kompanisë. Beahn u pushua bashkë me rreth 10 mijë punonjës të tjerë të Microsoft-it.

Herën e fundit që ai u pushua nga puna ishte në vitin 2003, kur një studio në pronësi të Electronic Arts, ku ai punonte, u mbyll. Ai gjeti një punë të re brenda pak javësh. Kësaj here, iu deshën gati 18 muaj për të gjetur pozicionin aktual, i pavarur me një kontratë tre-mujore për një studio të re të lojërave për celularë. Një njerk i dy djemve adoleshentë, Beahn tha se ka shpenzuar paketën e tij të shpërblimeve dhe kursimet ndërsa aplikon për qindra vende pune. Tani po përdor kursimet e tij të pensionit. “Më duhet të dal në pension më vonë ose të vdes më herët, asnjëra prej të cilave nuk është veçanërisht tërheqëse.”- tha ai.

“Më bëri të qaj”

Tregu i ashpër i punës është veçanërisht i dukshëm për rekrutuesit e industrisë së lojërave si Evan Bailey nga Newport Beach, Kaliforni, i cili u pushua nga puna nga Activision në janar, tre muaj pasi kompania u ble nga Microsoft dhe dy muaj para se ai të martohej. Bailey, 35 vjeç, tha se largimi nga puna ishte dëshpërues sepse ai ishte një fans i hershëm i serisë së lojërave Call of Duty dhe ndihmoi në formimin e ekipeve pas katër lojërave. Puna i dha një xhup të zi me zinxhir dhe me simbole që përfaqësonin secilën pjesë të Call of Duty, por tani e ka të vështirë ta veshë. Xhupi i kujton festat që kompania mbante për të festuar lançimin e lojërave, ku performonin artistë si reperi Flo Rida. “Askush nuk po punëson, kështu që askush nuk po merr rekrutues.”– tha Bailey. “Ka qenë kaq brutale.”

Liana Ruppert

Liana Ruppert bëri një tatuazh në krahun e majtë të një personazhi nga videoloja Destiny shumë përpara se t’i bashkohej studios që e krijon atë, Bungie, që tani është në pronësi të Sony-t, në 2021. Puna e saj si menaxhere e komunitetit online vetëm sa e bëri atë një fanse më të madhe të serisë së lojërave me armë, kështu që kur u pushua nga puna në tetorin e kaluar bashkë me rreth 100 të tjerë, ndjeu sikur një pjesë e identitetit të saj ishte vrarë.

Që atëherë, 37 vjeçarja nuk ka luajtur më me Destiny. Ajo po punon në projekte të përkohshme dhe fiton mjaftueshëm para për të paguar faturat, por nuk ka siguri pune, sigurime shëndetësore dhe përfitime të tjera. Një fanse e lojës Destiny së fundmi e njohu atë duke ecur nëpër qytetin e saj të lindjes në Seattle dhe i referohej asaj si Hippy, pseudonimi që ajo kishte kur punonte në Bungie. “Më bëri të qaj,” tha ajo.

Këtu mund të lexoni artikullin origjinal të Wall Street Journal

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10