
Ende pa u larguar tymi nga zjarret që përfshinë Malin e Tërbunit në Pukë, bashkia e këtij qyteti që pak ditë më parë evakuoi me urgjencë banorët e disa fshatrave, po u vë në tryezë këtyre të fundit një projekt për instalimin e turbinave eolike, pikërisht në zonat që u shkrumbuan nga flakët. Përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare, Bashkia Pukë njofton qytetarët e katër Njësive Administrative për konsultime publike, për dhënien në përdorim të fondit pyjor, me qëllim instalimin e turbinave eolike që do të prodhojnë energji elektrike përmes erës. Njoftimi për konsultime publike ishte bërë që më 31 korrik, por për shkak të zjarreve, bashkia lajmëroi për shtyrje të procesit.

Përpara se njoftimi të bëhej publik, banorët e Gojanit, Gjegjanit dhe fshatrave të tjerë hodhën akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore, pasi për tre ditë me radhë kërkuan ndërhyrje nga ajri me helikopter për izolimin e zjarreve, por nuk pati asnjë reagim nga Emergjencat Civile apo Ministria e Mbrojtjes.
Pas njoftimit për konsultim publik, banorët kanë thelluar dyshimet se zjarri mund të lidhet pikërisht me këtë investim, ndërsa dëgjesa publike me ta janë bërë edhe në muajin prill, ku parashikohej që projekti të gjente zbatim në një sipërfaqe pyjore prej 28.6 hektarësh, duke përfshirë zonat Tërbun, Livadh-Hamëz, Kuzhnen, Gojan-Shkozë dhe Gomsiqe.

Po ashtu, Bashkia Pukë njoftoi se vendosja e stacionieve dhe bazamenteve për instalimin e turbinave eolike po bëhet me qëllim prodhimin e energjisë elektrike dhe kjo vjen pasi në zonë janë ndërtuar një sërë hidrocentralesh që kanë mbledhur ujin e fshatrave, duke shkaktuar pothuajse thatësirë për komunitetin.
Kompania planifikoi dy parqe eolike në veri të Shqipërisë
Përpjekjet për të instaluar turbinat eolike në Pukë kanë vijuar që prej vitit 2023, ku kompania “Wind Stream” kishte projektuar vendosjen e tyre në Tërbun. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) tregojnë se parku eolik do të kishte kapacitet prodhimi prej 158.4 Më. Sipas regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit QKB, parku eolik do të ishte në pronësi të “Supernova Green Energy”. Por ky nuk ishte projekti i vetëm. Kompania me seli në Austri po punonte gjithashtu në projektin e parkut eolik të Sheldijes në Shkodër prej 50.4 MW.
Ky nuk është një rast i izoluar, pasi shtete fqinje, si Italia dhe Greqia kanë ndaluar ndërtimin e parqeve eolike në zonat që më parë janë përfshirë nga flakët, për të parandaluar kështu zjarrvënien e qëllimshme në pyje.


