
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është thirrur këtë të mërkurë në Prokurorinë Speciale. Ky informacion u bë fillimisht publik nga zëdhënësi i qeverisë së tij, Përparim Kryeziu, ndërsa ende nuk ka një reagim nga vetë Kurti. Në një postim në rrjetet sociale, Kryeziu ka publikuar thirrjen e Prokurorisë Sociale ku Kurtit i bëhet me dije se është thirrur të dëshmojë në datën 16 dhjetor në cilësinë e dëshmitarit, por nuk përmend se për cilën çështje.
Megjithatë po të vëresh me vëmendje shkresën, thirrja ka të bëjë me Nenin 414 të Kodit Penal, pra lidhet me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Po ashtu, prokurorët që kanë nënshkruar thirrjen e Kurtit për të dëshmuar, janë Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, të cilët janë prokurorë specialë nga Departamenti për hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar. Kjo sugjeron se kryeministri Kurti është thirrur për të dëshmuar për një rast korrupsioni.
Kështu e shikon dhe politologia Makbule Shkodra, e cila thotë se aktualisht po hetohen disa raste korrupsioni. “Vepra në të cilën është thirrur Kurti ndërlidhet me një lëndë të korrupsionit. E ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Janë disa raste korrupsioni që janë duke u hetuar kishim një bastisje në Ministrinë e Mjedisit, ka qenë një skandal me rezervat shtetërore dhe një skandal tjetër në lidhje me një pronë në Liqenin e Badocit. Janë disa raste që janë duke u hetuar nga prokuroria.”– ka deklaruar ajo në një lidhje me “Ditarin e Kosovës” në televizionin “A2 CNN”. E duket se rasti lidhet lidhet pikërisht me çështjen e Rezervave Shtetërore, pasi numri i lëndës që gjendet në shkresën e publikuar nga Kryeziu, përputhet pikërisht me atë çështje, që në gusht të vitit 2023 çoi në arrestimin e tre personave, dy prej të cilëve punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.


Në të majtë fletëthirrja drejtuar Kurtit për të dëshmuar, në të djathtë një fragment nga Neni 414 i Kodit Penal
Rasti i Rezervave Shtetërore
Kosova ka nisur të mbledhë rezerva shtetërore në vitin 2012, ndërsa ligji për to ekziston që prej 2010-ës. Rezervat përfshijnë prodhime themelore bujqësore si gruri dhe nënproduktet e tij, si dhe produkte të tjera bazike si ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta e me radhë të cilat ruhen për t’u përdorur në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast krizash kur këta artikuj mungojnë në treg. Apo iu dhurohen si ndihma shteteve të tjera mike në raste krizash të ngjashme.
Mëngjesin e 18 gushtit të vitit të kaluar, me urdhër të Prokurorisë Speciale u kryen disa arrestime dhe kontrolle për disa orë në zyrat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, pas publikimit të disa audio-regjistrimeve nga media Nacionale që sugjeronin keqpërdorim të rezervave shtetërore. Të arrestuar ishin biznesmeni dhe dy punonjësit e MINT-së, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara. Konkretisht ministria kishte porositur rezerva (si vaj, sheqer e grurë) duke paguar qindra mijëra euro, me kontrata të klasifikuara si sekret shtetëror, por një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur kurrë. Kryeministri Kurti i mohoi në atë kohë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Video e Kurtit duke mohuar akuzat:
Me përgjegjësi, për drejtësiTë dashur qytetarë, Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës. Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite. 97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin. Të dashur qytetarë, Qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs. Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj. Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar. Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare. Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe. Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës. Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё. Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit. Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t'i fshehin edhe shumё gjatё. Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit për përkrahjen. Natën e mirë, dhe, mirupafshim!
Posted by Albin Kurti on E premte, 18 gusht 2023
Zëdhënësi i Kurtit: Duan të ndikojnë zgjedhjet
Kur Kryeziu dha lajmin për thirrjen e Kurtit, ai shtoi se qëllimi që fshihet pas është ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025, duke kujtuar dhe rastin e vitit 2021 në të cilat një vendim i gjyqësorit e pengoi Kurtin të garonte. “Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor.”-shkruan Kryeziu. Ai i referohet zgjedhjeve paraprake të para 3 viteve kur Kurtit nuk iu lejua të kandidonte për deputet, pasi Gjykata Kushtetuese nxori vendim që kandidatët, të cilët kishin një dënim të formës së prerë në tre vitet e fundit, nuk mund të garojnë dhe Kurti e kishte një dënim të tillë, për shkak të trazirave që ndodhën në Kuvendin e Kosovës kur ai ishte në opozitë.

Përparim Kryeziu
Kryeziu shton se ndonëse ftesa e Prokurorisë mban datën 10 dhjetor 2024, ka ardhur në Kryeministri ditën tjetër, kur Kurti ndodhej në një mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, për të përmbyllur listën e kandidatëve për deptuetë. Këto deklarata të zëdhënësit të qeverisë, poliitologia Makbule Shkodra i shikon të tepërta: “Për mua është e habitshme. Unë nuk besoj në gjëra të tilla. Institucionet kryejnë detyrën e vet. Drejtësia është shtyllë e pavarur. Por qeveria Kurti ka bërë vërejtje në drejtim të prokurorisë e gjykatës. Edhe sot ata nuk do të duhet të komentonin asgjë. Ai është ftuar në cilësinë e dëshmitarit pse ky reagim i panevojshëm. Zëdhënësi të njoftonte që është ftuar vetëm për këtë dhe asgjë tjetër”.
Gjoba dhe burg nëse Kurti nuk dëshmon
Albin Kurti do duhet të dëshmojë në Prokurorinë Speciale në datën 16 dhjetor. Në thirrjen e Prokurorisë Speciale, ai paralajmërohet se nëse refuzon të dëshmojë, mund të dënohet me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse paraqitet, por refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, mund të dënohet përsëri me gjobë deri në 250 euro. Dhe nëse refuzon përsëri edhe pas kësaj gjobe, atëherë mund të burgoset. “Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj.”– thuhet në udhëzimet e prokurorisë. Nuk dihet ende se si Kurti do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje pasi ende nuk ka bërë një reagim zyrtar për këtë.


