Ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç zbuloi të dielën se për cilën skuadër bënte tifozllëk dhe deklarata nuk u prit mirë nga shqiptarët, sidomos nga shqiptarët e Kosovës.

Kjo sepse mes Anglisë dhe Serbisë, Abazoviç tha se mbështeste këtë të fundit.

“Do të jem në stadiumin e Gelsenkirchen, duke brohoritur për Serbinë kundër Anglisë. Shpresoj se është koha për befasinë e parë të madhe, edhe një barazim dhe do të ishte rezultat i mrekullueshëm, por pse të mos besoni se Anglia mund të rrëzohet.”- tha Abazoviç në një prononcim për RTS, me gazetarët Dushan Albjaniç dhe Predrag Strajiniç (kliko këtu për intervistën).

Moment nga intervista e Abazoviçit

Ish-kryeministri i Malit të Zi jo vetëm nuk hezitoi të shprehte preferencën e vet, por vijoi më tej duke thënë se lojtarët serbë janë lojtarë të mrekullueshëm.

“Nesër është testi më i madh, nëse shkon mirë, mendoj se do të jetë një ecuri e madhe. Serbia ka individë të mrekullueshëm, mendoj se më në fund do të tregojnë se janë një ekip i madh.”– vijoi ai të thotë.

Pas kësaj deklarate titujt në mediat shqiptare ishin të tilla “Habit Abazoviç…”, “Befason Abazoviç…”, duke mos e gjykuar si normale preferencën e politikanit shqiptar për shkak të situatës konfliktuale Serbi-Kosovë.

Disa tituj lajmesh:

Në rrjet menjëherë pas publikimit të këtyre shkrimeve nisi sulmi ndaj politikanit. Shumë komentues e “kryqëzuan” Abazoviç duke e quajtur “shërbyes serbo-rus”, “qen serbi”, “faqezi” e shumë fjalë të tjera ofenduese si më poshtë.

Disa prej komenteve në rrjet:

Reagime nuk pati vetëm nga qytetarët e thjeshtë, por edhe nga politika.

Deputeti i Grupit Parlamentar të VV-së, Burim Meta pas përfundimit të ndeshjes me fitoren e anglezëve, e ironizoi Abazoviçin duke e ngushëlluar për humbjen.

“Ngushëllime për humbjen e Serbisë, gospodine Abazovič!

Uroj të mos fitoj kurr më as ti e as Serbia!”– shkroi ai në rrjete sociale.

Sqarimi i Abazoviçit

Pas gjithë këtij vrulli në rrjetet sociale, këtë të hënë Abazoviç u detyrua të shpjegonte preferencën e tij. Ai tha se deklarata e tij për televizionin shtetëror serb se “është tifoz i Serbisë” është keqkuptuar dhe nxjerrë nga konteksti pasi ai së pari bënte tifozllëk për Shqipërinë. Më pas vinin ekipet e tjera të rajonit.

“Është dashur të më prezantoni si tifoz i Shqipërisë pasi unë kam ardhur në Gjermani për të përcjell Shqipërinë, dhe pastaj e kam shfrytëzu që të jem në ndeshjen e Anglisë kundër Serbisë. Qëllimi i asaj deklarate për televizionin e Serbisë unë kam thënë se kam ardhur për të mbështetur Shqipërinë në Evropian, por gjithashtu kam thënë se në ndeshjen kundër Anglisë, do t’i japë mbështetje më shumë ekipit të Serbisë.”- ka sqaruar Abazoviç pas sulmeve që mori.

Të përqendruar më shumë në origjinën e tij shqiptare dhe konfliktin e Serbisë për Kosovën, shumë pak e panë me vend të analizonin se pse Abazoviç do bënte këtë zgjedhje mes dy skuadrave të futbollit.

Si fillim, kjo është një zgjedhje personale në sport, jo në politikë. Por për një figurë aq të rëndësishme sa Abazoviç, çdo fjalë e tij deshi nuk deshi ai do të lidhet me politikën dhe analizohet politikisht.

Megjithatë mjafton të kesh parasysh se si një vend multietnik, Mali i Zi përbëhet nga malazezë (43 %), serbë (32 %), boshnjakë (7,8 %) dhe shqiptarë (5 %) (kliko këtu). Pra përqindja e votuesve serbë është e konsiderueshme në Mal të Zi dhe mendimi i tyre mund të jetë i rëndësishëm për politikanin. A është kjo lëvizje e Abazoviçit e kalkuluar për të fituar pikë para votuesve serbë në Mal të Zi?

Leave a Reply

  • (not be published)