Koalicioni qeverisës trepartiak i Gjermanisë është krisur mbrëmjen e kësaj të mërkure, pasi kancelari Olaf Scholz njoftoi se do të shkarkonte ministrin e tij të Financave, Christian Lindnerin, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme rreth reformave ekonomike. Bisedimet mbi krizën në koalicionin e Partisë Socialdemokrate të Scholz-it, të Gjelbërve dhe Partisë Demokratike të Lirë të Lindnerit kishin arritur kulmin, pasi ky i fundit publikoi një dokument me kërkesa për reforma ekonomike liberale që ishin të vështira për t’u pranuar nga dy partitë e tjera.

Politico.eu shkruan se gjatë një takimi dramatik mes liderëve të tre partive të mërkurën në mbrëmje, Lindneri i tha Scholzit se nuk shihte asnjë mënyrë për të vazhduar koalicionin dhe i kërkoi atij që të hapte rrugën për zgjedhje të parakohshme. Kjo rezultoi në njoftimin e Scholz-it se do ta shkarkonte. Megjithëse Scholz potencialisht mund të kërkojë të vazhdojë të qeverisë me një qeveri të pakicës, por ai nuk ka shumicë për të miratuar buxhetin, duke rritur gjasat për një votë mosbesimi dhe zgjedhje të parakohshme – që potencialisht mund të mbahen në fillim të Marsit.

Çfarë tha Scholzi

Kancelari Scholz mbajti një konferencë shtypi lidhur me këtë vendim këtë të mërkurë duke shpjeguar situatën e krizës qeveritare lidhur me buxhetin dhe ekonominë dhe mosmarrëveshjet brenda koalicionit.  Ai tha se “shumë shpesh Lindneri bllokonte propozimet legjislative” dhe ishte “mendjevogël“, siç citon gazeta gjermane Bild. Me ton të qetë ai e akuzoi kreun e FDP-së se po rrezikon demokracinë, po e dëmton vendin dhe se nuk ka respekt për punëtorët.

Çfarë ndodh më pas? Qeveria federale tani ka për detyrë të veprojë, shpjegoi Scholz. “Ministri Federal Lindner shkarkohet nga Presidenti Federal. Jam dakord me zëvendëskancelarin Robert Habeck: Gjermania ka nevojë për qartësi të shpejtë për kursin e saj të ardhshëm politik”. Menjëherë më pas, Robert Habeck (kreu i Partisë së Gjelbër) tha se shkarkimi i Ministrit të Financave ishte sa logjik aq edhe i panevojshëm. “Tani do të hapim shpejt rrugën drejt zgjedhjeve të reja të rregullta”, tha Habeck duke përmendur pranverën si datë të mundshme. Menjëherë më pas, Lindner bëri një deklaratë duke akuzuar kancelarin për një prishje të paramenduar të koalicionit.

Christian Lindner dhe Olaf Scholz

Si reagoi Lindneri

Christian Lindner (FDP) ka mbrojtur propozimet e partisë së tij për një kthesë ekonomike pas shkarkimit të tij si ministër i Financave dhe akuzave të ashpra nga kancelari Olaf Scholz (SPD). Ai thotë se propozimet e tij nuk ishin pranuar as si bazë për konsultim. “Kundërpropozimet e tij janë të shurdhëta, joambicioze dhe nuk kontribuojnë në tejkalimin e dobësisë themelore të rritjes në vendin tonë.”– tha Lindner sipas medias gjermane ZDF. Sipas tij, Scholz ka treguar se nuk ka forcë për t’i mundësuar vendit të nisë një fillim të ri.

“Deklarata e tij e përgatitur pikërisht këtë mbrëmje dëshmon se Olaf Scholzi nuk ishte më i shqetësuar për një marrëveshje të qëndrueshme për të gjithë, por për një krisje të përllogaritur të këtij koalicioni.”– tha Lindneri.

Christian Lindner, Olaf Scholz dhe Robert Habeck

Scholz kërkon votëbesimin

Media gjermane ZDF thotë se më 15 janar, Scholzi dëshiron të kërkojë një votëbesim në Bundestag – me pritshmëritë se parlamenti nuk do t’i shprehë besimin e tij, pra se ai nuk do të marrë shumicën. Në këtë rast, kancelari mund t’i kërkojë Presidentit Federal të shpërndajë Bundestagun. Scholzi tha se Bundestagu mund të hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme. Këto mund të ndodhin deri në fund të marsit.

LËR NJË KOMENT

Ilse Aigner lindi më 7 dhjetor 1964 në Feldkirchen-Westerham. Në vitin 1981, përfundoi arsimin e mesëm të ulët (Mittlere Reife) në shkollën Wilhelm-Leibl-Realschule në Bad Aibling. Pas përfundimit të formimit...
/ Nov 9
Nga Isa Myzyraj Sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u tregua qartë se përtej vullnetit politik në Tiranë e Bruksel rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e vështirë....
/ Nov 10
Tashmë që nuk ka më diskutim që të gjithë po e përdorim Inteligjencën Artificiale, pyetja që lind është: a dimë realisht ta përdorim dhe si po e bëjmë? Inxhinieri i...
/ Oct 28
“Ka ardhur koha për luftë civile, të marrim gjithë armatimet e rënda kundër kësaj policie, granata gjithçka kemi, o burra.”Kjo deklaratë është transmetuar në një ekran televiziv shqiptar. Nuk është...
/ Nov 10