

Lojërat Olimpike në Paris deri më tani kanë qenë në vëmendje, të paktën të publikut shqiptar, për performancën kontroverse, por ajo që po shfaqet shumë interesante është arritja e Federatës së Xhudos, sportistët e së cilës nuk kanë rrëmbyer vetëm një medalje, por dy.
Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë dhe Laura Fazliu medaljen e bronztë. Dy shqiptaret e Kosovës kanë nderuar punën e Federatës së Xhudos me disa arritje gjatë profesionit të tyre, gjë që tregon dhe punën sistematike të dy sportisteve.
Distria Krasniqi është duke dominuar dukshëm në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu për të parën herë ka marrë vendin e parë në renditjen botërore në 63 kilogramë. Tashmë ajo mban dhe titullin nën-kampione e Evropës.

Laura e nisi garën duke u përballur me kinezen Jing Tang, të cilën e mposhti pasi ajo mori tre shidove, teknikë kjo e sportit të xhudos.
Në çerekfinale Laura humbi ndaj xhudistes Clarisse Agbegnenou, por ajo ia doli të fitonte përballë Catherine Beauchemin-Pinard të cilën e mposhti pas tri gabimeve. Më pas përballja me Katarina Kristo në duelin final, të cilën arriti ta mposhtë, i dha Fazliut fitoren për medaljen e bronztë.

Ndërsa Distria Krasniqi në finale u mposht nga sportistja nga Uzbekistani, Diyora Keldiyorova, në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke zënë kështu vendin e dytë.
Ajo e nisi me fitore që në ndeshjen e parë, ku mposhti indonezianen Maryam Maharanin, në çerekfinale mposhti izraeliten Gefen Primo, ndërsa në gjysmëfinale mundi italianen Odette Giuffrida.
Po pse sportistet e xhudos na japin këto prova suksesi? Çfarë bën mirë federata dhe qeveria e Kosovës? Duket qartazi që përtej punës, disiplinës, motivimit ka edhe një motivim financiar.
Në bazë të rregullores për shpërblimet shtetërore, Laura Fazliu si fituese e medaljes së bronztë në “Paris 2024”, do të shpërblehet me 40 mijë euro. Ndërsa si fituese e medaljes së argjendtë Distria Krasniqi do të shpërblehet me 60 mijë euro.
Medalja e artë shpërblehet me një shumë prej 100 mijë eurosh, ndërsa medalja e argjendtë 60 mijë euro, si dhe e bronzta 40 mijë euro.

Laura Fazliu
Puna e gjatë dhe sakrificat e profesionit që e detyruan Laura Fazliun të jetonte 4 vite larg familjes së saj, më në fund u shpërblyen.
Në vitin 2022 Laura fitoi Masterin Botëror të IJF-së në Budapest si dhe mori medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian.
Ajo mori medalje të bronztë në Kampionatin Evropian dhe Botëror të Juniorëve. Laura fitoi titullin evropian U23 në Sarajevë si dhe fitoi medalje të ndryshme në në Izrael, Kazakistan dhe Gjeorgji.

Distria Krasniqi
Ashtu sikurse Fazliu, dhe Distria Krasniqi ka shënuar suksese për Kosovën. Ajo fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të vitit 2020 në Tokio dhe u bë gjithashtu kampione evropiane e viteve 2021, 2024. Distria ka marrë një sërë medaljesh të ndryshme si në Kampionatin Evropian, ashtu dhe në atë Botëror.
Ajo ishte kampione e botës për të rinj U52 kg si dhe fitoi katër herë Masters Botërore. Distria mori medalje të arta në Portugali, Gjeorgji dhe së fundmi në Azerbajxhan.

Në fakt, sportistja e parë nga Kosova që ka fituar një medalje të artë olimpike është Majlinda Kelmendi në vitin 2016, në lojërat e zhvilluara në Rio de Zhaneiro. Dhe pas suksesit historik të Kelmendit, Kosova vijoi të shënonte më shumë fitore, duke marrë dy medalje të tjera të arta në lojërat e vitit 2020 në Tokio ku dhe këto të dyja ishin për xhudo, si dhe një medalje tjetër në sportin e boksit. Ndërsa së fundmi me fitoren e Laura Fazliut dhe Distria Krasniqit, Kosova shënon medaljen e pestë të bronztë olimpike, një tjetër dëshmi e talenteve që ky vend ka në xhudo.



