Në Shqipëri bie zjarr dhe njerëzit mbeten në qiell të hapur, përmbyten shtëpi dhe na shkatërohet gjithçka para syve, tërmeti rrënon banesa e biznese dhe ende presim nga shteti. Megjithatë siguracionet në Shqipëri sipas kreut të kompanisë më të madhe në vend, “Sigal”, Avni Ponarit janë ende në nivele të ulëta.  I ftuar në podkastin e Gogo.al, me gazetaren Valmora Gogo, Ponari, ka folur mbi praktikat e sigurimeve në Shqipëri, duke prekur jo vetëm aspektin teknik të industrisë, por edhe vështirësi më të thella që lidhen me mënyrën si funksionon shteti dhe si mendojnë qytetarët. Gjatë bisedës, ai u ndal te rëndësia e sigurimit si një mekanizëm mbrojtës financiar, sfidat e zbatimit të tij, si dhe nevoja për një ndryshim të mentalitetit në raport me rrezikun dhe përgjegjësinë.

Një nga çështjet kryesore që ai ngriti lidhet me mënyrën se si shqiptarët e perceptojnë sigurimin, duke e lidhur këtë me mungesën e kulturës së tyre, ndryshe nga sa ndodh në botë. Sipas Ponarit, në Shqipëri shpesh dominon ideja se sigurimi është i panevojshëm deri në momentin që ndodh problemi. “Ne shqiptarët kemi një mentalitet pak ‘leja Zotit në dorë’. Në momentin që ia lë gjithçka fatit, atëherë është sikur e ke hequr përgjegjësinë nga vetja”, tha ai. Ponari theksoi se sigurimi shpesh shihet si diçka simbolike, jo si mekanizëm real mbrojtjeje.

“Disa e shohin sigurimin si hajmeli, sikur të mbron vetvetiu, por nuk e kuptojnë që është një sistem i organizuar menaxhimi rreziku.” Në këtë kontekst, ai solli edhe një shembull praktik që tregon mungesën e ndërgjegjësimit për kujdesin shëndetësor dhe parandalimin. “Ka njerëz që nuk kanë shkuar kurrë te mjeku dhe e quajnë veten të lumtur. Por në fakt mungesa e kontrollit është ajo që shpesh sjell pasojat më të rënda”, shprehet kreu i “Sigal”.

Po sikur banorëve që iu dogj pallati në Tiranë të ishin të siguruar?

Djegia e pallatit të ri të Farmacia 10 nxori sërish në pah debatin për sigurimet e shtëpive. “Njerëzit mendojnë se kostoja për sigurimin e një shtëpie është shumë e lartë”, tha Ponari duke sqaruar se vlera që paguhet është 1 euro, për metër katror. “Një shtëpi me 100 m katror, kushton 100 euro në vit, me gjithë orendi rreth 40 euro në muaj”.

Ai tregon përvojën me dy apartamente në atë pallat ku të zotët e shtëpive kishin të paktën 1 vit e gjysmë të siguruar, edhe pse të detyruar nga banka. Në rastin konkret ka ndërhyrë shteti dhe pallatin do e ndërtojë ai që e ka patur, por sipas Ponarit marrëveshja kthehet në gjendjen e mëparshme dhe vazhdon sigurimi nëse klienti zgjedh të vijojë kredinë. Në të kundërt ai sqaron se: “Nëse klienti heq dorë nga kredia, ne i themi hajde merri lekët”. Sa i përket likuidimit me vlerën, Ponari thotë se klienti i merr menjëherë paratë dhe procedura mund të zgjasë jo më shumë se 2 javë. “Nëse paguan 50 euro, ti ke të garantuar deri në 30000 euro, nëse paguan 100, ti ke të garantuar deri në 50000 euro. Të gjithë apartamentet e Tiranës që nuk kanë sipërfaqe shumë të madhe sigurohen me 5 euro ose 10 euro”, thotë ai.

Sigurimi i veprave publike

Duke kaluar nga niveli individual te ai institucional gjatë bisedës në Gogo.al, kreu i Sigal Insurance Group u fokusua te një problem më strukturor, mungesa e sigurimit të veprave publike në Shqipëri, përfshirë rrugët, institucionet dhe projektet infrastrukturore. Sipas tij, kjo është një praktikë që bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe krijon një barrë të panevojshme për buxhetin e shtetit.

“Nuk ka vend në botë që rrugët, urat apo veprat e mëdha publike të mos jenë të siguruara. Sigurimi nuk është luks, është domosdoshmëri financiare”, shprehet ai duke shpjeguar mënyrën se si funksionon në vendet e zhvilluara, theksoi se sigurimi mbulon jo vetëm ndërtimin, por edhe dëmtimet e mundshme gjatë dhe pas përfundimit të projekteve. “Çdo projekt i madh duhet të ketë sigurimin Construction All Risk. Kjo do të thotë që çdo dëmtim gjatë ndërtimit nuk e paguan shteti, por kompania e sigurimit”, sqaron Ponari.

Ai shtoi gjithashtu një argument ekonomik të drejtpërdrejtë: “Nëse një rrugë dëmtohet nga përmbytja apo rrëshqitja e dheut, në vend që ta paguajë taksapaguesi, e paguan kompania e sigurimeve dhe rruga riparohet menjëherë”. Mungesa e këtij sistemi, sipas Ponarit e bën shtetin më pak efikas dhe më të ekspozuar ndaj kostove të paplanifikuara.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14