
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik që prodhoi protesta që nisi në fund të muajit maj të këtij viti, ku qytetarët dolën masivisht në sheshe, për të rrëzuar qeverinë. Të pakënaqur nga mënyra e qeverisjes, nga mungesa e llogaridhënies dhe transparencës për vendimet që ekzekutivi merr, qytetarët brohoritën poshtë zyrës së kryeministrit Rama “poshtë diktatura”. Vendimet merren në emër të popullit, në favor të një individi a një grupi individësh, ndërsa qytetari që paguan kostot, mbetet spektator përballë skandaleve të përditshme që kanë jo rrallë efekte negative të drejtpërdrejta.

“Revolucioni Flamingo” nisi si hakërrim ndaj një grupi njerëzish me uniforma të zeza që vendosën gardhet e zaptimit në pronën e qytetarëve, duke marrë zvarrë e dhunuar individin që po i cenohej e drejta, prona, trashëgimia. Investitori i huaj dhe zhvilluesi shqiptar kishin ndërmjetës qeverinë që rreket të vendosë mbi gjithçka, pa konsultë paraprake, duke shembur kështu publiken. Për rrjedhojë, shqiptarët që në vitet ‘90 kërkonin “Shqipërinë si gjithë Europa”, sot kërkojnë “Shqipërinë e re”, shqiptarët që dje kërkonin rrëzimin e sistemit që ngriti Enver Hoxha, sot kërkojnë rrëzimin e Edi Ramës, i cili i cilëson protestuesit sorra e korba, duke krijuar kështu përballjen diferencuese, deri në përbuzje “ne” dhe “ata”.
Përveç pronës, shqiptarëve tashmë po iu rrëmbehen edhe shërbimet. 15 bashki u shkrinë në emër të një reforme, konsultimet publike nisën pas protestave të qytetarëve, ndërsa dosjet nga komisionet e dëgjesave ishin të mangëta. Qytetarët të papërfillur dhe të përdorur si numëratorë elektoralë thënë se “këtë të keqe nuk na i ka bërë as Enver Hoxha”. Frika e tyre më e madhe është largimi i shërbimeve, centralizimi i zhvillimit vetëm në qendrat urbane, duke zhbërë kështu jetesën në qytetet më të vogla apo në fshatra.

Pikërisht Reforma Administrativo-Territoriale vuri përballë përgjegjësisë të votëbesuarit e qytetarëve, fillimisht ata lokalë, mandej deputetët e Kuvendit. Kryetarët e 14 bashkive që u shkrinë, të majtë e të djathtë kundërshtuan draft-propozimin e mazhorancës socialiste, ndërsa Gëzim Topçiu i Maliqit me 26 vite në krye të institucionit heshti. Kështu, Rama mblodhi në Kuç të Vlorës kryetarët e bashkive të drejtuara nga socialistët, ku i pamësuar me mendimin kundër debatoi e nxori jashtë disa prej tyre, ndërsa përpjekjet për t’i vënë sërish në rresht vijuan.
Pas kryebashkiakëve, radhën e përballjes e patën deputetët, ku gjatë protestave qytetarët iu bënë thirrje të zgjedhurve të tyre të mbojnë interesat e komuniteteve. Kështu, deputetët Vullnet Sinaj, Erion Braçe dhe Elisa Spiropali u zotuan se do të ngrinin kartonët kundër Territoriales, ndërsa Rama thirri mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Rama vendosi ultimatum: Ose të votonin të gjithë pro reformës, ose në të kundërt mendimi ndryshe të ikte vet. Vullnet Sinaj u tërhoq menjëherë, deklaroi se do t’i qëndronte unitetit të partisë, ndërsa Erion Braçe tha se e akuzuan për protagonizëm individual dhe e konsideroi si ditën më të vështirë të karrierës së tij politike. Kështu, Braçe ndërroi fjalën, votoi pro reformës, duke iu druajtur përjashtimit të Ramës. Edhe Spiropali nuk ishte gati të largohej, ndonëse marrëdhëniet me Ramën i ka të tendosura prej disa muajsh.

Pas akuzave ndaj tij, erdhi edhe një reagim i gjatë nga Erion Braçe, i cili nuk e shmangu përballjen me Edi Ramën, për të cilin tha se është i dashuruar me pushtetin, duke shmangur përgjegjësinë. Sipas Braçes ka ardhur koha që Rama të marrë e mbajë përgjegjësi.
“Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time ose siç thonë disa rreth tij se çfarë më pret mua. Por unë mendoj që e ka të vështirë të lëshojë pushtet. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë e autoritetin që ai jep; e ka përdorur për mirë shpesh duke bërë mirë e sjellë ndryshime të mëdha në këtë vend; e ka deleguar po për mirë, siç e ka shpërdoruar në mënyrë të përsëritur në ministra e drejtorë të padenjë; ka bërë gabime-të rënda disa, që duhet t’i pranojë nominalisht si të tijat, jo thjesht si të të gjithë atyre që nuk paskan qenë të denjë përkrah tij, në rrugën e tij. Të marrë e mbajë përgjegjësi.”

Gazetarja Sonila Meço e cilësoi deklaratën e Braçes si dëshmi të keqpërdorimit të pushtetit nga Rama, të cilin e cilëson autokrat arrogant, Duke kërkuar që fjala e Braçes t’i dërgohet figurave ndërkombëtare, si Marta Kos, Ursula VonDer Leyen apo edhe ambasadorëve, gazetarja Meço tha se deputeti e shpërbelu shantazhin e Ramës me një votë, për një vend pune.
“Rama ka ndërtuar këtë model pushteti, por Braçe na shpjegoi mekanizmin që e mban në funksionim, njerëzit që megjithëse e dinë, kuptojnë dhe artikulojnë me saktësi deformimin i sigurojnë votat autokratit arrogant. Kjo do të mbetet në histori, përshkrimi me saktësi tronditëse i mekanizmit antidemokratik të vendimmarrjes dhe mandej pjesëmarrja për të mbetur pjesë e tij. E atij mekanizmi që mbahet fort, përpos çdo monstruoziteti edhe nga ata që e denoncojnë shantazhin e kërcënimin si formë ekzistence, por njëkohshëm e shpërblejnë duke iu bindur…për një vend pune”, shkruan Meço.
Prej muajsh në protestë dhe një zë i fortë kundër Territoriales, aktorja Egla Ceno ka provokuar përmes një fotografie, ku mbi shpatin e Malit Shpirag që dikur është punuar emri Enver Hoxha, sot përmes përdorimit të “AI” ka vendosur emrin Edi Rama, duke shkruar: Na rrofsh sa malet Edi Rama! Në postimin e saj, kanë vërshuar kometet e qytetarëve, të cilët po ashtu e paralelizojnë Ramën me Enver Hoxhën, madje ka nga ata që e quajnë “Edver”.



