
Kryeministri Edi Rama kohët e fundit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë opozitës shqiptare, duke shprehur vazhdimisht kritika dhe duke i sulmuar me epitete. Por fjala nuk është për opozitën e Partisë Demokratike apo të Partisë së Lirisë, ai është fokusuar veçanërisht tek e ashtuquajtura opozita e re, me Arlind Qorin në krye të Lëvizjes Bashkë dhe Endrit Shabanin e Nismës Thurje. Por pse kjo vëmendje e veçantë ndaj tyre? A është kjo një përpjekje e Ramës për të krijuar perceptimin se po përballet me një opozitë të re, apo i shikon ata si rrezik? Këto janë disa nga pyetjet që kërkojnë përgjigje në kontekstin aktual politik.
Sulmet ndaj figurave të reja të opozitës
Nga një takim me pensionistët në Korçë, Rama e ka etiketuar Qorin si një “Sude me gjyslykë” dhe e ka sulmuar atë për nxjerrjen e pensionistëve në protesta. “Është një Sude me gjyslykë që sjell ca pensionistë për të bërë protestë atje. Dhe vërtet unë jam shumë i keqardhur për ata pensionistë, jo se ata kërkojnë pension më të lartë se ata janë në të drejtën e Zotit, por se dalin të nxitur nga Sudja dhe i besojnë asaj Sudeje. Vetëm për këtë jam shumë i keqardhur. Një Sude me një maskë me gjyslykë.”– tha kryeministri Edi Rama, duke e konsideruar Qorin si një figurë manipulatore që përdor pensionistët për qëllime politike.
Po ashtu Rama i kushtoi një emision të tërë çështjes së pensioneve të enjten mbrëma, madje dhe duke dhënë leksione e duke marrë rolin e një profesori në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu (lexo këtu). Në këtë intervistë, kryeministri sulmon opozitën e re për premtimet e tyre të pabazuara sipas tij për rritjen e pensioneve dhe duke i etiketuar ata si “maskat e Sudes”. Kjo strategji e Ramës në pamje të parë duket se ka për qëllim të minojë besueshmërinë e këtyre liderëve të rinj dhe të tregojë se ata janë vetëm një vazhdim i modelit të vjetër të politikës që ai kritikon. Por nga ana tjetër duke i përmendur, duke i etiketuar dhe sulmuar ata, iu jep rëndësi figurave të tyre, pasi i bën pjesë të diskursit të tij politik, me përgjigje dhe kundërpërgjigje dhe betejën e tij politike nuk e zhvillon më me të ashtuquajturën “opozitën e vjetër”, krerët e së cilës janë në arrest shtëpie dhe në burg.

Përgjigjet e Qorit dhe Shabanit
Reagimi i Qorit nuk vonoi. Ai theksoi se Rama është i fiksuar me të dhe se sulmet e tij janë një shenjë e frikës që ka ndaj ndikimit të tij në mesin e pensionistëve. “I gjori! Kujton se do të zgjidhet prapë kryeministër” tha Qori, duke sugjeruar se Rama po reagon ndaj një rritjeje të mundshme të popullaritetit të Lëvizjes Bashkë. “Dy herë është detyruar Edi Rama të më përmendë publikisht. Në të dyja rastet pa edukatën e të drejtuarit në emër, por i fiksuar në mënyrë perverse me aftësinë time për të shikuar. Gjatë protestave studentore të dhjetorit 2018 më drejtohej ‘Është një qorr…’, duke zgjuar indinjatën e një studenti të verbër që kishte përballë. Kurse sot më ka quajtur ‘Sude me gjyslyke’. I digjte atëherë përfshirja ime mes studentëve, i përcëllon sot ndikimi im dhe i Lëvizjes BASHKË te pensionistët.”– shkruan Qori.
Endrit Shabani gjithashtu ka reaguar ndaj Ramës për komentet e tij se opozitarët e rinj janë si “shalqinj pa provë”. Shabani thekson se, ndonëse ata mund të jenë të rinj dhe pa eksperiencë në politikë, Rama është provuar në dështime dhe ka kontribuar në rritjen e kostos së jetesës. “Tani ne mund edhe të jemi të paprovuar, por ti Edi je i provuar në korrupsion. Dhe nuk po flas për provat që SPAK-u mund të ketë mbledhur për ty, sepse ato janë sekret hetimor dhe unë nuk kam nga t’i di. Flas për atë që kemi provuar mbi kurriz si popull. Aq sa, që kur ti erdhe në krye të qeverisë, qindra mijëra të rinj janë larguar nga ky vend.”– shprehet Shabani duke shtuar me ironi se të rinjtë janë pa eksperiencë në dhënie tenderash publikë, në vjedhjen e buxhetit të shtetit, apo në privatizimin e pasurisë së shqiptarëve dhe se nuk dinë nga këto gjëra. Po ashtu shprehet se “këto shalqinjtë e rinj mund të jenë vërtetë pa provë. Por iu ka ardhur stina…”
Posted by Dr. Endrit Shabani on E premte, 1 nëntor 2024
A po përpiqet Rama të krijojë perceptimin se po përballet me një opozitë të re?
Një shqetësim i Bashkimit Europian lidhur me opozitën vlen të përmendet këtu. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato ka reaguar me shqetësim lidhur me mungesën e opozitës në Parlament. “Mungesa e opozitës është vërtet problem. Dhe kjo është diçka që e kam diskutuar disa herë, edhe me disa përfaqësues të opozitës, duke u bërë thirrje që të angazhohen dhe të jenë pjesë e diskutimit, sepse duhet t’i kemi. I kam thënë edhe qeverisë se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente.”– është shprehur Gonzato pas hapjes së grup-kapitullit të parë të negociatave me BE-në. Ai ka theksuar se procesi i anëtarësimit nuk është një proces teknokratik që negociohet nga ekspertët në Bruksel, por një ndryshim shoqëror dhe që kërkon realisht reforma thelbësore dhe është e domosdoshme sipas tij që të gjitha pikëpamjet të diskutohen në tryezë. Me opozitën e vjetër, ka patur shpeshherë bojkotim jo vetëm të seancave plenare por edhe të zgjedhjeve, kujtojmë këtu zgjedhjet e vitit 2019 të cilat u mbajtën pa partitë kryesore opozitare në vend. Një vendim që e futi opozitën në një krizë të thellë më pas. Prej vitesh Rama po shkon në zgjedhje pa një opozitë reale, por tani që jemi në vitet e punës më intensive për integrimin në BE, ky realitet nuk mund të nënvlerësohet as nga faktori ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, duket se Rama po përpiqet të krijojë një opozitë të re me figura si Qori dhe Shabani në drejtim, duke i shfrytëzuar ata si një mjet për të treguar se ka një rivalitet politik. Megjithatë, ky rivalitet është i ndërlikuar nga situata aktuale në politikën shqiptare, ku liderët tradicionalë të opozitës, si Ilir Meta dhe Sali Berisha, janë të arrestuar ose në probleme të tjera ligjore. Kjo i jep Ramës mundësinë të theksojë se edhe opozita e re nuk është e fortë mjaftueshëm për të përballuar sfidat që Shqipëria ka përpara.
A është opozita e re një rrezik për Ramën?
Por mund të jetë dhe një tjetër arsye, që Rama mbase i shikon ata vërtet si një rrezik për të. Çështja e pensioneve ka qenë përherë një problem për shqiptarët por në 12 vite nuk iu dha rëndësi e papritmas bëhet pjesë e axhendës kryesore të pozitës dhe opozitës. Pensionistët janë grupi kryesor i votuesve që Qori, Shabani apo edhe Adriatik Lapaj po tentojnë ta targetojnë dhe që në fakt përbëjnë bazën e votuesve të Partisë Socialiste. Çdo protestë apo lëvizje e tyre mund të rrezikojë një mbështetje të rëndësishme për qeverinë socialiste, që Rama kërkon ta ruajë dhe mbase për këtë mund të ndiejë nevojën për të përballuar këto lëvizje dhe për të sfiduar figurat e reja që po kërkojnë të vënë në pikëpyetje autoritetin e tij. Madje jo pa qëllim ai përmend Suden, një personazh që vetëm pensionistët mund ta kujtojnë pasi brezi i ri mund dhe të mos ketë dëgjuar për të. Sudja ishte një nga personazhet më të njohur të firmave piramidale, një grua nga komuniteti rom e quajtur Maksude Kadena (e njohur shkurt si Sude) në fillim të viteve ’90, tërhoqi rreth vetes një numër të madh shqiptarësh, të cilët dëshironin të vendosnin paratë e tyre në një skemë piramidale, me shpresën për të marrë më shumë. Falimentimi i Sudes nxiti edhe protestat e para në vitin 1997.
Ndërsa Rama përpiqet të ruajë mbështetjen që ka nga baza e tij e votuesve, është e qartë se përballja me këto figura të reja të politikës do të vazhdojë të jetë një temë e rëndësishme në dinamikat politike në vijim.
Por sa shanse ka për një bashkim të partive të vogla opozitare?
Partitë e reja në fillim hasën shumë vështirësi të kristalizohen si opozita e re, në një kohë kur duhej të luftonin me partitë kryesore për lista të hapura. Por përpos kësaj kishin edhe konflikte me njëri-tjetrin (lexo këtu).
Kryetari i “Lëvizjes Bashkë” Qori deklaroi para pak kohësh se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim midis “Nismës Thurje” të Endrit Shabanit dhe as të “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt. “Jam pak skeptik për njerëz që kërkojnë të bashkëpunojnë edhe me mua edhe me Bashën, apo Alibeajn (e ka fjalën për Enkelejd Alibeajn.”– tha Qori gjatë një interviste. Por Lapaj dhe Shabani janë shprehur më të hapur për bashkëpunim. “Copëzimi nuk na shërben. Ne të tre, si Adriatiku, Arlindi unë e Pano me Edlirën kemi vite që jemi pjesë e shoqërisë civile. Unë e shoh që të formojmë një front të përbashkët.”-tha Shabani gjatë një interviste pak kohë më parë. Të njëjtën mendim ndau dhe Lapaj në një intervistë, por vetëm pas disa muajsh do shohim se sa do munden opozitarët e rinj të hedhin pas diferencat mes tyre dhe të bashkohen kundër Ramës.



