
Furnizimi me ujë të pijshëm mbetet shërbimi më i premtuar nga politikanët dhe institucionet për qytetarët shqiptarë, ndonëse trumbetohet nga qeveria se Shqipëria po përparon në hapat e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Nga premtimi për 24 orë furnizim, te depozitat mbi tarracat e banesave apo radha për të mbushur ujë me shishe të mëdha në autobote, qytetarët mbeten përballë dilemave të mëdha sa i takon cilësisë së ujit që konsumojnë.

Kjo gjendje pasqyrohet shpesh edhe nga Shoqëritë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve në qytete, ku një ditë bëhen njoftime se ka ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të defekteve dhe ditën tjetër renditen arritjet e institucionit se sa mirë po iu shërbehet banorëve. Më 1 shtator, ky institucion ka publikuar numrin e ankesave, ku nga 2699 ankesa që u morën, 2510 u trajtuan, por vetëm 1706 prej tyre u zgjidhën. Një rast tjetër evidentohet në Shoqërinë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë që ka dhe numrin më të madh të abonentëve në Shqipëri, ku përmes një grafike të kuruar bën të ditur se shtatori i vitit 2026 ka më pak ankesa për mungesë shërbimi, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Pra, Ujësjellësi i Tiranës mburret se në vitin 2025 ka pasur 345 ankesa për mungesë të furnizimit me ujë dhe nuk shqetësohet se janë pa u zgjidhur 77 ankesa aktuale, në një kohë që kryeqyteti po thahet nga temperaturat e larta.

Po ashtu, më 16 shtator Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Berat njoftoi se Berati e Kuçova nuk do të furnizoheshin me ujë, pas një defekti në linjën e transmetimit. Defekti u riparua, por siguria mbetet në pikëpyetje.

Situata më alarmante mbetet te cilësia dhe te përgjegjësia që mban institucioni titullar. Një shembull i tillë vjen nga Fushë-Arrëzi, ku në fillim të këtij shtatori u paraqitën në urgjencën e qytetit 139 banorë me simptoma helmimi. Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se nga analizimi i mostrave të ujit u vërejt moszbatim korrekt i praktikave higjieno-sanitare, si dhe përmbajtje e lartë koliforme e enterokoke, gjë që shkaktoi helmimin e banorëve. Për këtë rast, që vijoi për 4 ditë me radhe Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Rajoni Shkodër nuk bëri asnjë njoftim publik, nëse duhej apo jo të konsumohej uji nga qytetarët. Reagimi erdhi vetëm pasi situata u zgjidh.
Po ashtu, vitin që lamë pas Vlora u përball me mosfurnizim me ujë për 5 ditë me radhe, për shkak të një defekti, duke shkaktuar revoltë qytetare. Një pajisje që erdhi nga Turqia dhe që u filmua dhe u publikua me shpejtësi nga institucionet e qeverisë dhe Bashkia Vlorë zgjidhi problematikën, por faturën e kripur e paguan qytetarët vlonjatë.



