
Qytetarët kërkojnë Shqipërinë e Re në protesta dhe rrëzimin e sistemit të vjetër politik. Që nga momentet e para të revoltës në Zvërnec aty ku nisën përplasjet kanë qenë të pranishëm edhe figura të partive të vogla. Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë publikoi direkt nga Zvërneci videon ku një aktivist u tërhoq zvarrë nga rojet e sigurisë së kompanisë së kantierit ku po ndërtohet kompleksi turistik. Ai dënoi indiferencën e Policisë së Shtetit që nuk ndërhyri. “Kjo është skandaloze, nuk ka ndodhur kurrë që gangsterët të rrëmbejnë një person dhe policia të mos bëjë asgjë. Jemi të revoltuar. Kërkojmë lirimin menjëherë. Gangsterë të veshur me të zeza, polici private kanë rrëmbyer një qytetar të Zvërnecit dhe policia nuk e vendos ujin në zjarr, po mbron gangsterët nga qytetarët”, tha Qori.
Gjatë bisedës në emisionin “Të paekspozuarit”, Qori ka pranuar se ai dhe lëvizja që drejton kanë qenë pjesë aktive e mobilizimit kundër shpronësimit të qytetarëve dhe privatizimit të hapësirave publike. Ai paralajmëroi që në ditët e para se protestat do vijonin. Ditë më vonë, më 11 qershor po në emisionin “Të paekspozuarit” ai thellon deklaratat duke sulmuar direkt kastën e vjetër politike. Qori shprehet se: “Këtu janë mbledhur përfaqësuesit e një Shqipërie të re. Jam i impresionuar nga këmbëngulja e qytetarëve në protestë. Vijnë me dhjetëra mijëra dhe qëndrojnë me orë të tëra. Pjesa më e bukur, marshimi në rrugët e Tiranës, që ngre peshë zemrat e qytetarëve. Ajo që po ndodh, nuk mund të mos ketë efekte të mëdha. Kam bindjen se do ta rrëzojë qeverinë e korruptuar të Ramës dhe establishmentin e vjetër që përfaqësohet nga Rama dhe Berisha”.
Ashtu si Qori, ka qenë aktiv edhe kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj. Ai iu bashkua qytetarëve në protestë kundër kryeministrit Edi Rama. Prania e tij nuk u mirëprit pasi protestuesit nuk kanë dashur që ajo të politizohej. Shehaj është përplasur nga afër verbalisht me kryeministrin Edi Rama. Shehaj i shkoi Ramës në foltore dhe i tha se do të përfundonte në burg pasi ka vjedhur shqiptarët, popullin më të varfër në Europë. Ndërsa Rama ishte në sallë gjatë votimit të Amnistisë Penale, Shehaj i tha: “Të doli boja keq! U pasurove në kurriz të qytetarëve! Vodhe popullin më të varfër në Europë! Je banal dhe qesharak! E kishe menduar se do përfundoje në burg?”
Ai e pyet Ramën nëse e kishte menduar ndonjëherë se do e nxirrnin para drejtësisë. “E kishe menduar ndonjëherë? Jo! Se po ta kishe menduar s’do kishe bërë atë që bëre!” Në replikë Rama iu përgjigj duke e pyetur: “Për çfarë të dal unë përpara drejtësisë?” Pas këtij episodi ka ndërhyrë deputeti Erald Kapri. Ai ka grisur letrën ku shkruhej emri i kryeministrit dhe ë ka future në xhep. Ndaj tyre u mor masë disiplinore duke i pezulluar për 30 ditë nga punimet e kuvendit.
Edhe pse prania e Shehajt në protesta është kundërshtuar nga qytetarët me pretendimin se ai po përpiqet të përfitojë prej saj, ai ka gjetur forma të tjera. Pasi disa protestues u shoqëruan në komisariat, kreu i Mundësisë u shfaq para Drejtorisë së Policisë, por edhe që aty është refuzuar prej tyre. Pas thirrjeve: “Kur ishte gjithë populli atje, pse nuk ishe ti me popullin? Jemi vlonjatë, nuk harrojmë ne! S’ka deklaratë politike”, ka patur edhe përplasje verbale. Distancimi nga partitë politike, bëri që të mbaheshin larg edhe Shehaj me Qorin edhe pse ata janë përpjekur të jenë aktivë.
Kur qytetarët për më shumë se një muaj nuk ndalen duke kërkuar në mënyrë të panegociueshme largimin e Ramës dhe krijimin e një sistemi të ri politik, ndihet një distancim edhe nga partitë vogla. A nuk janë ata bindës aq sa duhet?!


