
Nga Adri Nurellari
Pikërisht kur në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, është zbuluar një varr që dyshohet se përmban mbetjet e 23 shqiptarëve, intelektualë të Mitrovicës, të ekzekutuar nga forcat serbe në vitin 1999. Pikërisht kur Serbia ndodhet nën izolim dhe presion nga Bashkimi Europian si rrallëherë më parë. Pikërisht kur qeveria e Vuçiçit po përballet me presion të jashtëzakonshme nga protestat e brendshme. Pikërisht kur një ministër serb bën deklarata në favor të spastrimit etnik pa u përballur me pasoja. Pikërisht kur Lugina e Preshevës vazhdon të goditet nga pasivizimi i adresave, një praktikë që po shkakton spastrim etnik të heshtur.
Pse në Shkodër?! Ndërkohë që në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë jetojnë afro 100 mijë shqiptarë, qeveria shqiptare pranon hapjen e një konsullate serbe në Shkodër për një komunitet të vetë-deklaruar prej rreth 50 malazezësh. Pse kjo është fyerje dhe karshillëk ndaj Malit të Zi? Sepse, nëse do të kishte nevojë për një konsullatë të tillë, atë nevojë tashmë e ka përmbushur Podgorica. Komuniteti në Shkodër është malazez, jo serb, ndërsa Mali i Zi është një vend aleat plus Shkodra ka çdo ditë mijëra vizitorë malazez. Prandaj, një nismë e tillë mund të perceptohet si nëpërkëmbje e identitetit dhe sovranitetit të Malit të Zi.

Pse do hapet në Bujanoc konsullata jonë e jo në Preshevë që konsiderohet qendra e Luginës? Pas artikullit të përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiçit në Frankfurter Allgemeine Zeitung, ky është ndoshta një nga veprimet dypalëshe më të çuditshme dhe më të papërshtatshme mes Tiranës dhe Beogradit. Çfarë mesazhi diplomatik po jep Shqipëria? Pse ky nxitim? Kujt i shërben ky vendim? Ky është një vendim që kërkon një shpjegim të qartë, publik dhe bindës.


