
“Hiqni kapelet!”, protestuesit i kërkuan policisë sot të bashkohej me ta kundër ndërtimeve në Zvërnec. Në protestë merrnin pjesë prindër bashkë me fëmijë të vegjël e bebe në karroca. Turma kërkonte anulimin e projektit turistik në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gardhi metalik i vendosur nga policia e ktheu protestën nga paqësore, në një situatë të tensionuar mes policisë e qytetarëve të cilët e prishën gardhin në shenjë revolte. Policia reagoi menjëherë duke hedhur ujë me presion ndaj tyre, kur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kishte edhe fëmijë.
Vendosja e gardhit i cili provokoi turmën. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita ishte për ndeshjen Shqipëri-Izrael, masë e cila ishte marrë për planin e masave të sigurisë. Pasi autobotët u tërhoqën protestuesit vijuan marshimin te kryeministria me thirrjet ‘Narta është e jona’, ‘Mos ma prekni Nartën’, ‘Edi Rama jep dorëheqjen’ e ‘Sali Berisha në burg’. Një pjesë e tyre është drejtuar edhe të selia e PD-së, duke hedhur parrulla: “Opozitë e shitur”.
Më herët, kryeministri Edi Rama iu ka kthyer përgjigje reagimeve të protestuesve. Kërkesës së tyre për dorëheqjen apo burgosjen e tij, Rama tha se i ka dhënë jetë një strukture që është tërësisht e pavarur, referuar drejtësisë. Lidhur me pjesëmarrësit në protesta ai ai quajti honxho bonxhove që shkojnë te i njëjti film. Në 4 ditë protesta qytetarët dhe aktivistët ngritën zërin për cënimin e pronës dhe vlerave natyrore që kanë zona e Zvërnecit. Pavarësisht thirrjeve të tyre e pjesëmarrjes masive, kryeministri Rama siguroi se projekti nuk do anulohet deri sa ai të jetë në pushtet. Protestat janë njoftuar se do vijojnë.



