Në qendër të Beogradit u mblodhën të dielën më 22 Dhjetor mbi 100 mijë njerëz, njoftoi Arkivi i Tubimeve Publike. Kjo e bën këtë edhe tubimin më të madh në Serbi, që nga 5 Tetori i vitit 2000 kur u rrëzua Millosheviqi nga pushteti. Ndërsa policia flet për 30 mijë pjesëmarrës, e këtë e tha edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. E qartë është se thirrjes së studentëve që po bllokojnë fakultetet iu përgjigj një numër i madh i qytetarëve, të cilëve në protestë iu bashkuan edhe fermerët. Masiviteti i protestave është elementi që bie më shumë në sy, ndërkohë që shpresa kryesore e autoriteteve ishte shuarja graduale e protestave studentore, që filluan para disa javësh.

Protesta kaloi pa incidente të mëdha, por gjatë ditës ishte evidente se qeveria po përpiqej në mënyra të ndryshme të parandalonte një reagim më të madh të qytetarëve. Kështu që qëllimisht u ndalën trenat për në Beograd dhe autobusët. Paranoja ishte e dukshme edhe gjatë “arrestimit të traktorit” të Zlatko Kokanoviqit, nga iniciativa “Ne damo Jadar” (Nuk e japim Jadar). Ai u bllokua në afërsi të sheshit Slavija, ndërsa policia e hoqi traktorin për gjoja parkim të paligjshëm. E teksa qytetarët po përgatiteshin për protestën, Vuçiq gjatë ditës hapi pjesën e autostradës nga Krushevci për në Vërnjaçka Banja, ndërsa vëzhguesve të kujdesshëm nuk iu shpëtoi fakti që presidenti shoqërohej nga ambasadori amerikan Christopher Hill.

Vuçiq përsëriti qëndrimin e tij se “Nuk do t’ia dorëzojë askujt pushtetin pa zgjedhje, nuk ka bir nëne që do ta marrë pa zgjedhje sa të jem gjallë. Ju mund të më vrisni, por pa zgjedhje nuk do të merrni pushtetin. Një tubim jashtëzakonisht i madh është mbajtur në Beograd. Ata janë të orientuar nga opozita, por unë kam qenë gjithmonë i gatshëm të dëgjoj se çfarë mendojnë të tjerët. Nën flamurin serb duhet të të bashkohemi rreth qëllimeve themelore”.

Nuk ka tërheqje

Protesta masive ishte kulmi i bllokadave disa javore të fakulteteve dhe shkollave të mesme në Serbi. “Ky tubim i përmbushi pritshmëritë”, tha për DW Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike. “Ishte një demonstrim praktik i mbështetjes për kërkesat e studentëve. Po ashtu është treguar se kur ka një organizim të mirë dhe kur ka një pjesëmarrje të madhe, atëherë nuk ka incidente, rrahje, apo tentativa për të ndërprerë me dhunë tubimin”, thekson Popoviq. Sipas tij, autoriteteve u është treguar se njerëzit “duan drejtësi”.

“Këtu po ndodhin tragjedi që janë rezultat i mosveprimit të shtetit. Mendoj se Novi Sadi është pika e fundit në kupën e mbushur. Një tubim i tillë masiv është një mesazh shumë i qartë për autoritetet se dhembja ka shkuar deri në palcë. “Jemi me shpatulla pas muri, nuk ka më vend për tërheqje”, shton ai.

Artikulimi politik i protestës

Që nga fillimi i protestave studentore, ka rënë në sy distancimi i tyre nga partitë politike. Por shumica e opozitës mbështet kërkesat e studentëve. Tani pyetja kryesore është: Edhe sa kohë mund të bëhet presion ndaj qeverisë dhe si do të përfundojnë protestat e studentëve? Popoviq thotë se protestat në një moment duhet të artikulohen politikisht, nëse duam ndryshime. “Ka ide të ndryshme, por pa një opozitë të organizuar mirë politike nuk shoh asnjë mundësi për zgjidhje. Opozita duhet të jetë gati sepse në një moment kjo do të duhet të kapitalizohet politikisht. Qeveria do t’i shuajë protestat, por mendoj se kjo energji nuk do të shuhet lehtë”, tha Popoviq për DW.

Dy skenarë (të pa) mundshëm

Aktualisht po kristalizohen dy skenarë të mundshëm: greva e përgjithshme dhe qeveria tranzitore. Presidenti i Serbisë refuzon kategorikisht mundësinë e një qeverie tranzitore. Ndërkohë që edhe greva e përgjithshme është e diskutueshme, sepse në Serbi ka shumë sindikata që janë të përçara mes vete. Qeveria tranzitore për Vuçiqin do të ishte një njohje e kapitullimit, ndaj ai me siguri që nuk do ta pranojë. Ndërsa skenarët e tjerë akoma nuk janë të kristalizuar se si mund të realizohen. Por energjia për protesta akoma është e madhe, madje po shtohet.

Artikulli është pronësi intelektuale e “Deutsche Welle”. Klikoni KËTU për artikullin origjinal.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13