

Tërheqje vëmendje, sinjalizim për kujdes deri dhe kundërshtim me votë në Kuvend në lidhje me Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Dezinformimit.
Ky Komision u miratua të enjten me 73 vota pro e 7 kundër. Pjesa tjetër e deputetëve nuk abstenoi, thjesht nuk votoi fare. Por pse gjithë këto shqetësime dhe pikëpyetje?
Çfarë thotë qeveria, sulmet që mund të vijnë nga jashtë
Ngritja e këtij komisioni u propozua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste me në krye Bledi Çuçin.
Argumenti që këta përdorën është që duhet një Komision për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri. Kryesisht atë rus.
Në kërkesën e deputetëve të PS-së thuhet se ajo që ata kërkojnë nga ky Komision i Posaçëm, është që “të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një seri formash, duke përfshirë, fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publikë dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.”
Hetim mbi transparencën e financimit të medieve
Dhe jo vetëm kaq. Duket se kryesore është edhe zhvillimi i një analize të detajuar lidhur me transparencën e financimit të të gjithë aktorëve mediatikë. Veçanërisht në fushata zgjedhore, njëra prej të cilave do të zhvillohet shumë shpejt, vitin tjetër.

Komisioni i Posaçëm që do të përbëhet nga 11 anëtarë, po ashtu duhet të vlerësojë dhe masat ligjore për kufizime të forta që duket se do merren në burimet e financimit të medieve. Kliko këtu për kërkesën e plotë dhe këtu për projektvendimin.

Mediet tradicionale dhe online do të duhet të jenë tërësisht transparente lidhur me financimin e tyre. Parimisht shumë korrekte, por si do të përdoret kjo dhe si do ndryshohet përgjatë punës së Komisionit? Kjo duket të jetë një pikë shqetësuese për disa nga aktorët mediatikë, politikë por edhe të shoqërisë civile.
Si BE, apo diçka tjetër?
Ajo çfarë deputetët e PS-së pretendojnë se po bëjnë është se po ndjekin thjesht direktivat e BE-së.
Kjo sepse Parlamenti Evropian tashmë ka miratuar një rezolutë (kliko këtu) në shkurt të këtij viti, lidhur me shqetësimet e bllokut për ndërhyrjen e Rusisë në proceset demokratike të BE-së “nëpërmjet mediave tradicionale dhe mediave sociale”. PE i bëri thirrje Komisionit Evropian që të lëvizë me shpejtësi me masat për të parandaluar ndërhyrjen e huaj në bllok.
Në nëntor, institucionet ranë dakord për një rregullore krejt të re të reklamave politike, që ndalon aktorët e huaj të sponsorizojnë reklama përpara zgjedhjeve ose referendumeve.
Komisioni tashmë po punon për një projekt-ligj për regjistrin e agjentëve të huaj, si pjesë e paketës së Mbrojtjes së Demokracisë, ku të gjitha organizatat e financuara nga jashtë që kryejnë veprime interesi do të duhet të regjistrohen për një regjistër transparence në mbarë BE-në.
Parlamenti Evropian ka pezulluar aksesin në Parlament dhe objektet audio-vizuale për mediat e pranishme në listat e sanksioneve të BE-së.
Komisioni i Posaçëm i Dezinformimit pretendon se po bën të njëjtën gjë. Megjithatë nëse Parlamentit Europian iu desh një periudhë e gjatë për të marrë të tilla vendime, propozimi i deputetëve socialistë në Shqipëri erdhi si me ngut.
Më 25 Mars u bë propozimi, më 3 Prill u vendos nga Konferenca e Kryetarëve pa pjesëmarrjen e deputetëve demokratë dhe pa asnjë konsultim me palë të interesuara që të futej në seancë plenare dhe si përfundim me 11 Prill u votua. 73 vota pro dhe 7 kundër mjaftuan të vendosej për ngritjen e Komisionit. Për të parë se cilët deputetë votuan pro, cilët kundër dhe cilët nuk votuan fare kliko këtu.

Foto nga seanca plenare e datës 11 Prill 2024 ku u votua për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit
Shqetësimet e aktorëve politikë dhe mediatikë
Ngritja e këtij Komisioni në mënyrë aq të shpejtë ka ngritur shqetësime te deputetët opozitarë. Jorida Tabaku thotë se ekziston në të vërtetë një rrezik për influencat e huaja në proceset demokratike dhe të dezinformimit. Mirëpo ajo shton se “beteja jonë nuk mund të jetë jo serioze dhe sa për të kaluar radhën. Pasi një betejë serioze kundër disinformimit kërkon në fund të ditës gjithëpërfshirjen e palëve politike, shoqërisë civile, mediave dhe aktorëve të tjerë.”
Ajo e konsideroi propozim aspak serioz dhe tërësisht të njëanshëm për mënyrën si u trajtua dhe propozua ky projekvendim.
Shqetësime janë ngritur dhe nga aktorë të shumtë mediatikë. Rrjeti SafeJournalists i dërgoi një letër Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë ku shpreh shqetësimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin.
SafeJournalists thotë se e pranon qëllimin për të trajtuar çështjen urgjente të dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj, por thekson se është e domosdoshme të merren parasysh implikimet më të gjera që kjo nismë mund të ketë në lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.
“Urgjenca në formimin e komisionit, mungesa e një procesi konsultativ me palët e interesuara, mungesa e konsensusit nga opozita dhe miratimi i shpejtë më 3 prill 2024, në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ngre shqetësime në lidhje me qëllimin dhe objektivat e komisionit.”– thuhet në letrën e firmosur nga rrjeti.
Këshilli Shqiptar i Medias gjithashtu ka ngritur një sërë arsyesh pse është kundër këtij Komisioni të ngritur me aq furi. Sipas KSHM, arsyeja kryesore është se ky Komision nuk e ka aspak të qartë e të fokusuar objektin e hetimit të vet, “çka lë hapësirë për abuzime në dëm të lirisë së medias”.
Po ashtu fakti që komisioni po ngrihet për të hetuar diçka që nuk ka ndodhur por që “pritet” të ndodhë krijon dyshime të forta që mund të përdoret për të cenuar lirinë e medias, nën petkun e hetimeve për dezinformimin.
Po ashtu sipas KMSH-së Shqipëria ka probleme shumë më të mëdha që cenojnë lirinë e medias, e që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente “si psh lidhjet okulte të politikanëve, partive e qeveritarëve me pronarët e medias; mungesa e transparencës së fondeve shtetërore që shkojnë drejt mediave; mos-aplikimi i ligjit për të drejtën për informimi, etj”.
Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim (SCIDEV) në Tiranë gjithashtu thotë se megjithëse narrativat pro-Kremlinit ekzistojnë në peizazhin mediatik shqiptar, “shkalla e tyre nuk justifikon krijimin e një komiteti të posaçëm, veçanërisht kur një iniciativë e tillë mund të rrezikojë potencialisht lirinë e fjalës.”
E megjithëse disa medie online në Shqipëri po funksionojnë përmes vetërregullimit, duket se hapësira digjitale ka nevojë për rregullim më të thelluar (lexo këtu) për faktin se kjo hapësirë përfshin edhe mediat sociale. A do kthehet ky komision si nisma e ligjit antishpifje apo realisht maxhoranca parlamentare do e përdor pa synime të fshehta për ndërhyrje pozitive pa cenuar lirinë e medias dhe e censuruar atë?!


