Një postim në “Instagram” i ka kushtuar shtrenjtë politikanes në Zvicër, Sanija Ameti. Brenda pak ditëve, ajo humbi punën dhe vendin e saj në parti. Akti i saj ka shkaktuar zemërim në komunitetet fetare dhe më vonë, edhe pse ajo e fshiu postimin dhe kërkoi ndjesë publike, debatet në Zvicër rreth respektimit të simboleve fetare kanë vazhduar. Por cili qe ky akt kaq i rëndë i politikanes që po kryqëzohet nga publiku?

Sanija Ameti, një politikane nga Partia e Gjelbër Liberale e Zvicrës (GLP) dhe bashkëkryetare e lëvizjes “Operation Libero” në Zvicër publikoi një foto në “Instagram” ku shfaqej duke qëlluar me armë drejt një fotografie të Marisë dhe Jezusit. Në postimin e saj, ajo e përshkroi këtë veprim si një mënyrë për të “çliruar stresin”.

Fotoja e publikuar majtas dhe foto tjetër e Ametit me armë djathtas

Mirëpo kjo foto shkaktoi reagime të ashpra, si nga komuniteti i krishterë, ashtu edhe nga ai mysliman. Madje edhe nga partia e saj nuk u prit mirë, pasi kryesia e GLP-së tani kërkon ta përjashtojë atë nga partia. Pas reagimeve të forta dhe kritikave publike, Ameti e hoqi menjëherë postimin dhe kërkoi falje, duke theksuar se nuk kishte menduar gjatë kur e publikoi foton. Arsyetimi i saj në Instagram: “Nuk i kushtova rëndësi përmbajtjes së fotove. Kjo nuk ishte e drejtë. Më vjen shumë keq nëse lëndova dikë me këtë!” Më pas në një prononcim për “Blick” ajo është shprehur: “Ishte absolutisht budallallëk nga ana ime. Nuk mendova asgjë për këtë. Më vjen jashtëzakonisht keq. Kërkoj falje nga njerëzit që u lënduan nga kjo.”

Cila është lidhja e Ametit me Kosovën?

Pas postimeve, një organizatë e ekstremit të djathtë e quajtur “Junge Tat” bëri thirrje “Dëbojeni këtë grua shqiptare!”, duke vënë theksin tek origjina e saj shqiptare. Por cila është lidhja e Ametit me Kosovën? Në fakt Ameti nuk ka thënë kurrë se është nga Kosova, por se rrjedh nga një familje boshnjake që në vitin 1995 kishin ikur nga lufta në Bosnjë. Së paku nga të dhënat publike online, e vetmja gjë që e lidh me Kosovën është një fushatë e saja zgjedhore për Këshillin Nacional të Zvicrës si bashkëpresidente e lëvizjes politike “Operation Libero”, fushatë të cilën ajo e kishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (kliko këtu).

Në një intervistë të pak kohëve më parë për Albanian Post, ajo ka thënë se nuk është shqiptare por ka familjarë në Kosovë dhe se është e dashuruar me vendin. “Edhe pse nuk jam me origjinë shqiptare, Kosova është një vend shumë i rëndësishëm për mua. Sepse aty jetojnë disa anëtarë të familjes dhe i vizitoj sa herë që mundem. Unë jam e dashuruar veçanërisht me komunitetin e artistëve të rinj në Kosovë kjo pasi njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, kultura dhe arti janë mjete shumë të rëndësishme për të treguar atë se çka ndodhi si dhe për të promuvuar drejtësinë dhe paqen. Prandaj artistët në Kosovë kanë admirimin tim më të madh për këtë punë të rëndësishme. Më pëlqen të vizitoj Prishtinën për artin e saj, mirëpo edhe në Zvicër jam e lidhur me diasporën në fusha të ndryshme: art, biznes, politikë.”– ka treguar ajo.

Ameti mund të përballet me pasoja ligjore

Pavarësisht ndjesës publike, pasojat ligjore Ameti mund të mos i ketë shmangur. Një denoncim zyrtar është bërë kundër saj nga organizata Rinore e partisë populiste SVP, e cila ka kërkuar që të shqyrtohen pasojat ligjore të këtij incidenti. Policia kantonale e Cyrihut ka thënë se është duke e hetuar çështjen.

Por nga çfarë duhet të frikësohet në të vërtetë Ameti? Në të drejtën penale zvicerane, e ashtuquajtura prishje e lirisë së besimit dhe adhurimit konsiderohet vepër penale. Kushdo që përdhos publikisht dhe në mënyrë të neveritshme objektet e adhurimit fetar duhet të presë një gjobë. Megjithatë, sipas ekspertit të së drejtës penale Joel Haefeli, dispozita përdoret vetëm shumë rrallë. Prandaj sipas tij ka mundësi që Ameti të përballet realisht me pasoja ligjore, edhe nëse këto do të jenë mjaft të lehta. Të paktën për vetë përdorimin e pistoletës, vështirë se mund të pritet ndonjë ndëshkim. Haefeli thotë se Ligji për Armët i ndalon thelbësisht të shtënat me armë zjarri në vende të aksesueshme nga publiku. Në pamje të parë nuk ka pasur shkelje të ligjit për armët e zjarrit.

Kisha katolike e fal Ametin

Ndërkohë Kisha Katolike e ka falur për këtë veprim, përmes një letre nga peshkopi i Chur-it, megjithëse ngjarja ka lënë një shenjë të thellë në debatin publik. Siç shkruan “Blick“, peshkopi Joseph Maria Bonnemain u kërkon të gjithë katolikëve, të krishterëve, myslimanëve dhe kujtdo që ndjen se ndjenjat e tyre fetare e njerëzore janë lënduar ta falin atë, shkroi ai në një deklaratë të enjten në mbrëmje. Bonnemain thotë se Ameti e kuptoi se kishte bërë një gabim, dhe ajo si politikane dhe eksperte e komunikimit, nuk duhet ta kishte bërë. Por sipas tij, falja është dhe mbetet një nga konceptet më të rëndësishme, nëse jo më të rëndësishmet, në Bibël. Si peshkop i Churit, ai u kërkoi të gjithëve që të përmbahen nga urrejtja dhe hakmarrja.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11