
Opozita kërkon shkarkimin e kreut të Kuvendit, Niko Peleshi duke iu drejtuar Këshillit të Legjislacionit. Deputetët e PD-ës pretendojnë se Peleshi ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkelur rregulloren e Kuvendit duke mosrespektuar të gjitha procedurat parlamentare gjatë drejtimit të seancave. Kujtojmë se që në seancat e para ka patur debat për Peleshin pasi opozita nuk ishte dakort me vendimin për ndryshimin e rregullores dhe riorganizimin e komisioneve. Peleshi lejoi strukturën e re me 11 komisione të përhershme parlametare të miratuara vetëm me votat e mazhorancës pasi salla u braktis nga demokratët. Këtë veprim opozita e quajti një puç kushtetues. Sipas Kushtetutës ndryshimet në rregullore bëhen në një afat njëjavor e jo njëditor sikur ndodhi në kuvend. 4 komisione parlamentare do drejtohen nga opozita dhe 7 nga PS-ja, duke ia hequr mundësinë PD-ës të drejtojë komisionin e Integrimit pasi ai është shkrirë në një strukuturë të përbashkët.

Një tjetër situatë e kontestuar në kuvend është edhe votimi i programit qeverisës në më pak se 4 minuta, pa prezantim dhe pa votat e opozitës. Në shenjë proteste deputetët demokratë kanë hedhur në drejtim të foltores ku ishte kryeministri Edi Rama librin e Kushtetutës dhe sende të tjera për të kundërshtuar procesin zgjedhor të 11 majit që e kanë quajtur një farsë. Zhurmën e krijuar Peleshi e ka interpretuar si mungesë të vullnetit nga opozita për ta dëgjuar programin, i cili u miratua me kartonat e mazhorancës, gjë e cila nuk është pranuar nga kampi kundërshtar.

Emri i Peleshit si kryetar i kuvendit nuk është mirëpritur që në fillim. Kryetari i PD-ës Sali Berisha tha për gazetarët jashtë kuvendit, ndërsa në sallë socialistët vijonin me procedurat, se parlamenti i kartelëve operoi në shkelmim të plotë të parimeve kushtetuese dhe Kushtetutës së këtij institucioni. “Sot në parlament më të përfaqësuarit e shqiptarëve janë kartelët e drogës më të fuqishmet në Europë, të lidhura me organizata terroriste, kartelet e Amerikës Jugore”. Sipas Berishës në krye të kuvendit është zgjedhur një njeri me 5 dosje korrupsioni duke theksuar se “Niko Peleshi është historia e korrupsionit, është njeriu që ka firmosur akte madhore korruptive për djegësat, qoftë për prodhimin e energjisë në djegësin e Elbasanit dhe djegësin e Elbasanit, akte të cilat e bëjnë atë përgjegjës automatik për dëme kolosale që u ka bërë shqiptarëve”. Të hënën në orën 11:00 mblidhet Këshilli i Legjislacionit për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Ky organ vendos nëse do merret në rend dite pretendimi apo do rrëzohet si e pabazuar, në një kuvend ku 83 mandate janë të partisë Socialiste dhe vetëm 50 të PD-ës.



