
Anijet “Global Sumud Flotilla” të njohura për misonin e tyre në Gazë, për dërgimin e ndihmave humanitare, këtë herë u ndalen në Shqipëri, për t’iu bashkuar “Revolucionit Flamingo”, një protestë e nisur për çështje mjedisore. Mesditën e kësaj të premteje, tre veliera mbërritën në brigjet e Vlorës, ndërsa personat që ndodheshin në bord ndezën tymuese ngjyrë rozë, si flamingot shqiptare, në shenjë solidariteti me protestën që zhvillohet prej 83 ditësh në Tiranë.
Anijet u nisen nga Porti i Brindisit më 20 gusht, me destinacion Ishullin e Sazanit, me qëllim kundërshtimin e dhënies me koncesion të truallit për ndërtimin e resorteve luksoze nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump, por itinerari i tyre nuk u finalizua. Burime për Gogo.al thanë se velierat nuk janë lejuar të shkojnë drejt Sazanit dhe janë urdhëruar të ankorohen në Portin e Vlorës, ku kryen procedurat përkatëse, si dhe u identifikuan të gjithë personat që ndodheshin në bord.

Përpara nisjes nga brigjet italiane, aktivistët thanë për RaiNews se nisja u krye pikërisht nga ai port ku 35 vite më parë u ankorua anija “Vlora” që transportoi mbi 20 mijë shqiptarë, të cilët donin të nisnin një jetë të re, përtej Shqipërisë që sapo kishte dalë nga diktatura komuniste.
“Dy brigje të lidhura nga e njëjta luftë, të kërcënuara nga projekte që përjashtojnë komunitetet që kanë jetuar aty prej brezash. Për këtë arsye, nisja nga Brindisi, ku u ankorua 35 vite më parë anija “Vlora” nuk është vetëm simbolike, por është një akt solidariteti dhe politik.”
Me flamurin kuqezi mbi supe, aktivistët do t’i bashkohen protestës që do të mbahet në mbrëmje në Tiranë, duke kundërshtuar ndërtimet në dy zona me rëndësi të veçantë mjedisore, si Sazani dhe Zvërneci.


