Kryeministri britanik Rishi Sunak ka çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Ai doli në një konferencë për mediet pasditen e sotme, ku shpalli 4 korrikun si ditën kur do mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Ky zhvillim ndërpreu vizitën në Tiranë të Sekretarit të Jashtëm Britanik, David Cameron. Ky i fundit ishte parashikuar të qëndronte më gjatë në Tiranë, pasi do të mbante një konferencë për mediet, do të zhvillonte disa takime me presidentin Bajram Begaj e kreun e SPAK-ut Altin Dumanin, por nuk i mjaftoi koha.

Ai ia preu shkurt duke dhënë vetëm një deklaratë për mediet dhe bisedën me Begajn madje e kreu në telefon.

Lajmërimi dramatik

Gjatë fjalimit të tij, Sunak pranoi se qeveria e tij nuk i kishte të gjitha punët mirë.

“Unë nuk mund dhe nuk do të pretendoj se ne kemi bërë gjithçka në rregull.”-tha Sunak sipas BBC. Ai përmendi disa nga sfidat që qeveria konservatore ka kaluar, duke nisur që me paraardhësit e tij, Boris Johnsonin dhe Liz Truss. Ai përmendi pandeminë e Covid-19, luftën e Rusisë në Ukrainë si dhe rritjen e migrimit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Të gjitha këto ai i tha në një skenë që mund t’i ngjajë vetëm filmave dramatikë, nën shiun që binte, krejtësisht i lagur dhe në sfond stafi i kishte vënë hitin e viteve ’90, “Things Can Only Get Better”, që britanikët e mbajnë mend nga koha e Tony Blair.

“Tani është momenti që Britania të zgjedhë të ardhmen e saj.“- tha Rishi Sunak gjatë fjalimit të tij jashtë Downing Street. Pavarësisht gjërave që nuk kanë shkuar edhe aq mirë nën qeverinë konservatore, Sunak tha se duke votuar laburistët, Britania do të “rrezikonte të kthehej në fillim”.

Por pse Sunak i shpalli zgjedhjet e parakohshme në korrik

Siç shkruan BBC, për javë të tëra kishte presion në rritje ndaj kryeministrit që zgjedhjet të mbaheshin në vjeshtë.

Por pse tani? Pse jo?! Kjo ishte llogaritja me të cilën po përballeshin Rishi Sunak dhe ekipi i tij kryesor përpara vendimit të tij për të thirrur zgjedhje të përgjithshme të parakohshme më 4 korrik.

Në një farë mënyre, ekuacioni ishte i thjeshtë: kur ke pasur aq shumë lajme të këqija sa kryeministri britanik në muajt e fundit, dhe vetëm tani disa gjëra duket sikur janë përmirësuar, vera ishte zgjedhja më e volitshme për konservatorët.

Siç shkruhet në një analizë të Politico.eu, Sunak i kishte marrë disa shenja drite në fund të tunelit ekonomik; kalimi i shumëpritur i skemës së tij kryesore të imigracionit në Ruandë; perspektiva e një turneu të mirë futbolli në horizont; dhe pak mot me diell. Sunak duhet ta ketë ndjerë se nëse do të priste më shumë, gjërat mund të përkeqësoheshin.

Mund të jetë një strategji e rrezikshme – pasi konservatorët janë 20 pikë prapa Partisë Laburiste të opozitës në sondazhe.

Por, me elementin e befasisë si një nga avantazhet kryesore që i mbetet një qeverie të Mbretërisë së Bashkuar që përballet me një zgjedhje të ndërlikuar, duket se Sunak ka vendosur të luajë kumar mbi teorinë se perspektiva nuk do të ishte kurrë më e mirë se këtë verë për t’u përballur me votuesit.

Ndonëse mund të duket e çuditshme që Sunak thërret zgjedhjet në një kohë kur është shumë prapa në sondazhe, shanset janë që nuk do të ketë një kohë më të mirë.

Ai ishte i detyruar gjithsesi të thërriste zgjedhjet deri në fund të vitit dhe ka shumë shanse që gjërat të përkeqësohen për kryeministrin gjatë muajve të ardhshëm.

Skema e tij kryesore për të deportuar emigrantët e parregullt në Ruanda supozohet të jetë në funksion deri në javët e para të korrikut. Gjë që i ka shtuar pikë Sunak-ut së fundmi nëpër sondazhe.

Por duke pasur parasysh problemet ligjore të politikave deri më sot, ajo mund të përballet ende me vonesa. Kështu që për Sunak, është më mirë të ketë votime tani, para se vonesat e problemet të nisin të bëhen të dukshme. Pastaj është ekonomia, e cila më në fund po përmirësohet pas disa vitesh të mjerueshme. Këtë të mërkurë, e njëjta ditë kur u shpallën zgjedhjet e parakohshme, qeveria britanike festoi kthimin e inflacionit në një nivel normal për herë të parë që kur mori detyrën.

Sa më gjatë të qëndrojë ai, aq më shumë nervozohen mbështetësit e tij dhe thirrja e zgjedhjeve tani së paku u jep konservatorëve një kauzë të përbashkët për t’u mbledhur: të mos humbasin pushtetin.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Spektakli i humorit “Portokalli” ka nisur sezonin me një skeç ku talleshin qytetarët në protestë. Prej me shumë se 128 ditës ata ngrenë zërin në boulevard kundër qeverisë. Një pjesë...
/ Oct 5