
Kundërshtime e zëra kritikë kanë shoqëruar episode të Kodit të ri Penal. Më në fund ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka prezantuar draftin e plotë. Që në fillim ai tha se janë marrë parasysh shqetësimet e bëra publike që nga 5 korriku. Ashpërsimi i masave vihet re në disa pika, ku të dënuarit përjetë nuk mund të kërkojnë lirinë nga burgu pa kaluar 35 vite dhe vetëm nëse ka patur një përmirësim të marrëdhënieve me familjarët e viktimave. Kodi pritet të zgjidhë gjithashtu zvarritjet e dosjeve në gjykata. Ai u ndal edhe te paraburgimet. “1 ditë paraburgim e barabartë me 1.5 ditë burg e ka pasur vetëm Shqipëria dhe zvarriteshin gjyqet, për të përfituar nga kjo gjë. Drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe verdikti të jepet në kohë.”-tha Manja.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi komentoi pikën për kriminalizimin e shpifjes kur tha se nuk duhet të përjashtohen gazetarët. “Shpifja, kjo është mjaft delikate nga të gjitha pikëpamjet .Mund të shpifë kushdo nuk është e domosdoshme që subjekti të jetë gazetar, ka sisteme nga ato që më duken të papërshtatshme që me ligj kanë përjashtuar gazetarët nga penalizimi i shpifjes. Ai sistem, sistemi belg në mos gaboj, më duket e para që cënon barazinë e njerëzve para ligjit, plus më duket fyes për gazetarët sepse nëse përjashtohen nga penalizmi për shpifjen më duket sikur u jepet licencë për të shpifur.Apo më keq akoma përmban paragjykimin që po ata shpifin. Në fakt nuk është kështu. Misioni i gazetarit është tjetër gjë, lidhet me të vërtetën, fakteve dhe analizave që çon në të vërteta dhe konskluzione. Shqetësimi që gazetari të mos kërcënohet me penalitet sepse ekziston mundësia që mund të gabojë, dhe atij i duhet një mbrojtje, kjo është përjashtuar. Shqipërisë nuk i vjen e keqja e as nuk duhet t’i vijë nga parashikimi apo jo i shpifjes në Kodin Penal. Niveli i respektit për fjalën që kemi është një gjë që dihet”, tha ai.

Zërat kundër Kodit të ri Penal

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka kundërshtuar draftin për Kodin e ri Penal. Çela nuk ka përkrahur ndryshimet edhe në deklaratat e mëparshme të bëra publikisht, por edhe gjatë raportit vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas kryeprokurorit, ishte e nevojshme një shkëputje nga një konceptim autoritar i Kodit të vjetër penal drejt një kodi të përshkruar nga një frymë demokratike liberale. Por mungesa e procesit për të “shtruar bazamentin e duhur filozofik moralo-juridik mbi të cilën të ndërtohej struktura e një kodi të ri”, sipas Çelës përfaqëson një veprim të nxituar që rrezikon të minojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend. Kryeprokurori shkon më tej kur thotë se eksperienca ka treguar se procesi i ligjbërjes në vend, të paktën sa i përket sistemit të drejtësisë dhe sidomos kuadrit ligjor penal, “është difektoz dhe shpesh herë ndikohet nga nevojat dhe emocionet e çastit, duke mos sjellë efektet e dëshiruara”.

Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë ka kundërshtuar ndryshimet duke shkuar deri aty saqë kërcënon me kontestim në Gjykatën Kushtetuese. Kreu Maks Haxhia shtron shqetësimin se rrezikon të na kthejë pas në kohën e e komunizmit me natyrën represive që ka. Ai shpreh kritika duke thënë se Kodi ka dispozita konfuze, të paargumentuara dhe të paorientuara

OSBE shprehu hapur shqetësimin se nuk i është marrë mendim për draftin, një qëndrim i ngjashëm më delegacionin e BE-së në Tiranë. Rezerva ka patur referuar dispozitave të shumta që kufizojnë lirinë e fjalës.

Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë është kritik për mënyrën si drejtësia penale po ndërhyn në marrëdhëniet civile të pronës, duke shkelur sipas tij garancitë kushtetuese dhe parimin e sigurisë juridike. “Drejtësia penale siguron që t’i merret plaçka hajdutit, mashtruesit, grabitësit, jo çdo pasuri. Dhe këtë e bën vetëm pas një procesi të rregullt gjyqësor. Nuk mund të merret prona mbi bazë indiciesh apo perceptimesh nga një prokuror apo inspektor”, shkruan Manjani. Ai po ashtu e quan “abuziv” ligjin aktual antimafia, i cili sipas tij ka lejuar që konfiskimi i pronave të bëhet edhe në mungesë të vendimeve penale për fajësi.

Përballë replikave, ministri Manja ka thënë se do ketë 25 tryeza konsultimi publik për draftin dhe se Kodi i ri Penal miratohet vetëm nëse merr “dakordësinë” nga Brukseli ndërsa renditi pikat kryesore ku do bazohet: pastrim parash, financim terrorizmi, rishikim i kuadrit ligjor për terrorizmin e trafikun e drogërave, trafikut njerëzor, abuzimin seksual dhe abuzimin seksual të fëmijëve, armët dhe shpifjet.


