Debatet mbi shkrimtarin Ismail Kadare vazhdojnë të jenë po aq të forta dhe nuk u ndalën as pas vdekjes së tij.

Që në orën e parë kur doli lajmi për ndarjen e tij nga jeta të hënën e 1 Korrikut, rrjeti nuk u kursye me debate mbi figurën e Kadaresë, pa pritur të kalonin as të paktën homazhet që do bëheshin pas pak ditësh në nder të tij.

Por pse ka kaq shumë debate mes shqiptarësh për Kadarenë? A e polarizoi edhe njëherë kombin me vdekjen e tij?

Disidenca

Një nga debatet shumë vjeçare mbi figurën e Kadaresë ka qenë edhe “nëse ai ka qenë një shkrimtar disident apo jo”. Kadare vetë ka thënë që jo.

Megjithatë, ka kaq shumë ngjashmëri midis retorikës së Kadaresë dhe asaj të shkrimtarëve të tjerë të vetëquajtur “disidentë” nga periudha komuniste në vendet e Evropës Lindore. Por shkrimtarja rumune Renata Dumitrascu thotë se karriera e Kadaresë ishte “ndërtuar mbi një premisë të dyshimtë” dhe se “Kadare nuk është Solzhenitsyn dhe nuk ka qenë kurrë”. Ajo i referohet këtu nobelistit rus që denoncoi krimet e Stalinit, Aleksandr Solzhenitsyn. Dumitrascu madje e quan Kadarenë një kameleon, që ka ndryshuar dhe ka përfituar në çdo kohë.

“Ashtu si shumica e homologëve të tij në vendet e tjera komuniste… Kadare ishte një kameleon i zgjuar, që luante me mjeshtëri rebelin aty-këtu për të emocionuar perëndimorët naivë që kërkonin zërat e mospajtimit nga lindja. Por nuk ka absolutisht asnjë dyshim se çfarë lloj kafshe ishte dhe me çfarë tufe vrapoi; në fakt, rezymeja e tij bërtet karrierizëm dhe konformitet.”- shprehet shkrimtarja në një artikull të vitit 2005.

Ajo kujton postet që Kadare ka mbajtur gjatë kohës së diktaturës nga kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, delegat në Kuvendin Popullor në vitet ’70, por mbi të gjitha përpara këtyre përmend studimet e tij në Moskë në vitet ’50.

Kadare në foto me diktatorin Enver Hoxha

Dumitrascu thotë se Kadare ka marrë një bursë të plotë në BRSS “në një kohë kur vetëm klonët më të pastër dhe të patëmetë të partisë ftoheshin të studionin në kryeqytetin e perandorisë së madhe, për t’i indoktrinuar më mirë për pozitat e ardhshme të pushtetit në vendet e tyre. Të konsideroheshe edhe për një bursë të tillë ishte një vepër që kërkonte një hetim të plotë të historisë së tij dhe të gjithë familjes së tij, asnjë qytetar i zakonshëm nuk mund ta kalonte me sukses. Sigurisht jo një me prirje disidente.”

Ajo thotë se pasi jetoi shumë mirë nën regjimin, Kadare u largua nga Shqipëria pak para rënies së komunizmit dhe u vendos rehat në Francë, ku ka marrë statusin e tij “disident“, duke fituar vlerësime dhe nderime.

Por edhe vetë Kadare nuk e ka quajtur kurrë veten disident, megjithëse i ka hedhur poshtë akuzat që i janë drejtuar herë pas here, duke sugjeruar që kritikuesit e tij të fokusoheshin në punën e tij në vend të kësaj.

“Unë kurrë nuk kam pretenduar se jam “disident” në kuptimin e duhur të termit.”– tha ai në një intervistë të vitit 2005, pasi fitoi çmimin e parë të “Man Booker International”.

Siç shkruan Washington Post, ai theksonte se: “Opozita e hapur ndaj regjimit të Hoxhës, si opozita e hapur ndaj Stalinit gjatë mbretërimit të Stalinit në Rusi, ishte thjesht e pamundur. Disidenca ishte një pozicion që askush nuk mund ta zinte, qoftë edhe për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, vetë librat e mi përbëjnë një formë shumë të dukshme të rezistencës ndaj regjimit.”

Kritikat ndaj figurës së Kadaresë kanë qenë aq të forta, saqë Akademia suedeze e Nobelit ka marrë nga Shqipëria qindra ose dhe mijëra (nuk është faktuar kurrë) letra anonime, me qëllimin për t’i bllokuar dhënien e çmimit Kadaresë, të nominuar shumë herë.

Për këtë ka folur edhe vetë Kadare, i cili ka treguar se ka dashur të shikojë Arkivin në Akademinë Suedeze me letrat anonime të dërguara nga bashkëkombësit. “Një ditë madje mua dhe Helenën na ftoi një prej tyre për drekë. Iu luta të hyja në Arkiv, doja të shikoja letrat anonime për mua, por refuzoi. Iu luta të më thoshte çfarë shkruanin, por ai më tha vetëm një rast që iu është dukur të gjithëve grotesk. Se ishte grotesk nuk do të thotë se nuk ishte marrë në konsideratë sado banal të ishte. Aq të çuditur me këto ‘anonime’ shqiptare.”- ka treguar Kadare në një rrëfim për gazetën “Mapo” në vitin 2016.

Presidenti francez Emmanuel Macron i jep Ismail Kadaresë çmimin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit” në Tiranë në vitin 2023

Njeriu

Përpos këtyre debateve nëse ishte disident apo jo, një tjetër histori i ka ndarë shqiptarët në dy palë. Bëhet fjalë për historinë e treguar nga Janulla Rrapi për të birin e saj që dashuroi vajzën e shkrimtarit dhe për këtë “krim” kaq të rëndë u dënua me internim e më vonë e kaloi gjithë pjesën tjetër të jetës në spitale psikiatrike.

Në librin me titull “Djali i ëndrrës së vrarë”, Janulla Rrapit tregon versionin e saj mbi historinë e dashurisë së djalit të saj, Renatos, me vajzën e shkrimtarit Ismail Kadare, Gresën, një histori që sipas saj ka përfunduar tragjikisht.

Rrapi në këtë libër pretendon se shkrimtari ishte aq shumë kundër kësaj dashurie, saqë e detyroi të bijën e cila kishte mbetur shtatzënë të abortonte me dhunë në muajin e gjashtë. Historia sipas saj, ka ndodhur kur Renato Rrapi ishte në vitin e tretë në lice për violinë, dhe Gresa Kadare në vit të dytë, në gjimnazin “Sami Frashëri”.

Pas kësaj, për të birin pasuan plot netë të gjata hetuesie, internim në Kosovë të Madhe, varfëri ekstreme, rikthim në Tiranë e mbyllje në spitalin psikiatrik ku ajo pretendon se i biri u dhunua dhe u trajtua në mënyrë çnjerëzore. E për të gjitha këto, Rrapi akuzon shkrimtarin duke thënë se ka përdorur lidhjet e tij me regjimin për t’i ndëshkuar të birin pse guxoi t’i dashurojë vajzën.

Madje Rrapi ka pranuar se ajo është një nga shqiptarët që ka guxuar t’i shkruajë Akademisë Suedeze që mos t’i japë Kadaresë çmimin Nobel, të përmendur më lart.

Historia në fjalë i ka ndarë lexuesit, një pjesë e të cilëve e zbritën nga piedestali ku e kishin ngritur gjeniun e letrave shqipe.

Kjo histori dashurie u rikthye përsëri në vëmendjen mediatike pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit.

Por Gresa Kadare në fjalimin që mbajti në ceremoninë private të varrimit ka thënë se babai i saj nuk e ka mërzitur kurrë (kliko këtu për videon).

“Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe nga të gjithë etërit e shokëve dhe shoqeve të mia. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera. I bindej edhe në praktikën e tij të atësisë vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia për punët e shtëpisë, apo mospërfilljen e herëpashershme të qokave e të sjelljeve të duhura me miq që vinin në shtëpi e për plotë e plotë probleme të jetës së përditshme, por nuk mi kursente sarkazmat dhe ironitë kur filloja t’i lavdëroja shkrimtarë që sipas tij nuk kishin ndonjë vlerë. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rresht të goditur. Këtë filozofi e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria.”- u shpreh vajza e Ismail Kadaresë.

Kadare shkrimtari më i denoncuar

Pavarësisht akuzave të shumta të përmendura më lart për lidhjet e Kadaresë me regjimin, në dokumentet e Sigurimit, ai rezulton si shkrimtari më i denoncuar apo spiunuar nga kolegët e tij.

Kështu e përshkruan Dashnor Kaloçi atë në librin e tij me titull “Kadare i denoncuar”, botim i vitit 2015, i cili përmbledh për publikun dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare.

Në një intervistë për gazetaren Eni Vasili në News 24, Kadare do të shprehej se ai ishte në dijeni të denoncimeve kundër tij tek Sigurimi.

“Unë e dija. Çdo shkrimtar jo vetëm ai që përgjohet e ndjen, e di, e kupton. Intuita e tij ia jep këtë sinjal që ti përgjohesh. Është normale, nuk është ndonjë tmerr i madh siç e bëjnë. Ti mësohesh me këtë gjë, ti vaksinohesh. Kur më tha në një rast një shkrimtar i ri, Bashkim Shehu, biri i kryeministrit të kohës, ishte djalë shumë i mirë, dhe e ndjeu për detyrë të më thoshte në `80, që Ismail ki një çikë kujdes se im atë dhe jo vetëm ai, kanë një mendim se ti mund te jesh dhe pak si agjent i borgjezisë. Ishte një akuzë shumë e madhe. Mirëpo kjo akuzë e kam thënë edhe herë tjetër më bëri mirë nga njëra anë, se pasi kaluan javët e para, pasi sigurisht më paralizoi në një farë mënyre, por ama thashë: mirë unë po jetokam dhe me këtë akuzë kaq të madhe se ishin dhe të tjerat, jo ka ndikime dekadente, jo modernizmat, dhe ta thotë djali i kryeministrit. Ishte guximi i tij që e ka deklaruar hapur këtë gjë më vonë.”-shprehej Kadare.

E megjithatë shumë të tjerë nuk e shohin të rastësishëm emrin e Kadaresë, si ndër shkrimtarët më të denoncuar te Sigurimi.

Shkrimtari në dy kohë

Jeta dhe vepra e Kadaresë janë të lidhura ngushtësisht sëbashku. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Më pas përmendim romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) si një nga librat që i dedikohen shpirtit liridashës të popullit shqiptar.

Në romanin “Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981).

Gjatë këtyre viteve, ’60-’80 Kadare arriti një sukses mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar. Por në vitet ’81-’82 Kadaresë po i përflitej akuza për sabotazh të Partisë në letërsi, art, kulturë dhe pjesëtar i grupit të Mehmet Shehut, i cili s’kishte shumë kohë që ishte gjetur i vdekur.

Duke iu bërë bashkë akuzat si bashkëpunëtor i Shehut dhe përmbajtja e romanit Pallati i ëndrrave, qe gati për t’u dënuar, por i shpëtoi arrestimit për shkak të njohjes ndërkombëtare. Në një shkrim të revistës franceze Lire, Bernard Pivot shkroi se Franca ishte e shqetësuar për faktin që Kadare nuk po i përgjigjej ftesës për të shkuar në Paris, duke shkruar “Ne presim Ismail Kadarenë dhe jo kokën e tij në pjatë …”. Më 1983 e lejuan t’i përgjigjet ftesës franceze dhe të vizitojë Francën pa familje ndërsa gruaja dhe vajzat mbaheshin në Shqipëri si mjet presioni, citon Euronews.

Në tetor 1990 Kadare bashkë me familjen në shenjë proteste kundër procesit të zvarritur të demokratizimit nga kreu i shtetit asokohe Ramiz Alia u largua nga Shqipëria dhe kërkoi strehim politik në Francë. Kohë kur në vend kishte thirrje për persekutimin e tij.

Lidhur me këtë largim të Kadaresë, vetëm pak para rënies së komunizmit, Dumitrascu nuk e shikon edhe aq si largim nga persekutimi, por e vlerëson kështu: “Ai është përsëri në vendin e duhur në kohën e duhur”.

Ajo kujton se Kadare kishte provilegje udhëtimi ndërkombëtar, që shumë shkrimtarë të tjerë në Shqipërinë e asaj kohë nuk e kishin, duke ngritur dyshime mbi të vërtetën e kundërshtisë së Kadaresë ndaj regjimit.

E po njëlloj fati i buzëqeshi Kadaresë edhe gjatë viteve të demokracisë. Pas fitores së Partisë Demokratike në vitin 1992, Kadare u kthye në Shqipëri. Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Në vitet që pasoi vepra e tij u përkthye në dhjetëra gjuhë dhe mori një sërë çmimesh, përveç Nobelit.

Ai u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe nga viti 2018 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.

Por, Kadare nuk mbajti qëndrime mbi ngjarje të rëndësishme politike gjatë tranzicionit në Shqipëri, siç do kishin dashur disa syresh, por siç e ka deklaruar vetë, nuk i pëlqente të përzihej.

Identiteti europian i shqiptarëve

Kjo temë u bë shkak i nisjes së një debati disa vjeçar mes tij dhe Rexhep Qoses. Debat që përfshiu gjithë elitën shqiptare.

Debati mes të dyve u ndez në vitin 2006, me botimin e sprovës së Kadaresë me titull “Identiteti Europian i Shqiptarëve”.

Përmes këtij libërthi, Kadare arsyeton rreth Identitetit Kombëtar të Shqiptarëve dhe jep mendimin se shqiptarët, duhet të kapërcenin 5 shekujt nën thundrën otomane, dhe të riktheheshin si princër të Evropës, tek ADN-ja e Skënderbeut.

Në këtë libërth, Kadare nuk e fshihte bezdinë dhe kundërshtinë ndaj politikës shqiptare e cila qysh në vitet e para të demokracisë hodhi sytë, krahas Perëndimit, edhe në Lindje.

“Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas së cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike. Hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu edhe për të majtën.”– shkruante Kadare.

Por Qose nuk binte dakord me të. Ai shkroi një ese me titull “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, ku kundërshton idetë e Kadaresë.

“Shqiptarët i takojnë qytetërimit ismalik, hiç më pak se qytetërimit të krishterë.”– deklaronte Rexhep Qosja.

Këtu nisi debati, ku përkundër ideve në ndonjë rast dy intelektualët nuk u kursyen ndaj njëri-tjetrit. (Për më shumë mbi debatin e tyre, ndiqni dokumentarin e Euronews Albania)

Fjalët “gjysmak”, “tarallak”, “delirant”, “islamofob” u përdorën në shkrimet e tyre.

I pari Kadare: “Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as shtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi.S ë pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”

Qose i përgjigjej: “Çfarë margaritari politik! Çfarë margaritari diplomatik! Çfarë margaritari historik! Çfarë margaritari gjuhësor-stilistik! Sa kap numri i vjershave, tregimeve, romaneve, sprovave, artikujve, referateve, intervistave me të cilat ti i ke shërbyer posaçërisht shumë asaj kapardisjeje të Shqipërisë në kohën e komunizmit për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksisëm-leninizmit?”

Por ndonëse debati i tyre zgjati për rreth 4 vite, Kadare dhe Qose kishin një mirëkuptim dhe nderim të ndërsjellë për njëri-tjetrin dhe punën e tyre. Me ndarjen nga jeta të Kadaresë, Qose bëri një reagim publik ku i shprehu ngushëllimet familjes dhe miqve të tij, duke thënë se “Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.”

Krahasimi me Nënë Terezën

Në ditën kur u mbajtën homazhet në nder të shkrimtarit të ndjerë, u bë shumë zhurmë pasi u krahasua me Nënë Terezën.

Homazhet për gjeniun e letërsisë shqipe, i cili u nda nga jeta më 1 korrik në QSUT pas një arresti kardiak, u mbajtën në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Mirëpo për atë mbrëmje ishte planifikuar prej kohësh të xhirohej një shfaqje, për t’u publikuar në televizion në shtator me rastin e muajit të shenjtërimit të Nënë Terezës.

Skena ishte e rregulluar dhe bërë gati pikërisht për zhvillimin e kësaj mbrëmjeje, me një skulpturë të duarve të Nënë Terezës punuar me mjeshtëri nga artisti Renato Kullolli.

Si mori famë papritur vepra e duarve të Nënë Terezës me vdekjen e Ismail Kadaresë Video dhe autori i veprës: Renato Kullolli

Posted by Gogo.al on E shtunë, 6 korrik 2024

Por në axhendën e Teatrit në të njëjtën ditë u futën dhe homazhet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, të cilat e gjetën skenën gati.

Kjo gjë nuk u bë e qartë që në fillim për publikun, i cili u konfuzua kur pa një instalacion të Nënë Terezës në pamjet që transmetoheshin live në televizionet informative nga ceremonia. Rrjeti nisi të gëlonte me meme nga më të ndryshmet, të cilat për arsye etike dhe në respekt të shkrimtarit të ndjerë, nuk po i bëjmë publike.

Momente nga ceremonia e homazheve

Madje dhe mesazhi i Presidentit të Republikës Bajram Begaj atë ditë u frymëzua nga kjo dhe gjatë fjalës së tij, ai e përmendi dhe shenjtoren shqiptare: “Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne. Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar.” 

Presidenti Begaj homazhe në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të lamtumirës së fundit të mbajtur më 3 korrik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të tij e shpjegoi se si lindi dekori me siluetën e Nënë Terezës në vendin ku u vendos arkëmorti me trupin e pajetë të shkrimtarit.

“Njoftimi që salla ishte zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sot në darkë. Lëreni aty iu thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk do t’i shkonte mendja çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj…”- tha Rama.

Homazhet në nderim të Ismail Kadaresë🇦🇱

Homazhet në nderim të Ismail Kadaresë🇦🇱

Posted by Edi Rama on E mërkurë, 3 korrik 2024

Por kryeministri, duke u munguar të tregonte para publikut se është një njohës i mirë i letërsisë vendosi të përmendte shembuj nga veprat e shkrimtarit të ndjerë. Madje fjalën e tij e mbylli me një strofë për të cilën tha se vinte nga poema e famshme “Re me pantallona” e poetit rus Vladimir Majakovski të cilën Kadare e ka përkthyer në vitet ’60-të kur ishte fare i ri. Problemi është se përkthimi që ai lexoi nuk qe i Kadaresë, por i Agron Tufës. Një tjetër debat i panevojshëm i krijuar.

Të ndarë apo jo shqiptarët në mendimet për të, fakti që mbetet është që Ismail Kadare është padyshim shkrimtari më i njohur dhe më i suksesshëm shqiptar, me më shumë çmime se kushdo tjetër dhe më i vlerësuar ndërkombëtarisht.

Një njeri mjaft enigmatik siç me të drejtë e quajti dhe mbesa e tij, Kadare do të mbetet i tillë në historinë e letërsisë dhe kombit shqiptar.

Mbesa e Kadaresë, Doruntina: Gjyshi ishte njeri enigmatik, serioz, por edhe shumë i dashur në mënyrën e vet

Leave a Reply

  • (not be published)