Gropa në mes të rrugës, nivele të ndryshme për shkak të ndërhyrjeve të pjessshme te riparimit, gjurmë mbikalimi të ri që të detyron të devijosh djathtas, ujëra të mbledhura në mesin e saj, mungesë ndriçimi. Këto janë sfidat e përditshme të një drejtuesi mjeti që përshkon rrugën Tiranë-Durrës.

Bashkë me drejtuesit, në siklet të përditshëm janë edhe ata qindra pasagjerë që do të duhet të durojnë sa të mbërrijnë te rruga që të lidh me Rinasin apo me Shkozetin a Durrësin.

Ku qëndron problemi

Fatjon Softa, ekspert sigurie thotë për Gogo.al se rruga është problematike për elementët e sigurisë, duke e kthyer në rrezik për aksidente për shkak të përdorimit nga mjetet e rënda dhe investimet e munguara si dhe sistemi i kullimit apo drenazhimit jofunksional.

“Kemi mungesë sinjalistike horizontale dhe vertikale, tabelat apo vijëzime që mungojne dhe në disa raste që ekzistojnë, ato nuk janë fosforeshente sipas normave europiane. Mungesa e ndriçimit, mungesa e korsisë së emergjencës dhe vendpushimeve, duke bërë që drejtuesit të devijojnë për të ruajtur mjetet e tyre dhe kështu bëhen burim aksidentesh”, thekson Softa, i cili shton se lejimi në të i mjeteve që shpesh ndotin rrugën me gurë apo pluhur kanë rrezikuar jo rrallë herë mjetet që lëvizin në këtë aks rruge.

 “Rruga nuk i plotëson standardet”, thotë më tej Softa duke shtuar se “Ndalimi pa kriter i furgonëve të transportit, zbritja e qytetarëve në këtë aks, barrierat mbi ndarësen e aksit të rrugës që shpesh dalin nga aksi i vendosjes dhe bëhen shumë të rrezikshme për jetën e drejtuesve të mjeteve, janë të gjitha burim aksidentesh”.

Një tjetër ekspert, Artur Sulçe analizon gjithë problemet që ka rruga, duke thënë se menjëherë duhet ulur shpejtësia maksimale e lëvizjes.

“Rruga interurbane kryesore Tiranë -Durrës ka një shpejtësi maksimale 90 km/h por në gjendjen që është kjo rrugë, shpejtësia e lëvizjes nuk duhet të jetë më e lartë se 70 km/h, në mënyrë që të mund të shmanget numri i madh i aksidenteve.

Hyrje-daljet e rrugës interurbane kryesore Tiranë -Durrës nuk janë konform kërkesave të Kodit Rrugor, po kështu dhe vendosja e reklamave në këtë segment nuk është në përputhje me kërkesat e kodit rrugor. Qeveria dhe ARRSH-ja janë të paqëndrueshme me zgjidhjet dhe planifikimin e zbutjes së trafikut, në të cilin duhet të japë zgjidhje inovative ashtu siç jep edhe bota.”, thekson Sulçe.

Sipas tij është problematike mbjellja e pemëve në bankinën e rrugës apo dhe sfera prej betoni, të cilat në bazë të V.K.M 628 të vitit 2015 për projektimin e rrugëve nuk lejohen.

“Në vend që t’u japin zgjidhje problemeve të sigurisë rrugore ARRSH-ja dhe qeveria ndryshon rregulloren në zbatim të Kodit Rrugor V.K.M 153 të vitit 2000 duke hequr nene të saj, të cilat bien ndesh me veprimet dhe investimet e tyre joteknike në lidhje me sigurinë në rrugë. Këtë mund ta shihni në Unazën e Madhe të Tiranës nga ish-rrethrrotullimi i Doganës deri tek Teg-u. “, komenton më tej eksperti.

Të pyetur për një zgjidhje të volitshme në këtë situatë dhe nëse kjo rrugë duhet mbyllur deri në riparimin e plotë, ekspertët njëzëri thonë se duke qenë një arterie kryesore nuk mund të mbyllet.

“Duhet të punohet me devijime të përkohshme dhe të riparohet. Duhet të fillojë korsia e tretë dhe ajo e emergjencave. Duhet të sistemohet dhe rruga e vjetër. Të lehtësojë trafikun, ndërkohë që punohet”, propozon eksperti Softa.

Kurse eksperti Sulçe përveç uljes së shpejtësisë maksimale sugjeron disa ndërhyrje emergjente nga autoritetet.

“Në mbingritjet e Maminasit ku është dhe degëzimi i Gjirit të Lalzit duhen vendosur tabela elektronike në të dy drejtimet e rrugës për të dhënë informacion për përdoruesit e rrugës mbi trafikun për të shmangur aksidentet, në mënyrë që të ulin shpejtësinë dhe mos të ndodhin aksidente ku përfshihen 5-6 makina e më shumë. 

Referuar trafikut të shtojë korsitë e lëvizjes dhe trafiku të monitorohet në mënyrë digjitale për t’u informuar përdoruesit e rrugës. Po kështu duhen të shtohen elementët e sigurisë rrugore për shpejtësi të larta, mirëmbajtja dhe sinjalistika duhet të jenë koherente dhe të besueshme, pasi ju e shikoni vetë pasi mbaron një punim në rrugë tabelat e punimit të përkohshëm vazhdojnë të mbeten duke e bërë sinjalistikën të pabesueshme.”, e mbyll analizën Sulçe.

Një rrugë e re që vonon

Por çfarë thotë ARRSH-ja? Si po e menaxhon situatën me rrugën e degraduar në ekstrem? Gentjan Gjyli, drejtor i ri i ARRSH-së thotë për Gogo.al se janë në dijeni të problematikave që paraqet kjo rrugë dhe në mënyrë periodike kanë kryer ndërhyrje me synim përmirësimin e sigurisë rrugore.

Një projekt i ri ka marrë formë për rrugën Tiranë-Durrës, i cili me sa duket vonon, mjafton të sjellim shembuj si unaza në afërsi të Astirit që ende nuk po përfundon.

 “Gjatë kryerjes së punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, ky aks rrugor do jetë funksional, duke menaxhuar trafikun në mënyrë të tillë që të mos pengohet qarkullimi i mjeteve në këtë aks rrugor”, thotë Gjyli.

Projekti Tiranë-Durrës është i ndarë në tre lote:

LOT 1. Segmenti Tiranë – Vorë,

LOT 2. Segmenti Vorë – Sukth,  

LOT 3. Segmenti Sukth – Durrës

Sa mendohet të zgjasë përfundimi i të gjithë rrugës sipas projektit të ri? Minimumi 2 vjet për çdo lot të shpallur. Llogaritë duhen bërë për 3 lote, të cilat sërish do ndahen me faza.

“Duke qenë se kjo ndarje rezulton të ketë vlera preventivi të larta është parashikuar që secili nga lotet të ndahet në nënlote apo faza. Deri më tani është realizuar ndarja e lotit 1 në dy faza. Projekti i rrugës Tiranë– Durres aktualisht me dy faza është shpallur dhe pritet të zhvillohet më datë 08 Maj 2024. Afati për zbatimin e secilës prej tyre është 24 muaj nga nënshkrimi i kontratës.”, përgjigjet më tej Gjyli.

Megjithëse procedurat duan kohë, drejtuesit e mjeteve presin sa më shpejt zgjidhje. Ndërhyrja e menjëhershme nuk ka kohë për lote. Në lojë është jeta e njerëzve.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)