Nga Silvana Kola-Loka

Në lajmet nga mëmëdheu, lexoj se si emigrantët ngarkohen me përgjegjësinë e ikjes, madje u thuhet edhe se duhet të mos ankohen fare sepse kanë ikur me dëshirën e tyre, me vullnetin e tyre të lirë. U thuhet se, duke ikur, ia kanë hequr vetes të drejtën për t’u ankuar dhe për t’u kërkuar llogari qeverive që kanë lënë pas. Unë jam emigrante. Në fillimet e emigrimit nuk dija ta thoja me siguri pse u largova nga Shqipëria pasi nuk jetoja në kushtet e mbijetesës.

Di që kur ika nga Shqipëria, një pjesë të zemrës e lashë aty dhe një pjesë e Silvës vdiq në momentin që avioni u ngrit nga Rinasi duke mbajtur në barkun e tij mua, familjen time të vogël, një tufë leckash dhe 50kg libra. Sot e di me shumë ftohtësi pse ika; e di sepse më është dashur të qaj e të mendoj shumë herë në përpjekje për t’u përshtatur në këtë vend të ri. Ika sepse kushdo e qeverisi atë vend për vite me rradhë, me gjenerata të tëra partish politike, ia dolën të më lodhnin dhe të më demoralizonin.

-I rezistuam sa mundëm idesë t’i çonim vajzat në shkolla private (edhe sepse ato shkolla private që ia vlenin sakrificën ishin financiarisht të papërballueshme). Dhe në fund, u desh kaq mund, 100 telefonata, ndryshim vebdbanimi në Tiranë, kushedi se sa trokitje nëpër dyer për t’u siguruar t’u gjenim vajzave mësueset më të mira të shkollave publike. Dhe u mjaftuam vetëm me mësuesen, duke mbyllur gojën dhe ulur kokën për mungesën e ujit dhe sapunëve në tualetet e shkollës, për mungesën e mjeteve më bazike didaktike në klasa dhe laboratorë, për palestrat e varfra a thua se trupi i fëmijëve ishte i parëndësishëm, për faktin që mësuesve iu merrej fryma dhe iu zhgarravitej figura nga çdo qeverisje kush më shumë e kush më pak.

-U mësuam të mos kërkonim kënde lojërash në çdo cep të qytetit, të mos kërkonim me ngul deri në piskamë që shkollat dhe qendrat komunitare të ofronin aktivitete kulturore, artistike, letrare, sportive e shumë të tjera si këto për të gjithë fëmijët, pa dallim, pa pagesë. U mësuam ta pranonim si të mirëqenë që i rritëm fëmijët pa fëmijëri.

– Në auditorët universitarë ku jepja mësim, çdo ditë, luftoja që t’i bëja studentët ta donin profesionin e psikologut, të kishin respekt për veten, të kishin uri për të lexuar, për të dëgjuar, për të qenë pranues, të dhimbsur e joparagjykues dhe çdo ditë kuptoja që vite të tëra në sistemin parauniversitar e kishin lëkundur nga themelet besimin e studentëve në rëndësinë e dijes, të shkollës, të meritokracisë. Vuanin studentët t’i mbijetonin kotësisë dhe korrupsionit shoqëror së ngritur në kult, e bashkë me ta vuaja edhe unë sepse më dukej vetja kaq e vogël dhe e papërfillshme për të ndryshuar sistemin e për ta bërë më të drejtë për ta e për veten.

-Në spital nuk guxova të shkoja për të trajtuar kancerin e gjirit. Gjenerata të tëra ministrash dhe drejtorësh të paaftë dhe të korruptuar më shtynë të ikja nga sytë këmbët, sa më larg QSUT-së, dhe të shpenzoja çdo qindarkë të kursyer (madje të pranoja edhe dhurime nga njerëz të dashur që nuk notonin në para për veten e tyre) vetëm e vetëm të mund të qendroja gjallë për veten dhe për të dashurit e mi. Halla ime që nuk mundi të përballonte kurimin jashtë, e bëri kemion e ulur në një karrige druri me një këmbë gjysëm të thyer, duke u lutur gjithë kohën që të mos i mungonte doza e radhës dhe që ilaçet në kokteilin e kimioterapisë të mos ishin holluar me ujë sikurse thuhej se mund të ndodhte.

Nuk po them asgjë që nuk e keni dëgjuar më parë. Asgjë që nuk e kanë thënë edhe shumë të tjerë.

Sot jetoj shumë larg Shqipërisë dhe nuk jetoj në parajsë.

Kam qenë e padukshme për një periudhë kohe pasi erdha këtu. Askush nuk më njihte dhe askush nuk donte t’ia dinte sa kisha punuar për t’u bërë Silva.

Ka ditë kur lodhem përtej të arsyeshmes.

Ka periudha kur gjërat nuk shkojnë vaj dhe toka më tronditet nën këmbë nga frika se nuk kam ku të mbahem përveçse tek forcat e mia, sepse rrënjët i kam shumë larg, në Shqipëri, dhe rrënjët e reja janë akoma të papërfillshme.

E megjithatë, vazhdoj të jetoj këtu larg.

E megjithatë ende zgjedh të emigroj.

Dhe e refuzoj me forcë të më thuhet: “Vetë zgjodhe të ikje! Mirë ishe në Shqipëri! Ti doje të ishe më mirë ndaj ike!”

Nuk ika sepse doja të isha më mirë! (Edhe pse të duash të jetosh më mirë është krejt e njerëzishme!)

Ika sepse nuk isha mirë prej kohësh dhe kisha filluar të prodhoja tolerancë e ta shikoja si normale këtë gjendje.

Emigrimi përpara se të jetë rilindje është vdekje.

Emigrimi e mbyt, e shpërbën, e shfaros atë pjesë tënden që ti ke qenë në vendin tënd. Ajo pjesë e jotja mbetet pas e ti nuk e gjen dot kurrë më, sado herë të kthehesh në atdhe, madje edhe nëse vendos të kthehesh përfare.

Bëni kujdes kur flisni për emigrantët!

Po flisni për njerëz që mbajnë një copë zije brenda vetes!

Një copë zije me të cilën iu mbetet të gjejnë çdo mënyrë për të bashkëjetuar!

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Spektakli i humorit “Portokalli” ka nisur sezonin me një skeç ku talleshin qytetarët në protestë. Prej me shumë se 128 ditës ata ngrenë zërin në boulevard kundër qeverisë. Një pjesë...
/ Oct 5