
Sali Berisha autorizon revanshin ndaj Arlind Qorit dhe personazheve qendrorë të protestës. Në muajin maj kur nisi vala e protestave, Partia Demokratike nuk tha gjysmë fjale për të, madje doli tërësisht kundër. Protestë kjo që ndër thirrjet e saj kishte: Rama n’burg, Berisha n’burg. Pikërisht në këtë moment, kur dukej se zëri qytetar nuk po shuhej, Berisha dërgoi me megafonë të rinjtë e FRPD-së të interferonin zërat, të cilët brohorisnin vetëm: Rama n’burg.
Të gjitha partitë opozitare heshtën, madje më shumë se Rama. I vetmi që u pa që prej ditës së parë ishte Arlind Qori, ndonëse qëndronte larg shesheve, ku qytetarët ishin më të shumtë në numër. Kështu, Rama nuk i ndali akuzat ndaj tij, duke i cilësuar grupime Lapaqorrësh.
Me një tjetër linjë akuzash vijon deputeti Flamur Noka, i cili thotë se Arlind Qori ka shërbyer si “zjarrfikës i protestës”.
“8 vjet më parë Arlind Qorri u përdor si zjarrfikës i protestave studentore, rol që e ushtroi së fundmi në të quajturin Revolucioni Flamingo. Ky komunist dhe një grup prej 20-30 mercenarësh nga celula e tij, shkojnë në çdo protestë me një mision të caktuar nga Rama: Shfaqja e tyre para kamerave i jep kryeministrit një alibi për praninë e Antifa-s në protestat e studentëve . Pa shërbimet e Qorit dhe të komunistëve të tij, Rama s’do të guxonte të artikulonte Antifa-n”, shkruan Noka.
Megjithatë, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori tha se nuk ka nder më të madh për të sesa të jetë “hala në sytë e dy keqbërësve”, referuar sulmeve në të njëjtën ditë nga Rama në mëngjes dhe Berisha në drekë.

Në fakt, thirrjet e PD-së që qytetarët t’iu bashkohen protestave të tyre nuk kanë rezultuar efektive. Mospërfillja qytetare ndaj tyre është shfaqur prej kohësh, me të rinj forumesh që përzihen nga turma, me deputetë që hidhen në Lanë për t’i shpëtuar sulmeve dhe me një lider që refuzon të shfaqet vet në protestë, qoftë edhe për përshëndetjen e zakonshme. Kjo u pa edhe ditën kur policia mësyu në oborrin e PD-së, për të kapur protestuesit që sipas tyre ishin fshehur atje. Mbi 5 deputetë, ndër ta edhe nënkryetari Këlliçi mohuan se PD-ja po strehonte protestues. Pak minuta më pas, Berisha tha të kundërtën e tyre që selia e PD-së është streha e studentëve.
Sulmet e Sali Berishës kanë vijuar edhe sot ndaj protestuesve, ku në deklaratën e përditshme i cilësoi protestuesit horra të mikrofonit, vetëm pse kanë artikuluar thirrjen: Rama n’burg, Berisha n’burg.
“Tani duhet t’u them shqiptarëve se kontrolluesit e mikrofonit, horra si ata, u jepnin mikrofonin vetëm atyre të cilët merrnin përsipër sloganin ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe ishin përjashtim të tjerët që mund ta merrnin. Çdo njeri që paraqitej te banda e mikrofonit, merrte porosi se ç’do të thoshte”, deklaroi Berisha.
Menjëherë pas kësaj, reagoi edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila tha se nderi më i madh që Berisha mund t’i bëjë vendit është të largohet. Sipas saj, Berisha nuk u lejua që në 135 ditë protesta të kapej prej tij, ndaj edhe i ka sulmuar.

Po për këtë akuzë të Berishës, reagoi edhe aktivisti Gent Progni, i cili iu drejtua liderit të opozitës, se kur ai vetë protestonte, ai urdhëronte fshirjen e lajmeve në televizionin në lidhje të afërta me të.
Ky sulm i vazhdueshëm ndaj Qorit dhe aktivistëve, a mos është një frikë për fuqizimin e tyre dhe nxjerrjen zbuluar të opozitës që nuk po e bën si duhet rolin saj.


