
Kryeministri Edi Rama duket se ka ndryshuar retorikën e tij në publik pas përfundimit të procesit zgjedhor të 11 majit. Ndërsa opozita shprehet se nuk njeh zgjedhjet e pret rinumërimin e votave, Rama e ka kthyer vëmendjen te turizmi. Dukshëm ra në sy edhe mungesa e tij në seancën plenare.
15 maji, mbledhja në Tiranë e Samitit të Komunitetit Politik Evropian shënoi kthesën e prioriteteve. Rama nuk foli më për kandidatë e votime. Organizimi i Samitit që nga detajet më të vogla e deri të finalja morën gjithë energjinë e stafit si një test garancie për të qenë gati për një takim të këtyre përmasave.
Rama la pas batutat me buf e kënetë për Berishën dhe replikat në distancë me Lulzim Bashën dhe ruajti ligjërimin politik duke përsëritur gati në refren integrimin e Shqipërisë në BE dhe hapjen e negociatave, duke mos harruar edhe marketingun e turizmit.
Si një potencial në rritje, turizmi është parë nga të gjitha qeveritë si “ishulli i thesarit” një drejtim i cili përpiqet do ditë të marrë formë. INSTAT konfirmon se turizmi zë 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, premtues dhe jo pak joshës për ekonominë e jo vetëm.
Në postimet e Ramës kryefjala janë destinacionet e njohura dhe ato pak të prekura turistike, kur pak muaj më parë dominonin komente për rregullimin e pensioneve, siguracionet, akset rrugore e të tjera premtime fushate, që janë zëvendësuar me video nga vija bregdetare nga jugu në veri dhe stacione të tjera si Lezha, Gjirokastra apo Pogradeci. Nuk kaloi pa zhurmë edhe Ishulli i Sazanit që iu ofrua në tabaka dhëndërit të Trumpit. Duket ende e paqartë nëse Rama po promovon Shqipërinë si “sekretin” e fundit në Evropë me natyrën e egër e të paprekur apo Shqipërinë e hoteleve të dhëndërit të Donald Trumpit e aeroportin e Vlorës që ka shkatërruar Lagunën e Nartës.


