
Pas thirrjes së kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, drejtuar qytetarëve për t’u bërë pjesë e fushatës “në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit” përmes firmosjes së një deklarate online, ka ardhur një reagim kritik nga eksperti i teknologjisë dhe sigurisë digjitale, Gent Progni.
Në një video-reagim publik, Progni thekson se thirrja për firmosje online është normale për çdo parti opozitare në një sistem demokratik, por ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po mblidhen dhe përpunohen të dhënat personale të qytetarëve. Pra Progni mendon se Shehaj ka një databazë të fshehtë.
Sipas tij, problematika nis në momentin kur platforma e firmosjes kërkon të dhëna personale dhe kryen verifikime në prapaskenë, pa transparencë për qytetarin. Progni kujton se në Shqipëri, përpunimi i të dhënave personale rregullohet nga Ligji nr. 124/2004 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili parashikon parime të qarta ligjore.
“Përpunimi i të dhënave duhet të jetë i ligjshëm, i drejtë dhe transparent, i lidhur me një qëllim të përcaktuar qartë dhe i bazuar në një bazë ligjore, siç është pëlqimi i lirë dhe i informuar i qytetarit,” – thekson Progni.
Ai shton se, sipas ligjit, pëlqimi nuk është i vlefshëm nëse subjekti i të dhënave nuk është i informuar qartë se çfarë të dhënash mblidhen, për çfarë qëllimi dhe si do të përpunohen ato. Në të kundërt, përpunimi konsiderohet i paligjshëm.
Progni tregon se problemi kryesor qëndron te verifikimi në prapaskenë (backend) i të dhënave të qytetarëve, pa u bërë e qartë se me cilën databazë po krahasohen këto të dhëna.
“Në momentin që sistemi të kthen përgjigjen ‘të dhënat e firmëtarit nuk përkojnë’, kjo do të thotë se të dhënat që fut qytetari po hasohen me një databazë tjetër në prapaskenë. Kjo përbën problem serioz ligjor.”
Ai citon gjithashtu nenet penale që parashikojnë gjobë ose dënim deri në dy vite burg për përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale, duke theksuar se këto shkelje nuk janë thjesht administrative, por mund të kenë pasoja serioze ligjore.
“Sipas nenit 9/1, pika b, mbajtja apo përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në dy vjet për çdo person që, pa të drejtë, përpunon ose kalon në sistemet e tij të dhëna personale të përfituara në mënyrë të paligjshme.”


