
Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi sot kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, me 82 vota kundër heqjes së imunitetit dhe 47 pro, duke i ruajtur asaj imunitetin parlamentar dhe duke bllokuar arrestimin. Siç ka ndodhur në çdo seancë tjetër ku është diskutar çështja Balluku edhe në këtë të sotshme PS-ja dhe Edi Rama u bënë mburojë për Belinda Ballukun duke mos lejuar kështu arrestimin e saj. Të pranishëm në seancë sot ishin 128 deputetë, ndërsa nuk morën pjesë Elisa Spiropali, Bledi Xhafaj dhe vetë Balluku e cila nuk mori pjesë në votim. Seanca plenare nisi në orën 10:00 me leximin e raporteve të përgatitura nga opozita dhe pozita. Oerd Bylykbashi, i Partisë Demokrarike lexoi raportin e PD-së, ku bëhej thirrje që Kuvendi të votojë pro heqjes së imunitetit dhe arrestimit të Ballukut. Raportin e PS-së e lexoi Ulsi Manja, duke kërkuar votim kundër. Gjatë leximit të raportit të PD-së, kryeministri Edi Rama u largua nga salla dhe u rikthye kur nisi leximi i raportit të PS-së.

Pas rrëzimit të kërkesës, brenda sallës u krijuan tensione, deputetët e PD-së bllokuan foltoren, goditën tavolinat dhe shfaqën pankarta me thirrje për dorëheqje, duke krijuar zhurmë dhe përplasje me mazhorancën. Në të njëjtën kohë, jashtë godinës së Kuvendit, PD-ja po organizon një protestë me pjesëmarrjen e kryedemokratit Sali Berisha, deputetëve dhe mbështetësve të tij. Gjatë tubimit, Klevis Balliu mbajti fjalën duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe për mbrojtjen politike të Ballukut. Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, Parlamenti ishte i blinduar me gardhe metalikë dhe rreth 1500 efektivë sigurie ishin të vendosur për të ruajtur qetësinë.


Mazhoranca argumentoi se vota kundër kërkesës së SPAK-ut ishte e domosdoshme për të ndarë gjykimin publik nga procesi i rregullt ligjor, duke theksuar se ndaj Ballukut nuk ka akuza për korrupsion. Ndërkaq, opozita e cilësoi rrëzimin e kërkesës si një mbrojtje politike dhe një pengesë ndaj llogaridhënies së drejtë para ligjit. Ambasadat britanike dhe amerikane u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe paralajmëruan se imuniteti parlamentar nuk duhet të pengojë sundimin e ligjit.



