
Nga Mentor Kikia
Zyra e Presidentit Tramp shpërndau mbrëmë fotot e “kortezisë” me drejtuesit e delegacioneve që morën pjesë ne Asamblenë e OKB-së në Nju Jork. Kryeministri i Shqipërisë e publikoi foton me një diçiturë jo serioze, ose më saktë jo etike: Si thatë ju, nuk e takova ë? Ja plasini sytë tani. Dhe mos e vini në dyshim, se do dilni si “koqe” kandari- ishte si nxjerrje e një mllefi ndaj atyre që kishin thënë se shkove në Nju Jork e nuk takove askënd. Kryeministri i Maqedonisë, “provincial ballkanas” edhe ai, i vetëdijshëm që ky nuk është një “takim” por vetëm një foto mirësjelljeje, thjeshtë ka shkruar: “Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara, një aleancë e bazuar në besim, mbështetje dhe miqësi”.

Edhe kryeministri i Pakistanit ka publikuar foton, por është kujdesur ta shkruajë në fund – “Foto kortezie”. Fotoja e kryeministrit shqiptar u shpërnda vrullshëm nga ministra e deputetë, me sihariqin e madh: Hë e patë, e patë që e takoi? Po tani çfarë do të thoni? Vend anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, 36 vjet hapur me Botën e Madhe dhe ende qurraviteni e jargaviteni pas një fotografi, që nuk ka asnjë vlerë politike, por thjeshtë procedurë.




