
Serbia po kalon një nga momentet më të trazuara të viteve të fundit, ku protestat e nisura nga studentët janë shndërruar në një valë të gjerë mobilizimi shoqëror kundër presidentit Aleksandar Vuçiç. Gjithçka filloi më 1 nëntor 2024, pas shembjes tragjike të kupolës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik dhe nxiti zemërimin e qytetarëve ndaj korrupsionit, paaftësisë dhe menaxhimit të dobët shtetëror.
Fillimisht, studentët reaguan me protesta simbolike. Në muajt shkurt–dhjetor 2024 ata mbajtën heshtje 15-minutëshe dhe bllokuan qarkullimin në orën e saktë kur ndodhi tragjedia, duke përdorur sloganin “Serbia, ndal”. Kur më 22 nëntor ndodhën sulme ndaj studentëve pranë Fakultetit të Arteve në Beograd, lëvizja mori një kthesë më të fortë. Ajo u shndërrua në okupime fakultetesh, bllokime dhe organizime të decentralizuara, duke kaluar nga forma simbolike te një rezistencë e përhapur në gjithë vendin.
Në kulmin e saj, më 15 mars 2025, Beogradi pa protestën më të madhe që nga fundi i komunizmit. Mes 250 mijë dhe 350 mijë njerëz dolën në sheshe për të kërkuar llogaridhënie dhe ndryshim politik. Në janar dhe shkurt të këtij viti, protesta u shndërrua në një grevë të përgjithshme. Studentë, mësues, bujq, artistë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme mobilizuan mbi 400 qytete, ndërsa mbi 80 fakultete mbetën të bllokuara. Ky mobilizim masiv solli në skenë një lëvizje të paprecedentë në Ballkan, ku rinia dhe shoqëria civile ndërtuan një front të përbashkët kundër pushtetit.

Nga prilli deri në qershor 2025, kërkesat u radikalizuan. Protestuesit kërkuan zgjedhje të parakohshme, reforma institucionale dhe transparencë të plotë nga qeveria. Demonstratat u shoqëruan me përplasje të dhunshme me policinë, duke treguar se vendi ndodhej në një krizë të thellë politike. Situata kulmoi në mesin e gushtit 2025, kur për disa ditë me radhë protestat në Beograd dhe qytete të tjera u përshkallëzuan në dhunë. Policia përdori gaz lotsjellës, zyrat e Partisë Progresive Serbe u dogjën në disa zona, qindra persona u arrestuan dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Presidenti Vuçiç doli publikisht duke i quajtur protestuesit “terroristë” dhe premtoi një reagim të ashpër shtetëror, ndërsa ministria e Brendshme mohoi përdorimin e dhunës nga forcat e rendit.
Edhe pse tragjedia e Novi Sadit ishte pika e parë e ndezjes, faktorët e tjerë shoqërorë janë të pamohueshëm. Serbia është përballur prej vitesh me korrupsion kronik, kapje të institucioneve nga një elitë e konsoliduar politike dhe mungesë të llogaridhënies. Vuçiç dhe partia e tij, që dominojnë jetën politike prej më shumë se një dekade, perceptohen nga shumë qytetarë si një regjim i konsumuar, i lidhur me krimin e organizuar dhe i paaftë të ofrojë reforma reale. Protestat e fundit janë kështu jo vetëm një reagim ndaj një tragjedie, por edhe shprehje e lodhjes së shoqërisë ndaj kontrollit politik dhe mungesës së demokracisë së vërtetë.
Ajo që e bën këtë lëvizje të veçantë është përmasat e saj shoqërore. Nuk është vetëm një revoltë studentore, por një mobilizim që përfshin mësues, punëtorë, bujq e artistë, pra shtresa të tëra të shoqërisë. Organizimi është bërë nga poshtë, përmes asambleve të hapura ku studentët dhe qytetarët diskutojnë kërkesat e tyre, pa ndërmjetësim të partive politike. Kjo formë vetëqeverisjeje horizontale. ka krijuar një model të ri demokracie qytetare, duke sfiduar direkt pushtetin e centralizuar.

Kjo gjendje në Serbi nuk mbetet pa pasoja për rajonin. Pozitivisht, ajo ekspozon domosdoshmërinë e llogaridhënies dhe të reformave demokratike. Fryma e protestës mund të frymëzojë qytetarët e Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit që të kërkojnë më shumë transparencë dhe sundim të ligjit. Mund të krijojë gjithashtu solidaritet rajonal, përmes platformave online dhe shqetësimeve të përbashkëta, duke ndihmuar bashkëpunimin demokratik në një zonë që shpesh ka qenë e ndarë nga tensionet etnike. Nga ana tjetër, ekziston edhe rreziku i instrumentalizimit politik. Elitat mund të përdorin protestat për të forcuar retorikat nacionaliste, duke e zhvendosur vëmendjen nga korrupsioni dhe dështimet e brendshme tek konfliktet me Kosovën apo raportet me Perëndimin. Marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën shtojnë një dimension tjetër të brishtë, që mund të ndikojë negativisht në stabilitetin rajonal.


