Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës i nisur në shkurt të vitit 2022, kur forcat ruse ndërmorën një pushtim të plotë të territorit ukrainas, duke pretenduar mbrojtjen e interesave të tyre strategjike dhe të rusishtfolësve në Donbas. Lufta ka shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale, duke nxitur reagime ndërkombëtare, përfshirë sanksione të ashpra kundër Moskës dhe ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën nga Perëndimi.

Presidenti Donald Trump ka shfaqur interes për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, duke propozuar një plan 28-pikësh që ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Plani, sipas “Reuters”, kërkon që Ukraina të bëjë koncesione të mëdha, përfshirë dhënien e kontrollit mbi pjesë të Donbasit, reduktimin e forcave të saj të armatosura dhe ndalimin e bashkimit me NATO-n, në këmbim të garancive sigurie dhe një armëpushimi.

Draft-marrëveshja me 28 pika, e plotë:
1. Sovraniteti i Ukrainës do të konfirmohet.

2. Do të përfundohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mos-agresioni midis Rusisë, Ukrainës dhe Europës. Të gjitha paqartësitë e 30 viteve të fundit do të konsiderohen të zgjidhura.

3. Pritet që Rusia të mos pushtojë vendet fqinje dhe NATO të mos zgjerohet më tej.

4. Do të zhvillohet një dialog midis Rusisë dhe NATO-s, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, për të zgjidhur të gjitha çështjet e sigurisë dhe për të krijuar kushte për de-përshkallëzim, me qëllim garantimin e sigurisë globale dhe rritjen e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik në të ardhmen.

5. Ukraina do të marrë garanci të besueshme sigurie.

6. Madhësia e Forcave të Armatosura të Ukrainës do të kufizohet në 600,000 trupa.

7. Ukraina pranon të përfshijë në Kushtetutë se nuk do t’i bashkohet NATO-s, dhe NATO pranon të përfshijë në statutet e saj një dispozitë që Ukraina të mos pranohet në të ardhmen.

8. NATO pranon të mos vendosë trupa në Ukrainë.

9. Avionë luftarakë europianë do të vendosen në Poloni.

10. Garancia e SHBA-së: • SHBA do të marrë kompensim për këtë garanci;
• Nëse Ukraina pushton Rusinë, ajo do ta humbasë garancinë;
• Nëse Rusia pushton Ukrainën, përveç një reagimi ushtarak të koordinuar dhe vendimtar, të gjitha sanksionet globale do të rikthehen, njohja e territoreve të reja dhe të gjitha përfitimet e tjera të kësaj marrëveshjeje do të anulohen;
• Nëse Ukraina lëshon një raketë drejt Moskës ose Shën Petersburgut pa shkak, garancia e sigurisë do të konsiderohet e pavlefshme.

11. Ukraina ka të drejtë për anëtarësim në BE dhe do të marrë akses preferencial afatshkurtër në tregun europian, ndërkohë që kjo çështje shqyrtohet.

12. Një paketë e fuqishme globale masash për rindërtimin e Ukrainës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:
• Krijimin e një Fondi për Zhvillimin e Ukrainës për të investuar në industri me rritje të shpejtë, përfshirë teknologjinë, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale;
• Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Ukrainën për rindërtimin, zhvillimin, modernizimin dhe operimin e përbashkët të infrastrukturës së gazit të Ukrainës, përfshirë tubacionet dhe depot e magazinimit;
• Përpjekje të përbashkëta për rehabilitimin e zonave të prekura nga lufta, për restaurimin, rindërtimin dhe modernizimin e qyteteve dhe zonave të banuara;
• Zhvillimin e infrastrukturës;
• Nxjerrjen e mineraleve dhe burimeve natyrore;
• Banka Botërore do të zhvillojë një paketë të posaçme financimi për të përshpejtuar këto përpjekje.

13. Rusia do të riintegrohet në ekonominë globale:
• Heqja e sanksioneve do të diskutohet dhe miratohet në faza dhe rast pas rasti;
• Shtetet e Bashkuara do të lidhin një marrëveshje afatgjatë bashkëpunimi ekonomik për zhvillim të ndërsjellë në fushat e energjisë, burimeve natyrore, infrastrukturës, inteligjencës artificiale, qendrave të të dhënave, projekteve për nxjerrjen e metaleve të rralla në Arktik dhe mundësi të tjera korporative me përfitim të ndërsjellë;
• Rusia do të ftohet të ribashkohet me G8-ën.

14. Fondet e ngrira do të përdoren si më poshtë:
• 100 miliardë dollarë (76 miliardë paund) nga asetet e ngrira ruse do të investohen në përpjekje të udhëhequra nga SHBA për rindërtimin dhe investimin në Ukrainë;
• SHBA do të marrë 50% të fitimeve nga ky investim. Europa do të shtojë 100 miliardë dollarë (76 miliardë paund) për të rritur shumën e investimeve të disponueshme për rindërtimin e Ukrainës. Fondet europiane të ngrira do të çlirohen. Pjesa e mbetur e fondeve ruse të ngrira do të investohet në një mekanizëm të veçantë investimi SHBA–Rusi, që do të zbatojë projekte të përbashkëta në fusha të caktuara. Ky fond do të synojë forcimin e marrëdhënieve dhe rritjen e interesave të përbashkëta për të krijuar një stimul të fortë për të mos u rikthyer në konflikt.

15. Do të krijohet një grup i përbashkët pune SHBA–Rusi për çështjet e sigurisë, për të promovuar dhe garantuar zbatimin e të gjitha dispozitave të kësaj marrëveshjeje.

16. Rusia do të përfshijë në legjislacion politikën e saj të mos-agresionit ndaj Europës dhe Ukrainës.

17. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të bien dakord për zgjatjen e vlefshmërisë së traktateve për mos-përhapjen dhe kontrollin e armëve bërthamore, përfshirë Traktatin START I.

18. Ukraina pranon të jetë një shtet jo-bërthamor, në përputhje me Traktatin për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore.

19. Centrali Bërthamor i Zaporizhias do të vihet në funksion nën mbikëqyrjen e IAEA-s, dhe energjia elektrike e prodhuar do të shpërndahet në mënyrë të barabartë midis Rusisë dhe Ukrainës – 50:50.

20. Të dy vendet angazhohen të zbatojnë programe arsimore në shkolla dhe shoqëri, me qëllim promovimin e mirëkuptimit dhe tolerancës mes kulturave të ndryshme dhe eliminimin e racizmit dhe paragjykimeve:
• Ukraina do të miratojë rregullat e BE-së për tolerancën fetare dhe mbrojtjen e pakicave gjuhësore;
• Të dy vendet do të bien dakord të shfuqizojnë të gjitha masat diskriminuese dhe të garantojnë të drejtat e mediave dhe arsimit ukrainas dhe rus;
• Çdo ideologji dhe aktivitet nazist duhet të refuzohet dhe të ndalohet.

21. Territoret:
• Krimea, Luhansku dhe Donetsku do të njihen si de facto ruse, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara;
• Khersoni dhe Zaporizhia do të “ngrihen” përgjatë vijës së kontaktit, çka do të nënkuptojë njohje de facto sipas kësaj vije;
• Rusia do të heqë dorë nga territore të tjera të dakorduara që kontrollon jashtë këtyre pesë rajoneve;
• Forcat ukrainase do të tërhiqen nga pjesa e Oblastit të Donetskut që aktualisht e kontrollojnë, dhe kjo zonë tërheqjeje do të konsiderohet një zonë neutrale e çmilitarizuar, e njohur ndërkombëtarisht si territor që i përket Federatës Ruse. Forcat ruse nuk do të hyjnë në këtë zonë të çmilitarizuar.

22. Pas dakordësimit për rregullimet territoriale të ardhshme, si Federata Ruse ashtu edhe Ukraina angazhohen të mos i ndryshojnë këto rregullime me forcë. Çdo garanci sigurie nuk do të zbatohet në rast shkeljeje të këtij angazhimi.

23. Rusia nuk do ta pengojë Ukrainën të përdorë lumin Dnieper (Dnipro) për aktivitete tregtare dhe do të arrihen marrëveshje për transportin e lirë të grurit përmes Detit të Zi.

24. Do të krijohet një komitet humanitar për të zgjidhur çështjet e mbetura:
• Të gjithë të burgosurit dhe trupat e mbetur do të shkëmbehen sipas parimit “të gjithë për të gjithë”;
• Të gjithë të ndaluarit civilë dhe pengjet do të kthehen, përfshirë fëmijët;
• Do të zbatohet një program ribashkimi familjar;
• Do të merren masa për të lehtësuar vuajtjet e viktimave të konfliktit.

25. Ukraina do të mbajë zgjedhje brenda 100 ditëve.

26. Të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt do të marrin amnisti të plotë për veprimet e tyre gjatë luftës dhe bien dakord të mos paraqesin asnjë kërkesë apo ankesë në të ardhmen.

27. Kjo marrëveshje do të jetë ligjërisht detyruese. Zbatimi i saj do të monitorohet dhe garantohet nga Këshilli i Paqes, i kryesuar nga Presidenti Donald J. Trump. Sanksione do të vendosen për shkeljet.

28. Sapo të gjitha palët të bien dakord për këtë memorandum, armëpushimi do të hyjë në fuqi menjëherë, pasi të dyja palët të tërhiqen në pikat e dakorduara për të nisur zbatimin e marrëveshjes.

Rusia e ka mirëpritur pjesërisht propozimin dhe ka insistuar që Ukraina të pranonte neutralitetin dhe të ndalonte çdo ambicie për NATO-n, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të adresojë shkaqet rrënjësore të konfliktit (Reuters). Ndërsa Ukraina, përmes presidentit Volodymyr Zelenskiy, është shprehur e gatshme të diskutojë planin, duke kërkuar garanci të forta sigurie nga SHBA-ja dhe partnerët europianë. Zelenskiy ka nënvizuar se negociatat duhet të sigurojnë një armëpushim përgjatë vijës së frontit aktual dhe një paqe të dinjitetshme që ruan sovranitetin e vendit (AP News).

Shtetet e Bashkuara, përmes sekretarit të shtetit Marco Rubio dhe emisarit special Steve Witkoff, kanë mbrojtur planin si një mundësi për një paqe të qëndrueshme dhe kanë bërë thirrje për koordinim me Evropën (Newsweek). Evropa, përmes Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, ka reaguar me rezervë, duke theksuar se paqja nuk mund të nënkuptojë kapitullim dhe se Ukraina duhet të ketë pjesëmarrje të plotë në negociata. Liderët europianë kanë kërkuar gjithashtu mbështetje financiare për Ukrainën duke përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar buxhetin civil dhe ushtarak (Reuters, AP News).

Pas shumë takimesh dhe diskutimesh presidenti amerikan sulmon aleatët, duke vënë në dyshim lidershipin e BE-së dhe duke sinjalizuar ndërhyrje në politikën e brendshme europiane, ndërsa tensionet mbi luftën në Ukrainë dhe krizën e migracionit thellohen. “Një grup kombesh të kalbëzuara, drejtuar nga njerëz të dobët”, thotë ai në një intervistë për “Politico”.

Sipas “Reuters”, sot Ukraina ka hequr dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n, duke pranuar garanci sigurie bilaterale nga SHBA-ja dhe partnerët europianë. Takimet në Berlin mes ekipit ukrainas, emisarëve amerikanë dhe përfaqësuesve europianë po vazhdojnë, me fokus në armëpushim dhe garanci ligjërisht të detyrueshme. Lufta në terren vazhdon, me sulme ruse ndaj infrastrukturës dhe qyteteve ukrainase, duke shkaktuar ndërprerje energjie dhe ujit për mijëra civilë.

Negociatat e Trump-it kanë sjellë një mundësi të re diplomatike, por kanë nxitur tensione ndërkombëtare mbi kufijtë dhe garancitë e sigurisë. Zelenskiy përpiqet të balancojë nevojën për paqe me ruajtjen e sovranitetit dhe dinjitetit të vendit të tij.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10