
Nga Rezarta Caushaj
Programi “Pas shkolle” që degdis një pjesë e nxënësve në turn të tretë
Fiks në kohë për vitin e ri shkollor, MAS dhe Këshilli i Ministrave nxorrën një sërë vendimesh dhe deklaratash zyrtare në lidhje me zgjerimin e programit “Pas Shkolle” në mbi 400 shkolla në vend.
Vendimi u shpall fiks në fund të korrikut (31 korrik) dhe në fillim të shtatorit u hapën vakancat për trajnerët e profesionistët që do të fillojnë punën vetëm 2 javë më vonë.
Më shumë se një hap i mirëmenduar e i mirëpërgatitur, nisma dukej si hapi i një qeverie që i ka ditur shumë mirë nevojat e qytetarëve, por nuk është shqetësuar t’i adresojë deri kur njëfarë Revolucioni i trokiti në derë (Bulevard). Temë më vete…!
Zv. Ministrja e Arsimit, Herida Duro, në një deklaratë javën e shkuar tha se shkollat ishin shtuar dhe kushtet ekzistonin tashmë për të garantuar suksesin e programit.
Sa bukur!
Prindërit në marrëdhënie pune nuk kanë më nevojë të gjejnë zgjidhje alternative ose të shkëputen nga puna për të marrë fëmijët në mesditë, pasi ata qëndrojnë në shkollë nën monitorim të sigurt.
As duhet të paguajnë kurse apo qendra ditore private për kryerjen e detyrave dhe aktivitetet jashtëshkollore (art, sport, muzikë).
As nuk mbingarkohen me detyrat e shtëpisë në mbrëmje, duke e kthyer kohën e kaluar me fëmijën në kohë cilësore familjare.
Plus që fëmijët do t’i kenë një mjedis “të mbrojtur” dhe jo të ekspozuar ndaj rreziqeve apo vetmisë në shtëpi.
Le të shpresojmë që nisma do të funksionojë bash kështu për nxënësit “e nënës” (programit)
Por, rlmesa duket, ata të “njerkës” (jashtë programit) jo vetëm që duhet t’i vuajnë ende peripecitë më sipër, por tashmë fëmijët e tyre duhet të mësojnë në turnin e tretë.
Orari për nxenësit që NUK do të jenë pjesë e programit është 13.30-18.45, sipas njoftimit që u ka shkuar prindërve.
Nëse je prind në marrëdhënie pune, do ta nxjerrësh fëmijën nga ora 7.00-8.00 të mëngjesit për te qendra para shkolle dhe do ta presësh të dal nga shkolla 12 orë më vonë.
Veç mungesês së konsultimit të prindërve, nuk ka asnjë sqarim elementar mbi mënyrën se si janë përzgjedhur klasat që do përfshihen në programin “Pas shkolle”.
Apo se përse duhet që një pjesë e nxënësve dhe prindërve të mbajnë barrën për mungesën e kushteve për zbatimin të këtij programi?!
PS: Bashkëngjitur është komunikimi që dtejtoria e shkollës Hasan Prishtina u ka nisur prindërve dhe kërkesa që një grup prindrish për të rishikuar orarin absurd.


