
Flasim për perime me ngarkesë pesticidesh apo qumësht me aflatoksinë, po kush është përgjegjës për këtë? Në një bisedë në Gogo.al me gazetaren Valmora Gogo, profesori i Veterinarisë, Nefail Biba fajëson direkt korrupsionin shtetëror që sipas tij është i dukshëm: “Tani ne jemi të mbërthyer, më vjen keq ta them, korrupsion shtetëror, që është i dukshëm dhe s’mund të shash një kontigjent tjetër që bën manovrime. Unë s’pajtohem kurrë me këtë, jemi një brez që jemi të bardhë në këtë anë. Le të na dëgjojnë kolegët, studentët. Ne s’pajtohemi me këtë”, tha ai.
Sistemi i shërbimit veterinar për Bibën është i çorientuar dhe thotë se shkak është bërë fakti se nuk janë sjellë njerëzit e duhur në vendet e duhura, dhe në kohën e duhur, “Sillen njerëz pa shumë integritet… që nuk kanë eksperiencën dhe shkallën e duhur të njohurive që mund të drejtojnë një situatë të tillë”. Biba sjell shembull përvojën e viteve më parë kur thotë se: “Njiheshin sëmundjet, ishin shumë të ndërgjegjshëm e të rreptë në zbatimin e vaksinimeve dhe masave profilaktike që bënin dhe dihej se sa kafshë kishte, nga hynin, kush i kishte dhe kush i trajtonte, tani bëhen tendera që vijnë vaksinat me vonesë, nuk bëhen në kohën e duhur, nuk bëhen të gjitha”. Sipas tij puna çalon te futja e substancave apo preparative veterinare të pakontrolluara dhe jo në cilësinë e duhur.
Bujqësia sipas Bibës ka një problem akoma më të madh. Sipas tij përdoren më shumë substanca se sa te veterinaria dhe janë të pakontrollueshme, që te futja jashtë dogane dhe shitja me çmime të ulëta. “Janë të ndaluara dhe shiten më lirë. Këto substanca u kanë mbetur stoqe firmave jashtë dhe ata gjejnë të gjitha rrugët për t’i marrë e për t’i çuar në vendet që janë më dobëta, në vendet që kanë kontrollin më të dobët, që kanë ekonominë më të dobët, që i marrin me çmime më të ulëta”, sqaron ai. Ai sugjeron si zgjidhje emergjente disiplinimin e hyrjes së substancave të ndaluara në vendin tonë dhe 0 tolerancë ndaj personave përgjegjës. Biba thotë se 2 zv. ministrat e Bujqësisë duhet të gjejnë mënyrat për të forcuar kontrollet: “Ata duhet të japin alarmin, duhet të thërrasin në kupë të qiellit si është e mundur!… Po kjo do punë dhe njerëz që t’i njohin grupet e substancave”.
Një tjetër pikë kyçe është edhe prodhuesi. “Ne e kemi prodhuesin akoma në nivele që atë e drejton biznesi i interesit të shpejtë. Ai duhet të mësohet që të prodhojë mall në cilësinë e duhur, këtu është e gjitha siguria, se cilësia mund të tolerohet, po siguria është një”, tha Biba. Sipas tij shteti duhet të planifikojë financime për periudha 10-vjeçare pa fitim për të mbështetur prodhuesit. “Se kur një prodhues të arrijë që në 3-4-5 vjet të prodhojë një mall të mirë dhe është mbështetur, ai nuk kthehet më mbrapsht”, shton Biba si një mundësi që u duhet dhënë prodhuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë ushqimore për vete dhe konsumatorët.


