
Kreu i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi ka ngritur padi penale ndaj Emin Kokalarit pas përhapjes së lajmit së ai ishte infektuar me HIV / AIDS. Avokati i Golemit, Arben Llangozi e ka konsideruar lajmin si përhapje paniku. Ai ka depozituar një dosje prej 30 faqesh ndaj Kokalarit. “Kam ardhur pranë drejtorisë vendore të policisë Gjirokastër për të depozituar kallëzim penal dhe hetimin e faktit penal, që është shpërndarë në rrjetet sociale që në Bashkinë Gjirokastër është përhapur HIV-AIDS”. Avokati ka kërkuar të qetësojë qytetarët që të jenë edhe më të bindur se lajmi nuk është i vërtetë.
Lexo edhe shkrimin me titull: Gazetari Basir Çollaku: “Një kryebashkiak dhe 18 punonjëse me HIV/AIDS”, reagon Bashkia e Gjirokastrës
“Të hetohen edhe funksionarët e bashkisë, të cilët janë implikuar në këto rrjete sociale. Ose këta persona që kanë shpërndarë epideminë, ose personat që kanë shpërndarë panik, të vihen përpara përgjegjësisë penale. Në fund të fundit duhet që qytetarët e Gjirokastrës të marrin një përgjigje të saktë nëse ka epidemi në bashki, apo jo. Nëse s’ka, autorët që kanë shpërndarë këtë panik dhe këtë lajm të rremë, duhet të vihen përpara përgjegjiësisë penale”, – tha Llangozi.

Avokati Arben Llangozi
Emin Kokalari bëri të ditur se në Gjirokastër janë 150 persona të infektuar, ku 15 prej tyre janë pjesë e stafit të Bashkisë. Golemi ka publikuar përgjigjet e analizave nga spitali i Janinës ku ai rezulton negativ. Sipas policisë Kokalari është nën hetim në gjendje të lirë ndërsa policia bëri të ditur se ka sekuestruar celularin e tij dhe prokuroria ka marrë në shqyrtim edhe një urdhë-ndalimi. 33-vjeçari Kokalari, akuzohet për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Më tej policia ka kërkuar përgjegjësi në përdorimin e rrjeteve sociale si edhe të shmanget shpërndarja e informacioneve të pavërteta për të ndaluar cënimin e rendit publik dhe sigurinë e qytetarëve.
Për lajmin ka bërë një postim edhe gazetari Basir Çollaku. Ai ka shkruajtur në “Facebook” se një kryebashkiak në jug të vendit dhe 18 punonjëse të bashkisë janë të infektuar me HIV/AIDS. “Një kryebashkiak në jug, është diagnostikuar me SIDA, sëmundje seksualisht e transmetueshme. Burime serioze shumë të besueshme bëjnë me dije se në këtë qytet njerëzit janë në panik. Flitet se janë infektuar disa punonjëse në këtë bashki dhe pastaj telashi shëndetësor është përhapur. Virusi ka marrë qytetin.. Mazhorancë me vegla në dorë. Kujdes votën, prapë aty te SIDA… Përtej shakasë kjo është një e vërtetë e hidhur !!! Kësaj i thonë e gjetsh nga Ngushtica e Hormuzit…”, shkruajti Çollaku, kur ende nuk ishte identifikuar emri i Flamur Golemit.


