
Vendosja e kamerave me inteligjencë artificiale në 20 shkolla publike në Tiranë është kthyer në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit, duke ndarë opinionin publik mes atyre që e shohin si një hap drejt sigurisë dhe atyre që ngrenë shqetësime për privatësinë dhe efektivitetin e saj. Projekti, pjesë e nismës “Smart City”, synon rritjen e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e incidenteve përmes monitorimit të vazhdueshëm. Kamerat inteligjente pritet të identifikojnë situata të dyshimta, si grumbullime të papritura apo objekte të rrezikshme, duke sinjalizuar autoritetet për reagim të shpejtë. Për shumë qytetarë dhe prindër, kjo është një masë e nevojshme në një kohë kur raportohen raste të dhunës mes nxënësve. Sipas tyre, vetë fakti që nxënësit e dinë se janë nën vëzhgim mund të ndikojë në uljen e sjelljeve problematike dhe rritjen e disiplinës.
Nga njëra anë, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve e shohin projektin si një hap me ndikim të dyfishtë. Belioza Çoku thekson se monitorimi i vazhdueshëm mund të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimin e sjelljes së nxënësve, pasi ata do të jenë më të kujdesshëm duke ditur që janë nën vëzhgim. Sipas saj, kjo mund të ulë incidentet, sidomos ato që ndodhin në korridore apo ambiente të përbashkëta. Megjithatë, ajo paralajmëron edhe për efektet psikologjike që mund të sjellë një survejim i vazhdueshëm. Nxënësit mund të ndihen të pasigurt apo nën presion, veçanërisht nëse nuk ka transparencë mbi mënyrën se si përdoren të dhënat dhe kush ka akses në to. Sipas Çokut, është thelbësore që shkollat të kenë protokolle të qarta dhe që informacioni të ndahet edhe me prindërit, për të krijuar besim dhe për të shmangur keqkuptimet.
Nga ana tjetër, ekspertët e arsimit mbeten skeptikë për mënyrën si po zbatohet kjo nismë. Ndriçim Mehmeti ngre shqetësimin për mungesën e transparencës dhe informacionit të detajuar mbi funksionimin e projektit. Sipas tij, ende nuk është e qartë se kush do t’i monitorojë kamerat, si do të përdoren të dhënat dhe çfarë garancish ka për mbrojtjen e privatësisë. Ai e konsideron projektin si një nismë pilot, për të cilën mungon qartësia mbi qëllimin afatgjatë dhe efektivitetin real. Për Mehmetin, pa këto elemente, ekziston rreziku që teknologjia të përdoret pa një strategji të mirëfilltë dhe pa adresuar problemet thelbësore të sistemit arsimor.
Në thelb, projekti “Smart City” synon të rrisë sigurinë dhe të parandalojë krimin përmes teknologjisë së avancuar. Por debati që ka lindur tregon se çështja nuk është vetëm teknologjike. Ajo lidhet me balancën mes sigurisë dhe privatësisë, mes kontrollit dhe edukimit.


