Bimë dhe kallamishte kanë mbirë teksa ujërat e Liqenit të Prespës së Vogël në kufirin shqiptaro-grek zvogëlohen, e bukuria e tyre lë në hije një të vërtetë të dhimbshme: liqeni po vdes ngadalë. Liqeni dikur i pastër si kristal është shndërruar kryesisht në një gropë uji moçalore në këtë cep të Shqipërisë juglindore. “Para disa vitesh ky ishte një liqen me ujë të pastër. Peshkimi ishte jeta jonë. Por sot nuk na ka mbetur asgjë. Liqeni ka vdekur.”– tha banori i zonës Enver Llomi, 68 vjeç. Varkat e braktisura tani kanë ngecur në baltë ose kalben në diell në tokë të thatë. Lopët kanë zëvendësuar peshqit dhe enden përreth pa u afruar shumë pranë ujit që tërhiqet.

Pjesa më e madhe e Liqenit të Prespës së Vogël, ndodhet në territorin grek, me majën e tij jugore që kalon në Shqipëri. Është një kushëri më i vogël i Liqenit më të madh të Prespës në veri. Sipas ekspertëve, nga 450 hektarë të Liqenit të Prespës së Vogël që janë në pjesën shqiptare, të paktën 430 hektarë janë shndërruar në këneta ose janë tharë.

Për banorët, fillimi i fatkeqësisë daton në vitet 1970, kur autoritetet komuniste devijuan lumin Devoll për të vaditur arat përreth qytetit të afërt shqiptar të Korçës. “Disa vite më parë, ne mund të kapnim deri në 10 kilogramë peshk në ditë, ne mund të përdornim ujin për të ujitur.”– tha Llomi për AFP-në me një buzëqeshje të hidhur. Ndryshimet klimatike e kanë përkeqësuar problemin, thonë ekspertët. Rritja e temperaturave dhe dimrat gjithnjë e më të butë me pak reshje bore dhe mungesë reshjesh kanë goditur liqenin. “Nëse këtë vit dimri është i thatë do të jetë edhe më keq. Dhe nëse verën e ardhshme është gjithashtu i nxehtë dhe i thatë – gjithçka do të ketë mbaruar.”– tha rojtari i parkut Astrit Kodra.

Ambientalistët thonë se fati i liqenit duhet të shërbejë si një paralajmërim i tmerrshëm për pjesën tjetër të Ballkanit -një rajon i pasur me ujë, por ku menaxhimi i burimeve mungon kryesisht. “Vdekja e një liqeni do të ketë pasoja” në liqenet fqinje të Prespës më të madhe dhe Ohrit, tha Kodra. Nivelet e ujit në Liqenin e Prespës së Madhe – një nga më të vjetrit në Evropë, që shtrihet në kufijtë e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut – janë gjithashtu në rënie të madhe, duke arritur nivelin e tyre më të ulët në dekada.

“Uji në liqenin në anën shqiptare është sot 10 metra më i ulët se niveli i tij në fund të viteve 1970.”- tha Vasil Male, një menaxher i zonave të mbrojtura në Korçë. Male thotë se shkaku kryesor është ndryshimi i klimës. “Reduktimi i reshjeve është duke tharë burimet ujore dhe ka sjellë një rënie të nivelit të Liqenit të Prespës së Madhe me 54 centimetra vetëm në katër muajt e fundit.”– tha eksperti mjedisor Llazi Stojan.

Nga ana greke situata është gjithashtu kritike. Sipas të dhënave nga Rrjeti Kombëtar i Monitorimit të Ujërave të Liqeneve të Greqisë, “niveli i dy liqeneve, Prespës së Vogël dhe të Madhe, gushtin e kaluar ishte në pikën më të ulët që nga viti 2021”. Në një raport të vitit 2022, NASA tha se imazhet satelitore tregojnë se Liqeni më i madh i Prespës kishte humbur shtatë për qind të sipërfaqes së tij dhe gjysmën e vëllimit të tij midis midive 1984 dhe 2020.

“Dhe nëse Prespa tkurret më tej, Liqeni jo më pak sublim i Ohrit, i vendosur vetëm 10 kilometra larg, mund të preket gjithashtu.”– paralajmëron Stojani. Ekspertët në rajon megjithatë thonë se pak mund të bëhet nëse vendet që ndajnë liqenet nuk bashkëpunojnë për t’i shpëtuar ato. “Duhet të ndërhyjmë, duhet të veprojmë bashkë përderisa nuk është vonë.”- tha Kodra. “Njerëzit dhe shkenca mund të gjejnë zgjidhje për të shpëtuar natyrën.”

 ⃰Artikulli origjinal është shkruar nga gazetarja Briseida Mema dhe publikuar nga AFP

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11