Një plan sekret përderisa nuk ka bërë të ditur publikisht asnjë detaj. Ky është informacioni i ri që mësohet nga “nëntoka” politike e Tiranës.

Rudina Hajdari ka si projekt të ardhshëm themelimin e një partie të re, kjo mësohet nga burime që nuk duan të identifikohen për “Gogo.al”. Ajo që mbetet surprizuese, megjithatë, është skenari i mundshëm për një konfuzion mes votuesish.

Le të sjellim kronologjinë e përmbledhur për të kuptuar lëvizjen e radhës së deputetes që kundërshtoi partinë që i dha mundësinë për t’u bërë deputete, luftoi publikisht për hapjen e sistemit me kërkesën për lista të hapura, u bashkua në ide e veprime me “Nisma Thurje”, u nda nga eksponentët kryesorë të kësaj lëvizje nëpërmjet konfliktit publik me deklarata e kundërdeklarata dhe jo më larg se sot deklaroi se do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Ajo që merret vesh për momentin nga burimet është se Rudina Hajdari ka në plan të krijojë partinë e saj, e cila do të quhet “Nisma”, së cilës do t’i bashkohet edhe pedagogu Rezart Prifti. Për këtë asaj do t’i duhen 3 mijë firma dhe po kështu ta regjistrojë 60 ditë para zgjedhjeve.

Elementi që bën përshtypje në gjithë këtë plan është detaji i emrit: “Nisma”. Një emër ky i ngjashëm me atë të “Nisma Thurje”.

Nuk dihet nëse në ditët në vijim do të kemi përplasje për emrin mes dy krahëve: Shabani-Soko (dhe të tjerët) dhe Hajdari-Prifti (dhe të tjerët) por një detaj tjetër që tërhoqi vëmendjen është edhe takimi ditë më parë mes Hajdarit dhe kryeministrit Edi Rama para se të votohej përfundimisht me “JO” në kuvend nga maxhoranca hapja e listave të kandidatëve për deputetë.

Po ta kujtojmë për publikun u servir një foto e momentit kur deputetja hynte në Kryeministri, fakt që nuk është mohuar ndonjëherë nga Hajdari.

Hajdari duke u futur në Kryeministri

Pas dështimit të hapjes së listave te “Nisma Thurje” pati një krisje mes personazheve kryesorë: Pano Soko u shpreh publikisht se me Rudina Hajdarin e kishin ndërprerë bashkëpunimin, ndërsa Rezart Prifti deklaroi që jo. Hajdari nga ana e saj pohoi se do vazhdonte të luftonte e të ishte pjesë e “Nismës”, plan që me sa duket e ka elaboruar edhe më shumë.

Pyetja kryesore mbetet: A po bëhet kjo lëvizje për të ngatërruar votuesit shqiptarë ditën e votimit?!

Por edhe një e dytë fare lehtësisht mund të na vijë ndërmend: Çfarë misioni ka marrë Rudina Hajdari dhe nga kush apo është thjesht devocioni i saj ndaj shqiptarëve?

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)