
Ndonëse politikanët tanë i kemi parë shpesh duke udhëtuar në vende të ndryshme të botës, këtë herë kanë zgjedhur të mos e braktisin atdheun e tyre, bëhet fjalë vetëm për pushimet e verës.
Pas seancës së fundit parlamentare të mbajtur me 31 Korrik, deputetët tashmë janë me pushime, nga publikimet e tyre në rrjetet sociale vëmë re se ata kanë zgjedhur të pushojnë në vende të ndryshme të Shqipërisë.
E nisim nga kryeministri Edi Rama, i cili vetë vendosi t’i kalojë pushimet në fshatin Vuno, të Himarës. Ai u fotografua nga banorët e zonës teksa shihej këmbë zbathur dhe i pashoqëruar nga truprojet.



Gjithashtu gjatë kësaj vizite ai është takuar dhe me Vangjel Tavon, teksa shihen së bashku duke diskutuar në një nga kafenetë e Himarës pas fitores në këtë bashki. Gjatë këtij udhëtimi, Rama është takuar dhe me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manjën me të cilin ka realizuar dhe një foto nga Livadhi, Himarë.


Nëse Rama ka zgjedhur jugun, Ilir Meta i shoqëruar nga Petrit Vesili, Tedi Blushi, Sokol Pinari e të tjerë miq, kanë preferuar t’i kalojnë pushimet në veriun e Shqipërisë. Ata kanë ndarë foto të ndryshme në rrjetet e tyre sociale, ku shihen duke eksploruar malet e Tropojës. Pas Tropojës, Meta po pushon në malin e Prevallës. “Nuk ka më shëndetshëm se oksigjeni dhe boronicat bio të Prevallës”- shkruan Meta në një postim ne Facebook.
Monika Kryemadhi gjithashtu ka zgjedhur veriun e Shqipërisë, ajo ishte në Dibër duke kaluar pushimet bashkë me mamanë e saj. “Dibër, rrënjët e mia”– shkruan ajo në një postim në Instagram.


Ndër të tjerë politikanë që po pushojnë në Shqipëri përmendim dhe ish-ministren e Arsimit, Evis Kushi. Ajo ka zgjedhur t’i kalojë pushimet në Qeparo, Vlorë, si dhe së fundmi vizitoi Kanionin e Holtës, teksa shfaqej me bluzën e veshur “O ku ka si ti o Shqipëria ime”. Herë pas here, Kushi hedh dhe video nga pika të ndryshme turistike të qarkut të Elbasanit, siç janë kanionet e Holtës në Gramsh.

Taulant Balla, tashmë me postin e ri si Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin ka ndarë në rrjetin e tij social Facebook, momente teksa shihet duke pushuar në fshatin Lunik të Librazhdit. Njëlloj si Kushi edhe ai herë pas here publikon video të ndryshme nga pika turistike të vendit.
Gjithmonë një kënaqësi të kthehem në Lunik😍Librazhd📍ku uji i ftohtë i burimeve dhe mikpritja janë të pakonkurueshme🙏
Posted by Taulant Balla on E martë, 6 gusht 2024
Edhe deputetja Jorida Tabaku, ka preferuar t’i kalojë pushimet në bregdetin e Vlorës, e cila ka ndarë foto bashkë me bashkëshortin e saj.
Këto janë vetëm disa nga politikanët të cilët zgjodhën t’i ndanin këto pjesë nga pushimet e tyre me ndjekësit, si dhe të promovonin vende të ndryshme të Shqipërisë në të njëjtën kohë.



