
—
Produkte mediatike të vogla në dukje por që në thelb na rrëmbejnë orë e minuta, vëmendje, të qeshura e na bëjnë të mendojmë.
Ky është perceptimi i parë që mund të kemi ne për atë produkt social që mban edhe një emër melodioz; meme por pyetjet mund të jenë nga më të ndryshmet.
Fokusi mbetet jo vetëm njohja e memes si një produkt i thatë, por mbi të gjitha njohja e audiencës shqiptare të mediave sociale, shoqërisë.
Në projektin “Memet në mediat sociale dhe efekti i tyre mbi audiencat në Shqipëri” grupi kërkimor i përbërë nga një lektor, Valmora Gogo e studentë Masteri në Kolegjin Universitar Bedër si Alban Tufa, Fatbardha Bushi dhe Gentian Duka u ngritën disa pyetje që mbase çdokush mund t’i bëjë.
1-Cili është efekti i memeve te audiencat? A ndikohen audiencat nga memet?
2-Çfarë lidhje kanë audiencat me memet?
3-Cilat janë arsyet kryesore pse i pëlqejnë?
4-Kush i krijon memet, audienca vetë, media, politika, individët-autorë dhe si gjenerohet tema e memeve? Nga nxiten krijuesit?
5-Pse përdoret komunikimi nëpërmjet memeve? (A mendohet se memet rrisin popullaritetin e personazheve)
6-Çfarë nevojash ka audienca që duhet të përmbushë media? Çfarë duan audiencat të dëgjojnë nga mediat? Si e duan median?
Përgjigjet rreth këtyre pyetjeve kanë marrë kohën e tyre, thuajse gjysmë viti, me një metodologji të blinduar, monitorime, fokus grup, intervista dhe pyetësor online.

Pak teori…
Teoritë e kënaqësive të Katz-it dhe Blummer-it sugjerojnë që njerëzit e përdorin medien për qëllimet e tyre personale, ndërsa audienca në këtë rast nuk është pasive duke zgjedhur vetë se çfarë duan të shohin ose jo. Njerëzit duan të kënaqin nevojat e tyre me argëtim, arratisje, ndërveprim social dhe mbikëqyrje.
Media ka efekte të ndryshme te njerëz të ndryshëm.
Një teori tjetër e rëndësishme që përbën boshtin e këtij kërkimi është edhe ajo e Influencës Personale e Paul Lazarfeld dhe Elihu Katz, ku në rrjedhën me dy hapa mesazhet mediatike ndikojnë më shumë mbi njerëzit jo në drejtimin media-audiencë por media-lider opinioni- audiencë. Në këtë mënyrë do të shihen me kujdes edhe liderët e opinionit për rastin në fjalë, meme-krijuesit.
Nga ana tjetër Joseph B. Walther ka zhvilluar teorinë e përpunimit të informacionit social, me të cilën shpjegohet se si individët përdorin komunikimin e ndërmjetësuar nga kompjuteri për të krijuar përshtypje ndërnjerëzore. Njerëzit përshtaten me mungesën e shenjave joverbale kur përdorin një medium që është i kufizuar vetëm në simbole tekstuale. Kodet kërkojnë kohë por marrëdhëniet në internet lehtësojnë marrëdhëniet që nuk do të ishin krijuar në botën reale për shkak të dallimeve grupore, distancës etj.
Po çfarë janë memet? Po t’i referohemi Richard Dawkins-it memet janë si gjenet në trupat tanë, duke specifikuar se janë të ngjashme me gjenet në mënyrën se si ato kalojnë informacionin kulturor dhe idetë midis njerëzve dhe brezave. Limor Shifman nga ana tjetër përcakton si meme në internet një grup artikujsh digjitalë që ndajnë në mënyrë të përbashkët karakteristikat e përmbajtjes, formës dhe/ose qëndrimit, të cilat u krijuan me vetëdije për njëri-tjetrin, dhe u qarkulluan, imituan dhe/ose u shndërruan përmes shpërndarjes nga shumë përdorues interneti.
Çfarë e bën përmbajtjen “virale” sipas Limor Shifman-it? Pozitiviteti (dhe humori), provokimi i emocioneve “të larta të zgjimit”, paketimi, prestigji, pozicionimi dhe pjesëmarrja ndërsa meme një përmbajtje të caktuar e bëjnë njerëzit e zakonshëm, gabimet e forta, humori, thjeshtësia, përsëritja.
Shifmani tregon se memet politike në internet përmbushin 3 funksione; forma të bindjes dhe avokimit politik, veprime themelore dhe mënyra të të shprehurit dhe diskutimit publik.

Të rinjtë bisedojnë me meme
Në një fokus grup të organizuar në shkurt me 10 studentë e Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër jo vetëm pati lirshmëri për të folur për memet po njëkohësisht u komunikua duke i përdorur ato. I gjithë diskutimi u ndërtua me tregime memesh dhe histori që lidhen me memet, teksa nuk munguan të qeshurat por edhe debatet për mënyrën se si kuptohen apo interpretohen memet si dhe roli që ato kanë te audienca.
Disa nga përgjigjet e marra në këtë fokus grup, të cilat orientuan më tej punën e ekipit për monitorimin, intervistat dhe pyetësorin online, kishin të bënin së pari me arsyet që na bëjnë t’i ndjekim. Për argëtim qenë kryesisht përgjigjet duke qenë se memet janë edhe një mënyrë tepër ironike për të përcjellë një mesazh. Lidhur me rolin e memeve në jetën e pjesëmarrësve, së pari listohej gjetja e vetes dhe lidhja me përditshmërinë.
Të vendosur ishin thuajse të gjithë për përgjigjen e pyetjes nëse memet ndryshojnë gjendjen emocionale, duke dhënë një “Po” të madhe.
“Tani kemi filluar të mendojmë që sapo një personazh bën një gafë, apo veprim mendojmë kur dhe si do të bëhet meme. Ka qenë një politikan që në mbledhje tha: Do bëhesh meme.”, tha një i pranishëm në fokus grup.
Lidhur me komunikimin me njëri-tjetrin përmes memeve fokus grupi solli një rezultat interesant sepse ajo që u vu re është se ekziston komunikimi mes tyre vetëm me meme, pa përdorur tekst shtesë për sqarimin e tyre. “Në Snapchat. Kemi një grup ku jemi disa persona dhe i bëjmë meme njëri-tjetrin.”, tregoi një e re.
Të pyetur nëse mendojnë që memet ua rrisin popullaritetin politikanëve, pjesëmarrësit mendojnë që po. “Janë bërë shumë popullorë prej memeve. Një meme shkon te një audiencë shumë e madhe dhe ata e njohin personazhin, ose memeja bëhet shkak që ta njohin. Memet kanë një targetgrup moshe, duhet t’i kuptosh, të njohësh fenomenet.”, u tha gjatë diskutimit. Duke qëndruar te memet me përmbajtje politike, të pranishmit theksuan se popullarizimi i madh i tyre në Shqipëri mund të jetë edhe një lloj rebelimi kundrejt politikës.

Monitorimi i hapësirës virtuale
Gjatë një monitorimi javor në janarin e këtij viti memet më të përdorura në faqet “Brryli Broadway”, “Jeta Osh Qef”, “Genc Sejko” dhe Altin Tufa dhe rezultojnë të jenë ato nga fusha e poltikës. Çështjet, të cilat janë përdorur më tepër në përmbajtje të memeve përveç politikës janë edhe ato rreth aktualitetit dhe foto-lajmet. Personazhet më të shpeshtë në meme janë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ministrja e Shtetit për Marrdhëniet me Kuvendin Elisa Spiropali dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj.
Në të gjitha ditët e monitorimit ka meme për politikën, ku në krye të listës për numrin më të madh të memeve qëndron kryeministri Rama me 24 meme. Gjatë kohës së monitorimit kemi konstatuar që memet rreth tij nuk kanë munguar asnjë ditë ndërsa për disa kategori dhe personazhe të tjera ka ditë që. Meme për aktualitetin kemi 21.
Reagimet më të mëdha në komente janë për tema të cilat ndodhin gjatë ditës, ku përgjatë një jave monitorim kjo kategori ka marrë 1875 komente. Të dytët në listë për numrin e komenteve vijnë politikanët me 1482 komente ndërsa më pak reagime më komente ka pasur për tematika rreth aktualitetit. Kryeministri Edi Rama renditet i pari sa i përket numrit të shpërndarjeve me 249 për një jave. Reagimet më të shpeshta rreth tij në profilin e Genc Sejkos në “Facebook” janë ato me “Like”, të dytët janë reagimet me “Haha” dhe më pas me “Angry” gjithashtu renditet i pari për sa i përket numrit të shpërndarjeve me 249 për një jave. Ndërsa të dytët në listë renditen personazhet e tjerë të politikës me 200 shpërndarje në total.

Memekrijuesit
Në kërkim u vu re se tashmë krijimi i memeve është bërë “sport i dashur” i të rinjve. Megjithatë janë disa memekrijues më të spikatur në hapësirën virtuale të Shqipërisë; Adminët e “Brryli Broadway” dhe “Jeta osh Qef”, Genc Sejko dhe Altin Tufa.
Të pyetur për punën e tyre ata tregojnë se audiencat ndikohen nga memet. “Ka ndodhur shpesh që artikuj e analiza janë bërë mbasi është postuar një meme. Jo thjeshtë e imja por e kujtdo. Sepse një qëndrim simplist ka hapur një dritare tjetër, të cilën shumë veta nuk e kishin vënë re. Pastaj nëse shikon një meme dhe qesh me të, në subkoshiencën tënde diçka ka ndryshuar ndoshta edhe pa e kuptuar fare.”, shprehet Genc Sejko, teksa shton se arsyet kryesore pse memet pëlqehen mbeten ato të humorit, cinizmit, ironisë dhe sarkazmës. “Por në fund një meme e mirë nuk është ajo që të bën të qeshësh. Por ajo që të bën të qeshësh e më pas të mendosh.”, thekson Sejko. Sipas tij arsyet që sot memet kanë sukses lidhet edhe me një fenomen negativ. “Jetojmë në një kohë kur njerëzit nuk kanë as kohë e as dëshirë që të ulen e të lexojnë një analizë me 3500 fjalë. Ajo çfarë po shohim është se pjesa më e madhe e njerëzve janë më të prirur të lexojnë një përmbledhje të shkurtër të asaj që ndodh, se sa një analizë të gjatë e të detajuar. E them me keqardhje por “suksesi” i asaj që ne bëjmë, ka të bëjë me faktin që njerëzit sot lexojnë më pak”, shton Sejko.
Një vështrim më kritik ka një nga adminët e “Brryli Broadway”. “Mendoj që shumë pak njerëz ndikohen nga memet, ata që ndikohen, ndikohen në mendime, jo në atë se çfarë duhet të bëjnë apo të zgjedhin. (Shumica duan vetëm të qeshin dhe e supozojnë memen humor)”, thotë admini në kushtet e anonimatit, teksa shton se specifika e medies së tyre sociale është trajtimi i çështjeve sociale dhe ironia e përdorur.
“Memet duhet të shërbejnë si mesazhe në shumicën e rasteve, pra njerëzit duhet të kuptojnë që ajo nuk vlen aq shumë për të qeshur se sa për mesazhin që mban brenda. Normalisht për mirë apo për keq personazheve u rritet popullariteti, kjo është 100% e sigurtë”, mendon admini i “Brrylit”.
Skeptik mbetet admini edhe për “shpirtin e protestës” që mund të nxisin memet. “Kohet e fundit audienca që ka faqja jonë po drejtohet nga “të bërit protesta”, d.m.th shpresojnë që mund të vijë ndryshim nga një faqe si ne, këtu kuptojmë dëshpërimin e thellë që ka kapur shoqërinë. Media duhet të jetë gjatë gjithë kohës në shërbim të popullit dhe të mos ndikohet nga askush, por duke parë situatën ku çdo gjë gërshetohet padashur, media, politika, arti, biznesi, në 97% të rasteve janë bashkë dhe padashje apo jo, kundër popullit. Ajo që audienca kërkon është që media të mendojë si ata, dhe të mos ndikohet nga politika apo biznese të kapura nga politika”, përfundon admini i “Brryli Broadway”.

Edhe admini i “Jeta osh Qef” nuk e vë në dyshim ndikimin e audiencës nga memet. “Efekti eshte direkt dhe i menjëhershëm, pasi vetëm nëpërmjet një fotoje shprehet një ide, pa patur nevojë për shumë fjalë”, thotë ai, ndërsa shton se arsyeja kryesore e pëlqyeshmërisë është se një ide (përgjithësisht ironike ndaj fenomeneve jo normale të jetës së përditshme) nuk ka nevojë për shtjellim të gjatë siç mund të jetë rasti i një artikulli por nëpërmjet një kombinimi fotosh dhe teksti të shkurtër jepet një ide, pa e lodhur shumë audiencën.
Lidhur me popullaritetin e personazheve admini i “Jeta osh Qef” ka krejtësisht një mendim tjetër kur thotë se duke patur parasysh që memet godasin me ironi fenomenet e shëmtuara, nuk mund të themi se personazheve iu rritet popullariteti, përkundrazi audienca ndërgjegjësohet më shumë për çfarë ata realisht bëjnë keq. Nevojat e audiencës admini i shikon si nevoja për gjëra të lehta, pa u thelluar të mendojë dhe analizojë. “Audienca në bazë të eksperiencës, ka nevojë kryesisht për materiale “me pullë të kuqe” apo materiale që flasin për jetën private të individëve të përfshirë në ngjarje sensacionale jashtë të përditshmes normale, të tilla si krime të shumëfishta bazuar në tradhëti apo moral. Për fat të keq lajmet nga kultura, letërsia, ekonomia etj. nuk tërheqin shumë audiencën.”, përfundon ai.
Po kështu edhe Altin Tufa e sheh në nivelin argëtues efektin që memet kanë te audienca. “Kohëve të fundit audiencat kanë filluar të kenë një lidhje të ngushtë me memet. Kam dëgjuar nga shumë njerëz që futen nëpër rrjete sociale vetëm për të parë meme, në momente pushimi në pune, në darkë kur pushojnë, i shohin si gjëra funny dhe çlodhëse, largojnë stresin dhe monotoninë e përditshmërisë. Të shumtë janë ata që atë çfarë shohin vetë e ndajnë me miqtë e tyre të ngushtë duke u bërë “tag” apo duke i dërguar me mesazh në grupe apo veçmas.”, shprehet Tufa. Duke u fokusuar te memet e politikës ai thotë: “Por në rastin e politikës kam përshtypjen që njerëzit janë të lodhur duke dëgjuar po të njëjtat fjalë apo premtime nga politikanë apo partitë politike, duket sikur të gjithë kopjojnë njëra-tjetrën dhe kur ata vihen në lojë me meme ata shohin atë se çfarë kërkojnë.”. Më tej shton se rritet popullariteti i personazheve në meme por sipas tij varet sesi të mbetet emri. për mirë apo për keq. “Nëse një gafë e një politikani kthehet në meme është shumë e vështirë të fshihet nga mendja e njerëzve, ai gjithmonë do të njihet nga gafa dhe jo nga emri i tij. Si për shembull për politikanin Nard Ndoka që e kthyen në “filozof”. Eshtë një fije shumë e hollë që e ndan pastaj politikanin me bagazh nga një politikan “meme”.”, përfundon Tufa.

Me cilin qeshim më shumë; në garë Rama, Basha dhe Veliaj
Le të shohim tani se me cilin politikan, personazh të memeve, qeshin më shumë shqiptarët, edhe pse pyetësori online, hedhur në media sociale në qershor që mori 767 përgjigje ka një sërë pyetjesh të tjera të rëndësishme.
“Trofeun” e rrëmben kryedemokrati Lulzim Basha në vlerat e 29.2% të përgjigjeve, duke u shpallur si politikani-meme që audienca qesh më shumë. Pas tij renditen të tjerë personazhë të paspecifikuar, ndërsa vendin e tretë e merr Edi Rama, kryeministri i vendit me 18.2%. Kuptohet shefin e tij e pason kryebashkiaku Erion Veliaj, me 10.4% të 767 përgjigjeve.

Pyetje të rëndësishme të pyetësorit online për memet, në këndin e teorive të kënaqësive mbi audiencat, janë edhe ato të shkaqeve pse ndiqen memet, tematikat e memeve që ndiqen, reagimi i parë kur shihet një meme, koha e ndjekjes, komunikimi me miq nëpërmjet memeve, varësia ndaj memeve dhe ndryshimi i mendimit, rritja e popullaritetit të personazheve që bëhen meme si dhe si audienca i do memet në të ardhmen. Më poshtë disa nga përgjigjet e marra nga audienca.













