
Në kulmin e debatit mbi turizmin në vend, Gogo.al i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të vënë në dispozicion të publikut se sa është numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë nga data 1-12 Korrik.
Kërkesa ishte dërguar me datë 13 Korrik dhe Policia u përgjigj më në fund pas 14 ditësh (kliko këtu për të parë përgjigjen e plotë) duke duke mos i vënë në dispozicion të ndara shifrat mes shtetasve të huaj dhe atyre shqiptarë, por hyrjet në përgjithësi.
Kështu, sipas tabelës me shifra të vënë në dispozicion nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin rezulton se nga data 1 deri më 12 Korrik, në të gjitha pikat doganore kanë hyrë 991 065 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Pra, janë 187 418 shtetas më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këtu mund të ketë dhe shqiptarë të Shqipërisë të cilët janë kthyer nga pushimet.
Në të njëjtat data, rezulton se në vitin 2023 kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë 803 647 shtetas. Dhe këto janë shifra vetëm për 12 ditët e para të muajit Korrik.

Pika Doganore nga ku ka ardhur numri më i lartë i vizitorëve rezulton të jetë Rinasi, me 451 333 shtetas, megjithatë duhet theksuar se një pjesë e tyre mund të jenë dhe transit. Një informacion të tillë nuk e kemi ende.
Pas pikës doganore të Rinasit, vjen ajo e Hanit të Hotit, me 69 098 hyrje.
Ndërsa pika doganore me më pak hyrje rezulton të jetë Tri Urat, me 3 091 shtetas që kanë hyrë.
Sa i përket kufirit me Kosovën, pika kufitare e Morinës ka patur 30 148 hyrje. Gati 10 mijë më shumë se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Megjithëse nuk kemi një sqarim sa janë shtetas të Kosovës, fakti është që ka patur më shumë hyrje nga Kosova se sa vitin e kaluar. Ky sqarim është i rëndësishëm duke qenë se një nga argumentet e përdorura në debatin mbi tkurrjen ose jo të turistëve, ka qenë se pushuesit nga Kosova këtë vit nuk kanë zgjedhur Shqipërinë për shkak të liberalizimit të vizave.
Debati lidhur me numrin e turistëve ka nisur fillimisht në rrjetet sociale përmes fotove e videove të cilat shfaqnin çadra bosh në bregdet.
Figura publike por edhe qytetarë dilnin në media duke u ankuar se këtë vit ka më pak turistë në Jug të Shqipërisë, krahasuar me vitet e kaluara. Bizneset po ashtu, operatorët turistikë në intervistat televizive nisën të pohonin të njëjtën gjë. Dhe për këtë gishti iu drejtua kryesisht rritjes së çmimeve (lexo këtu).
Kjo u kap nga opozita e cila nisi ta përdorë si strategjinë e radhës mediatike për të kundërshtuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
E shpesh herë, kur filmimet kanë dalë nga opozita janë bërë dhe në pikun e drekës, kur zakonisht pushuesit largohen nga çadrat për të drekuar. Dhe këtë fakt nuk e fshehin, pasi vetë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, e pranonte në një postim që videoja ishte e orës 12:00.
Luftës së opozitës me pamje të plazheve bosh, qeveria i është përgjigjur me foto dhe video me plazhet plot, duke nisur nga i pari kryeministri Edi Rama.
Mesa duket problemi i çadrave bosh nuk qëndron tek numri i turistëve, por është më shumë një ridimensionim i turizmit në Shqipëri që tanimë nuk është i përqendruar vetëm në bregdet.


