Këtë të dielë po mbahen zgjedhjet për Bashkinë e Himarës. Zgjedhësit do të zgjedhin mes Vangjel Tavos nga Partia Socialiste si dhe Petro Gjikurias nga opozita. Votimi ka nisur në orën 07:00, ku qytetarët iu janë drejtuar 36 qendrave të votimit.

Por ky proces nuk po kalon pa andralla. Janë mbi 6 mijë zgjedhës, të cilët nuk do të mund të bëjnë zgjedhjen e tyre, pasi iu kanë skaduar kartat e identitetit.

Ndonëse në zgjedhjet e kaluara, ata u lejuan me karta të skaduara, në këto zgjedhje të pjesshme për Himarën, qeveria nuk e ka marrë të njëjtin vendim.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te opozita, e cila ka ngritur akuza se procesi i rinovimit të kartave të identitetit është lehtësuar për qytetarët me bindje socialiste, ndërsa është vështirësuar për të tjerët. Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar procesin e votimit.

Mbi 6 mijë zgjedhës me karta ID-je të skaduara, nuk lejohen të votojnë

Por këto zgjedhje janë shoqëruar dhe me polemika, kjo për shkak të skadimit të kartave të identitetit. Shumë qytetarë dolën njëri pas tjetrit duke treguar para mediave, se kishin shkuar të votonin por nuk ishin lejuar për shkak të kartave të skaduara të identitetit. “Ka shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë që të votojnë me kartë, por ligji nuk e lejon.”- ka pranuar Arqile Bollano, kryetari socialist i qendrës së votimit Kuç për Report Tv.

Lidhur me këtë ka reaguar kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili e konsideruar si akt anti-Kushtetues përjashtimin nga votimi të qindra qytetarëve, për shkak të skandencës së dokumenteve të identifikimit. Sipas Berishës, ky është një akt i pa precedent, krim shtetëror elektoral, dhunim i Kushtetutës, që ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor nga kryeministri.

Ai shton më tej se “Përjashtimi i qindra zgjedhësve nga e drejta e votimit, ndryshimi i qëllimshëm dhe i programuar i qendrave të votimit të qindra qytetarëve, shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga Dropulli, Saranda apo pasunarve të vilave turistike të bregut janë veprime mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë direkt Edi Ramën dhe Vangjel Tavon për krim të shëmtuar elektoral. Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këto akte të rënda antikushtetuese të Edi Gjipes dhe kukullës së tij Vangjel Tavo dhe i garanton se drejtësia vonon, por nuk harron.”

Një qytetar duke votuar

Problemi me kartat e identitetit u konfirmua dhe nga kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi. Në një deklaratë për mediat ai tha se janë mbi 6 mijë zgjedhës me karta identetitet të skaduara, por kjo shifër ka qenë dhe vitin e kaluar (por vjet ata u lejuan të votojnë me karta të skaduara). Kjo përbën rreth 25 % të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Himarë.

Megjithatë, Celibashi shton se kjo nuk është kompetencë e institucionit që ai drejton.

“Është e vërtetë që janë 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara. Përse për këto zgjedhje nuk u mor vendim nga qeveria për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit nuk mund ta them’
Nuk kemi pasur një komunimik ditën e sotme se nuk është se do të kishte zgjidhje ditën e sotme. Kjo çështje do të duhej të ishte zgjidhur më parë. Është një çështje që lidhet me interesin e votuesve për të disponuar një dokument identifikimi e më pas autoritetet përgjegjëse shtetërore duhej t’i përgjigjeshin interesit. E njëjta gjë qëndron dhe për partitë. Nuk po përpiqem të shmang gravitetin apo shkakun por lidhet me interesin e kandiduesve, dhe të partive.”
– tha kreu i KQZ-së.

Sipas “Report Tv” deri në orën 10:00 në qendrat e votimit janë paraqitur 200 qytetarë me karta identiteti të skaduara të cilët nuk janë lejuar të votojnë (kliko këtu). Megjithatë ende nuk ka një shifër zyrtare se sa qytetarë nuk janë lejuar të votojnë për shkak të dokumentit.

Kartat e ID-së të publikuara nga Luçiano Boçi, me afat skadence 50 vite

Karta identiteti me afat skadence 50 vite?

Në një anë ka qytetarë të cilët nuk po munden dot të votojnë për shkak të skadimit të kartave të identitetit, e në anën tjetër, opozita ka drejtuar akuza të tjera për qytetarë të cilët kanë marrë karta identiteti false me afat skadence 50 vite.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka publikuar sot dy karta identiteti me afat 50-vjeçar dhe thotë se kjo gjë ka deformuar procesin e zgjedhjeve në Himarë.

Boçi tregon rastin e një banoreje në Kakavijë, të cilën e kanë bërë banore të Himarës duke i dhënë një kartë identiteti me afat skadence 50 vite. Ai tregon dhe rastin e një banoreje tjetër me vendlindje Fterrën.

Tavo në takim fushate në Himarë

Vangjel Tavo

Kandidati i PS-së për Kryebashkiak të Himarës, Vangjel Tavo, votoi rreth orës 10:30 në qendrën e votimit në Palasë.

Ai e konsideroi të qetë procesin e deritanishëm të votimit dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë altervativën më të mirë.

“Sot Himara dhe himariotët kanë fjalën për të votuar. Procesi ka qenë shumë i qetë, uroj që ky proces të vijojë kështu deri në fund të procesit të votimit. i bëj thirrje të gjithë himariotëve të dalin masivisht në votime dhe të votojnë alternativën më të mireë.”- tha Tavo në një prononcim për mediat.

Tavo u pyet nga gazetarët lidhur me problemin me dokumentet e skaduara, por ai u përgjigj me fjalët: “Nuk kam asnjë koment, ligji ka të parashikuar gjithçka.”

Gjikuria në takim fushate në Himarë

Petro Gjikuria

Ndërsa kandidati i opozitës Petro Gjikuria i cili votoi rreth orës 11:00 tha para gazetarëve se e shikonte si një problem çështjen e dokumenteve të skaduara, por që sipas tij nuk do të ndikojë në rezultate.

“Ky është një problem. Socialistëve iu jepeshin kartat e identitetit brenda orës, ndërsa të tjerëve u thuhej ejani pas dy javësh. Gjithsesi nuk besoj se do të ndikojë kjo në procesin e zgjedhjeve. Unë do jem Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Himarës.”– tha Gjikuria.

Një tjetër pyetje që iu drejtua Gjikurias lidhet me ofertën e Vangjel Tavos për t’u bërë nënkryetar i bashkisë, në rast humbjeje. Por kjo pyetje nuk i pëlqeu kandidatit për kryebashkiak.

“Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë. Është dita e demokracisë. Unë do jem kryetari i ardhshëm i bashkisë Himarë. Se çfarë do të ndodhë nesër do ta dimë të hënën, të mos fillojmë me pyetje të tilla sikur keni ngrënë limona që në mëngjes. Unë do të jem kryetar i ardhshëm i Himarës.”– tha Gjikuria.

Vangjel Dule: Himara do të gdhihet me 2 kryebashkiakë

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule thotë se ky process zgjedhor është më absurdi, pasi ankimimet ligjore që kanë bërë nuk janë shqyrtuar dhe sipas tij Himara të hënën do të gdhihet me dy kryebashkiakë të zgjedhur, pasi mandatit i Fredi Belerit nuk është i ndërprerë konform ligjit.

“Është procesi zgjedhor më absurd i mundshëm që mund të ndodhë. Mbështet në një dekret presidencial që është ankimuar nga PBDNJ dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë në lidhje me kushtetutshmërinë. Himara do të gdhihet me dy kryebashkiakë të zgjedhur, mandatit i Belerit nuk është i ndërprerë konform ligjit.”- tha Dule në një prononcim për gazetarët nga Himara.

Mes të tjerash ai u ndal dhe tek problemi i votuesve me karta të skaduara. Sipas tij, vetëm për shkak të kësaj, kandidati i PS-së Vangjel Tavo ka hyrë në zgjedhje me 1 mijë vota plus.

Fredi Beleri

Fredi Beleri mesazh nga burgu

Ky process zgjedhor mbahet pas një viti trazirash, pasi Fredi Beleri, i cili fitoi zgjedhjet në 14 maj, nuk arriti të ushtronte detyrën pas problemeve ligjore që pati dhe dënimin me dy vjet heqje lirie për korrupsion në zgjedhje. Konkretisht ai akuzohet për blerje votash.

Në një postim në gjuhën greke në faqen e tij zyrtare në Facebook, ish-kryebashkiaku shkruan se minoriteti grek po bën betejën përfundimtare për demokracinë dhe të drejtat e tyre.

“Zemra ime sot është në Himarë. Ku sot pjesëtarët e minoritetit etnik grek po luftojnë luftën përfundimtare për Demokracinë dhe të drejtat e tyre. Nga qelia e burgut shqiptar ku po qëndroj prej 425 ditësh, mendimet e mia gjithë ditën do të jenë me vëllezërit e mi dhe të gjithë ata që kuptojnë se shteti ligjor dhe demokracia janë të panegociueshme. Me të gjithë ata që më kanë shprehur simpatinë dhe më kanë qëndruar pranë kësaj kalvari. Me të gjithë ata që nuk u përkulën përballë metodave të puçit dhe logjikës parademokratike dhe sot do ta vërtetojnë edhe një herë.”– shkruan Beleri.

Më tej ai vazhdon të urojë Gjikurinë, të cilin e mbështet në këtë garë: “Suksese nga zemra Petro Gjikurias. Jam i sigurt që duart e tij do ta udhëheqin të sigurt Bashkinë tonë ditën e nesërme”.

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 Majit të vitit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive.

Konkretisht ai u akuzua për blerjen e 8 votave, një votë 5 mijë lekë, gjithsej 40 mijë lekë. Me vendim të konfirmuar nga Apeli i GJKKO-së, Fredi Beleri është dënuar me dy vite burg.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10